TË FILLOJMË TË MENDOJMË PËR ATË QË ALLAHU NA KA DHËNË!

0
245

Shkruar nga Sis Zabrina (Përktheu: Arsim Jonuzi)
Atë ditë isha me motrën time në një shitore mobilesh duke shikuar në brendësi të bukurive të tyre. Duke shikuar përreth, pashë një “karrige të vjetër për pleq” dhe nuk munda ta ndaloj vetveten time për t’u ulur në të. Ishte aq komforte sa nuk mund të paramendoni. Mbështjellësi i saj ishte aq mirë i rregulluar dhe sipërfaqja ulëse e saj ishte mjaft e gjerë. Thënë shkurt, u dashurova në atë karrige që në momentin që u ula në të.
Fillova të mendoj rreth bekimeve të kësaj karrigeje aq të mrekullueshme. Pastaj thashë me vete: Nëse kjo karrige është në gjendje të më japë kaq kënaqësi, atëherë si është puna me gjërat tjera që i kam konsideruar si dhurata?! Besoj se janë edhe një milion gjëra tjera, për të cilat nuk e kam falënderuar Allahun e Lartësuar.Mendo për këtë gjë!
Nga arsyeja se prej 114 kaptinave të Librit Hyjnor, një kaptinë na shtyn të mendojmë në këtë gjë:
“Ai edhe tokën e bëri të shtrirë për krijesat. Në të ka pemë të llojllojta, ka edhe hurma me shporta të mbështjella. Edhe drithi me kashtën e tij dhe bimët aromatike. O ju njerëz, dhe o ju xhinë, cilën të mirë të Zotit ju po e mohoni?!” (Rrahman, 10-13).
Cilën të mirë të Zotit tim jam duke e mohuar?
Të mendojmë pak…, për ajrin që e thithim, për aromën e barit të prerë, për të qeshurën e padjallëzuar të fëmijëve, për ngjyrën e gjelbër të diellit, për ndjenjën e mrekullueshme të erës kur ajo më bie në fytyrë, për qetësinë e orëve të mesnatës, për plasaritjen e fytyrës së njerëzve të quajtur si buzëqeshje, shijen misterioze të kremit të vaniljes, për britmat e fëmijës së uritur…
Vallë, këto gjëra, a nuk sjellin kënaqësi në jetë? Me siguri je futur në mendime tani?! Se si mund që britma e fëmijës të jetë bekim? Ja që sipas këndvështrimit ajo është e tillë, pasi që, kur fëmija është i uritur, ai do të qajë, kështu duke kërkuar kujdesin prej nënës së tij. Ky akt, në mënyrë indirekte, simbolizon, dashuri dhe varësi. E pjesa më e mirë është kur nëna i përgjigjet kësaj kërkese dhe i afrohet fëmijës së saj dhe e ushqen atë, me një buzëqeshje të bukur e që gjithashtu i shton disa fjalë të ëmbla si: “O engjëlli im i ëmbël, nëna është këtu, mos u brengos, je i uritur, ë? Nëna bëri këtë ëmbëlsirë të shijshme për ty.
Tani, vallë, a nuk është kjo bekim??? Të dëgjosh këtë gjuhë të ëmbël mes nënës dhe të voglit të saj. Vallë, a mos tani u shfaq një shkëndijë buzëqeshjeje në fytyrën tënde?
“Mandej do t’ju sillem atyre nga para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të të falënderohen!” ( A’rafë, 17).
Ky ajet, pikërisht, na përket neve, pasi që, kemi harruar t’i gjejmë bekimet duke filluar qysh prej gjërave të vogla kah të mëdhatë. Vetëm në ato raste kur humbim diçka, atëherë, vërejmë se ajo që dikur e kemi pasur, vërtet ka qenë një bekim prej Allahut. Vallë, a nuk duhet ta falënderojmë Atë për ato që na ka dhënë? Allahu në Librin e Tij thotë:
“Pra, Më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim). Më falënderoni e mos Më mohoni!” (Bekare, 152).
Ky ajet na tërheq vërejtjen që gjithmonë të jemi falënderues, e jo përbuzës. Një njeri që është falënderues, është edhe mirënjohës, apo jo?! Të jesh falënderues do të thotë të falënderosh për gjëra të caktuara që i kemi marrë prej Allahut, por të jesh mirënjohës ndaj Tij është diçka më shumë se të shprehurit me fjalë dhe është një ndjenjë më e madhe e mirënjohjes. Mirënjohja, pra, është dëshira e zjarrtë për ta falënderuar dikë. Ajo (mirënjohja) nuk përmban vetëm lëvizjen e buzëve, por këtu futen edhe ndjenjat e zemrës dhe shpirtit. Të paktën kështu thotë fjalori.
Ki parasysh tash një shembull praktik, kur dikush thotë “të faleminderit që më ndihmove ta kryej këtë punë” dhe “të jam mirënjohës që më ndihmove ta kryej këtë punë”, ose shembulli tjetër “e falënderoj Allahun që më dha një fëmijë” dhe “i jam mirënjohës Allahut që më dha një fëmijë”? Vallë, a mund të themi se është e njëjtë? Prapëseprapë, Allahu e di më së miri!
Lexoja një ditë për një vëlla të sëmurë që ishte i vendosur në spital. Ky vëlla kishte një infeksion në stomak, i cili shkaktoi një farë shpërthimi brenda stomakut të tij. Si rezultat i kësaj, mjekët u detyruan t’ia largojnë gjysmën e stomakut të tij përmes një operacioni. Për shtatë ditë të tëra, ai nuk kishte mundësi të hajë e të pijë. Familja dhe shokët e tij i thoshin që të jetë i durueshëm dhe t’i lutet Zotit që ta shërojë. Një ditë ai tha: “nëse dëshira e Allahut është që ne të mos hamë as një kokërr të orizit, kurrë nuk do të kishim pasur mundësi ta bëjmë atë”.
Subhanallah! Sa fjalë me vend!
Bëhu falënderues për të gjitha bekimet që Ai na i ka dhënë! Bëhu gjithashtu mirënjohës për gjithë atë që e ke! Të fillojmë e të mendojmë për të mirat që na i ka dhënë Allahu, para se të bëhet vonë! Pra, të bëjmë ashtu si na ka porositur Ai: Përkujtomëni dhe ju përkujtoj! Sa për tash, unë falënderoj Allahun që ma ka dhënë aftësinë e të lexuarit dhe të shkruarit, përndryshe, nuk do të kisha qenë në gjendje për t‘jua treguar këto fjalë. ELHAMDULILAH!!!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here