Unë fali namaz, por mendja më shkon nga e keqja?!

0
557

Pyetje: selam alejkum i nderuari hoxhë, në qoftë se ka mundësi një pyetje lidhur me atë që mendja më shkon nga e keqja! Jam një motër muslimane, falem pesë kohë namaz edhe kam nis tash me mësu Kuranin, por sërish shumë herë më shkon mendja nga e keqja. Kur më ndodhë ashtu unë them: Eudhu bilahi mine shejtani raxhim. Po shqetësohem shumë sepse s‘kam qejf me mendu ashtu. Ma bëj hallall për pyetjen.
Përgjigje: Ue alejkum selam ue rahmetullah e nderuara motër,
Shqetësimi për gjendjen tuaj është shenjë se ti dëshiron përmirësimin tënd dhe nuk i lejon mendimet e këqija të të robërojnë. Ti nuk ke precizuar se çfarë mendime konkretisht të vijnë, mirëpo mund të supozoj që ato mendime kanë të bëjnë me dyshime rreth Allahut dhe Islamit apo dëshira për të bërë ndonjë haram ose për t’i bërë keq dikujt. Këto mendime në gjuhën e sheriatit i quajmë vesvese.
Vesveset kanë tre burime: veten tonë, shejtanët xhinde dhe shejtanët njerëz. Mirëpo, si t’i largojmë ato?
Ti mirë vepron kur kërkon strehimin tek Allahu me fjalët: Eudhu bilahi mine shejtani raxhim – Kërkoj strehim tek Allahu nga shejtani i mallkuar, sepse pas asaj fjale Allahu të ndihmon, kurse nëse njeriu dorëzohet dhe nuk i lufton ato mendime, atëherë shejtani e merr përpara dhe tashmë ato mendime nuk mbesin thjeshtë mendime por “përparojnë” në vesvese çrregulluese, siç e përshkruan një dijetar: “Vesveset çrregulluese janë sëmundje që i godet disa njerëz sikurse çdo sëmundje tjetër që manifestohet me ide, lëvizje, mendime dhe dëshira të herahershme që janë të këqija, të cilat njeriu zakonisht i refuzon dhe i lufton, njëherësh e di se ato janë gabim dhe të pakuptimta, mirëpo ka diçka që e nxitë dhe në shumicën e rasteve ai dështon në luftimin e tyre, saqë nga jashtë duket se ai është i kënaqur me veprimet e tij”.
Vesveset çrregulluese janë pra sëmundje dhe nuk e dëmtojnë besimin e muslimanit, Allahu nuk e merr në përgjegjësi atë person, sepse krejt ajo është pa dëshirën e tij. Allahu thotë: “Allahu nuk e ngarkon askënde përtej mundësive që ka” po ashtu thotë: “Kini frikë Allahun aq sa keni mundësi” ndërsa Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Allahu ia ka falur Umetit tim atë që e mendon brenda, përderisa nuk flet apo nuk punon sipas atij mendimi” (Buhariu nr. 4968 dhe Muslimi nr. 127). Le të plasë pra dhe le të vdesë shejtani pse kemi Zot Allahun e Gjithëmëshirshëm!
Nëse ti ndjen që ke këso mendime, atëherë ndihmoji vetes tënde duke vazhduar edhe më shumë leximin e Kuranit, bëji lutjet e mëngjesit, mbrëmjes, gjumit, hyrjes, daljes, veshjes etj. Përforcoje imanin tënd duke bërë vepra të mira dhe duke ndenjur larg harameve. Angazhohu me përcjellje të ligjëratave dhe lexim të librave, takohu me njerëz të mirë dhe të dijshëm, sepse shejtani e ka më zor ta nënshtrojë një të dijshëm sesa dikë tjetër.
Shejtani i mallkuar mund t’i vijë muslimanit dhe t’i bëjë vesvese të poshtra lidhur me Allahun, Pejgamberin apo Islamin, gjëra që muslimani i urren dhe nuk pajtohet. Ky shqetësim dhe kjo urrejtje për këto mendime është argument i imanit të saktë, kështu që duhet ta vazhdojë betejën kundër shejtanit dhe assesi të dorëzohet. Ai ka vërejtur imanin tënd ndaj Allahut dhe këtë dëshiron ta luftojë, por nuk i ka mbetur kundër teje asnjë armë përpos vesveseve ndërsa kur e sheh se ti ia ke vërejtur edhe këtë armë dhe po shqetësohesh edhe për këtë, dëshpërimi i tij shtohet edhe më shumë.
Allahu më ndihmoftë mua, ty dhe çdo besimtar kundër kurtheve dhe vesveseve të shejtanit të mallkuar. Amin

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here