Talenti për muzikë a është dhuratë nga Allahu?

Talenti për muzikë a është dhuratë nga Allahu?

Pyetje: Hoxhë i nderuar. Kam qenë kompozitor i muzikës një kohë të gjatë deri sa ma mundësoi Allahu të largohem nga ky mëkat Elhamdulilah. Pyetja ime është: edhe talenti vjen nga Allahu, në këtë rastin e muzikës mos vallë ma ka dhënë mua talentin për kompozitor si një sprovë apo si është mendimi juaj? Allahu ju ruajtë dhe na bashkoftë në xhenetul Firdaus afër Muhamedit, alejhi salatu ue selam!
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe mëshira qoftë mbi Muhamedin, familjen dhe ndjekësit e tij…
Është lajm i gëzueshëm kur dëgjon për guximin e njerëzve sikur ju, që marrin hapin të largohen nga gjërat që Allahu nuk i do dhe nuk vazhdojnë me haram duke u arsyetuar se ajo është puna e tyre, nëpërmjet saj fitojnë riskun, çfarë do të bëjnë nëse largohen nga muzika etj. Ju sigurisht keni bindje të thellë në fjalët e Allahut: “Kush i ka frikë Allahut, Ai i jep atij rrugëdalje dhe e furnizon prej nga nuk e kujton”; si dhe në fjalët e Profetit, alejhi salatu ue selam: “Kush braktisë diçka për hir të Allahut, Ai ia zëvendëson me diçka më të mirë”.
S’ka dyshim se çdo mirësi, aftësi dhe talent që kemi është dhuratë nga Allahu, por njëherit sprovë sesi do ta shfrytëzojmë atë dhuratë. Pasuria është dhuratë por njëri e përdorë për të bërë mirë e tjetri për tu bërë mendjemadh; trimëria është dhuratë por njëri e përdorë për të ndihmuar të dobëtit e tjetri për t’i shkelë të dobëtit; bukuria është dhuratë por njëri e përdorë për t’iu afruar niqahut të vet e tjetri për të shkelur nderin e vet dhe nderin e të tjerëve… e kështu me radhë.
Gjithashtu edhe talenti për të kompozuar melodi është dhuratë nga Allahu, dhe pikërisht për këtë duhet të na vijë turp që dhuratën e Allahut ta shfrytëzojmë për t’i kundërshtuar fjalët e Allahut. Atë talent mund ta shfrytëzosh për të krijuar melodi të teksteve që ta kujtojnë Allahun, veprat e mira, bamirësinë ndaj njerëzve, xhenetin, xhehenemin etj. Por, duke pasur parasysh që asnjëherë të mos përdoren instrumente muzikore, ngase ato janë të ndaluara rreptësisht siç e paskeni kuptuar.