Këshillë që të bën të meditosh…
Ibnul Kajim ka thënë: “Nuk ka njeri që nënçmon vëllanë e vet për shkak të një gjynahu, veçse do të sprovohet me atë gjynah. Nëse të vjen lajmi që filani ka bërë një gjynah thuaj: -Allahu na faltë ne dhe atë!”
Abdullah Ibn Mes’udi ka thënë: “Uallahi, nëse dikush nënçmon një burrë që pi qumësht nga një qen, edhe ai do të pijë qumësht nga një qen.”
Mos i përndiq duke i përgjuar njerëzit!
Mos u përpiq të zbulosh të metat dhe gabimet e tyre!
Mos i nxirr sekretet e tyre!
Mos i përgjo ata!
Merru me veten tënde!
Përmirëso veten tënde, sepse për veten tënde do të pyetesh e jo për tjetrin, ndërsa Allahu është më i Mëshirshëm me ata sesa je ti dhe sesa janë ata me veten e tyre.
Atyre që shajnë, thuaji: durim, se bota rrotullohet!
Mos nënçmo askënd pse biri apo bija e tij nuk janë të devotshëm apo bëjnë gjynahe!
Mos thuaj kjo është vepër e prindërve të tyre, sepse ti nuk i di arsyet e tyre, ti nuk e di mundin e tyre në këshillimin e fëmijëve të tyre…
A nuk e di që biri i Nuhut (alejhi selam, edhe pse ishte profet dhe e këshillonte) është në zjarr?
A nuk e di që babai i Ibrahimit (alejhi selam) është në zjarr?
…Pra mos u merr me fatin e të tjerëve dhe nijetet e tyre, po merru me veten tënde dhe fëmijët e tu!
Sot mund të jesh i devotshëm por nesër mund të përfundosh me përfundim të keq… zemrat janë në Dorën e Allahut i rrotullon si do…
Kush të udhëzoi ty përveç Zotit të botëve?!
“Çdo bir i Ademit është gabimtar, më i miri prej tyre është ai që pendohet.” Hadith.
Nëse të vjen lajmi për rënien në mëkat të dikujt thuaj:
-Falënderimi i takon Allahut që më ruajti prej sprovës që i ka sprovuar ata dhe na nderoi mbi shumë krijesa! O Zoti ynë, na forco ne e përmirësoi ata!
Ebu Hanife kishte një fqinj pijanec të cilin e këshillonte aq shumë derisa u lodh një ditë dhe nuk e këshilloi më. Një dite i trokiti në derë gruaja e tij dhe iu lut t’i falë xhenazen pasi ai kishte vdekur, por ai refuzoi. Pas kësaj ai e pa në ëndërr pijanecin duke shëtitur në kopshtet e Xhenetit duke thënë:
-Thuajini Ebu Hanifes elhamdulilahi që Allahu nuk e la Xhenetin në dorë të tij!
Kur u zgjua shkoi dhe pyeti gruan e pijanecit për gjendjen e tij dhe ajo i tha që ai ishte ashtu siç e njihte vetëm se çdo të xhuma ushqente jetimët e lagjes dhe i përkëdhelte kokën e i thoshte: lutuni për xhaxhin, ndoshta duaja e ndonjërit prej tyre është pranuar. Dhe u pendua Ebu Hanifja me pendim të madh.
Mos i shani mëkatarët!
Mos i nënçmoni ata, se të gjithë ne gdhijmë me mbulesën që na i bën Allahu gjynaheve tona e nëse do na e zbulonte do të turpëroheshim.
Mos e mashtroni veten duke menduar se faleni e agjëroni shumë se nuk e dini se kush është më i afërt tek Allahu!
Këshilloni mos diskriminoni…!
Qortoni por mos lëndoni…!
Mos u mashtroni me adhurimet që bëni e të nënçmoni tjetrin, sepse ditët rrotullohen e ndryshojnë siç ndryshojnë zemrat!
Mos harroni duanë:
O Rrotullues i zemrave, rrotulloje zemrën time në fenë Tënde!
O Allah, na fal ne dhe të gjithë muslimanët e muslimanet të gjithë besimtarët e besimtaret!
__________
Burimi i Jetës