A u lejohet grave të vizitojnë varrezat?

0
207

Ja çfarë thuhet në librin: “Enciklopedia e Thjeshtuar e Fikhut” vëll: 4.

Autori: Sheikh Husein El-Auaishe (një prej nxënësve të njohur të sheikh Albanit -Allahu e mëshiroftë-).

[Lejohet vizita e varreve për gratë.

Gratë janë si burrat në lidhje me vizitën e varreve për disa arsye:

1- Për shkak të fjalës së përgjithshme të profetit -alejhi selam- : “… vizitojini varret”; këtu futen edhe gratë. Për ta shpjeguar më mirë: Profeti -alejhi selam- kur ndaloi nga vizita e varreve në fillim, s’ka dyshim se ndalimi ishte gjithëpërfshirës për burrat dhe gratë së bashku, kur ka thënë: “Ju pata ndaluar nga vizita e varreve” ishte e kuptueshme se donte të thoshte për të dy gjinitë, domosdoshmërisht se ai po i njofton ata për atë që ishte në fillim, pra ndalimin e të dy gjinive.

Nëse çështja ishte kështu, ishte e domosdoshme që ligjërimi në fjalinë e dytë të hadithit, pra fjala e tij “vizitojini ato” ka pasur për qëllim po të dy gjinitë.

Këtë e mbështet ligjërimi në veprat e tjera të përmendura në shtojcën e Muslimit të hadithit të Burejdes të përmendur më lart:

“Ju pata ndaluar të mbani mishin e kurbanit mbi tre ditë, tani mbani aq sa tju duket e nevojshme, ju pata ndaluar nga shtrydhja përveç në sika’[1], pini në sika’ dhe mos pini pije dehëse”.

Unë them [d.m.th shejhu ynë -Allahu e mëshiroftë-]: Ligjërimi në të gjitha këto veprime është e drejtuar të dy gjinive kategorikisht siç është edhe tek ligjërimi i parë: “Ju pata ndaluar”; nëse thuhet se ligjërimi tek fjala e tij “vizitojini ato” është e veçantë për burrat atëherë prishet rregulli i ligjërimit dhe bukuria e tij. Kjo gjë nuk i shkon atij që i është dhënë gojëtaria. Këtë e përforcojnë edhe faktet e mëposhtme:

2- Për ato ekziston e njëjta arsye sikurse dhe për burrat për të cilën është ligjësuar vizita e varreve: “Ato zbusin zemrën, lotojnë syrin dhe të kujtojnë ahiretin”[2].

3- Se profeti -alejhi selam- ua ka lejuar atyre vizitën e varreve në dy hadithe që i ka mësuar nëna e besimtarëve Aishja -radiallahu anha- : Transmetohet nga Abdullah bin Ebu Mulejka: “Se Aishja -radiallahu anha- erdhi një ditë tek varrezat. Unë i thashë asaj: O nëna e besimtarëve, nga ke ardhur? Ajo tha: Nga varri i Abdurrahman bin Ebu Bekrit. I thashë: A nuk ka ndaluar profeti -alejhi selam- nga vizita e varreve? Ajo tha: Po, pastaj urdhëroi për ti vizituar ato”[3].

Transmetohet nga Kajs bin Mekhrame bin Mutalibi se ai tha një ditë: A tju tregoj për veten dhe për nënën time? Ka thënë (transmetuesi): Ne menduam se e kishte fjalën për nënën që e kish lindur. Ai tha: Ka thënë Aishja: A tju tregoj për veten dhe për profetin -alejhi selam? I thamë: Po. Ka thënë (transmetuesi): Ajo tha: Në natën që profeti -alejhi selam- ishte tek unë, u kthye e vendosi rrobën e sipërme, hoqi nallanet dhe i vendosi tek këmbët, vendosi cepin e rrobës së poshtme në shtrat dhe u shtri –ajo përmendi hadithin derisa tha- : tha [d.m.th Xhibrili profetit -alejhi selam-] Zoti yt të urdhëron ty të shkosh tek banorët e beki’së (varrezave) e të kërkosh falje për ta. Ka thënë: I thashë: Si tu them atyre o i dërguar i Allahut? Ai tha: Thuaj: Selami (paqja) qoftë mbi banorët e varreve nga besimtarët dhe myslimanët dhe Allahu i faltë të parët prej nesh dhe të vonët, e ne të dashtë Allahu do tju pasojmë”[4].

4- Pohimi i profetit -alejhi selam- gruan që pa tek varrezat në hadithin e Enesit -radiallahu anhu- : “Kaloi profeti -alejhi selam- pranë një gruaje që po qante mbi një varr dhe i tha: Ki frikë Allahun dhe bëj durim …”[5].

Nuk lejohet vizita e shpeshtë e grave në varre.

Nuk u lejohet grave që të vizitojnë shpesh e herë pas here varret sepse kjo mund ti çojë ato në kundërshtimin e sheriatit si të bërtiturat, zbukurimi, ti marrin varrezat si vend për të dalë, të humbin kohën në fjalë boshe siç e shohim sot në disa vende islame dhe ky është qëllimi –në dashtë Allahu- në hadithin e Ebu Hurejrës: “Se profeti -alejhi selam- mallkoi ez-zeuarat el-kubur (ato që vizitojnë shpesh varret)”[6].

Ka thënë shejhu ynë -Allahu e mëshiroftë- : “Kjo fjalë: “zeuarat” tregon se mallkohen gratë që e shpeshtojnë vizitën në kundërshtim me të tjerat të cilat nuk i përfshin mallkimi …”.

Ka thënë Kurtubiu: “Mallkimi i përmendur në hadith është për ato që e shpeshtojnë vizitën sepse kështu kuptohet nga fjala dhe ndoshta shkaku është se kjo çon në humbjen e të drejtës së burrit, në zbukurim, mund të çojë në të bërtitura dhe gjëra të tjera të ngjashme. Dhe mund të thuhet se nëse është e sigurte se nuk do të ndodhin këto atëherë nuk ka pse të mos lejohen sepse përkujtimin e vdekjes e kanë të nevojshëm burrat dhe gratë”].

Përktheu dhe përgatiti: Teuta XEKA.

[1] Enë lëkure për ujë, qumësht apo lëngje.

[2] E transmeton Hakimi me zinxhir hasen.

[3] E transmeton Hakimi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[4] E transmeton Muslimi.

[5] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6] E transmeton Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here