Si ta ndërtosh një shtëpi në Xhenet ??!!

0
236

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) thotë: “Nuk ka asnjë rob që i fal çdo ditë dymbëdhjet rekate sunet, përveç farzeve e që Allahu nuk ia ndërton një shtepi në xhenet.” (Transmeton Muslimi)
Cilat janë këto dymbëdhjetë rekate sunete
Dy rekate të sabahut, katër rekate para drakës dhe dy pas saj, dy rekate pas akshamit dhe dy rekate pas jacisë. Në vazhdim do të sjellim hadithe që kanë të bëjnë me vlerën e këtyre dymbëdhjetë rekateve.
Suneti i sabahut
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) thotë: “Dy rekate të sabahut (sunetet) janë më me vlerë se kjo botë dhe çfarë ka në të” (Transmeton Muslimi)
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) nuk ishte më i përpiktë në asnjë nga namazet sunete se sa dy rekatet (sunetet) e sabahut” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Sunetet e drekës, akshamit dhe jacisë
Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) i falte në shtëpinë time para drekës (farzit) katër rekate, pastaj dilte (në xhami) dhe ua falte njerëzve drekën, pastaj kthehej në shtëpi dhe falte dy rekate.
Gjithashtu, falte (në xhami) me njerëzit akshamin, pastaj kthehej në shtëpi dhe falte dy rekate. Falte farzin e jacisë me njerëzit, pastaj hynte në shtëpi dhe falte dy rekate.” (Transmeton Muslimi)
Sunetet e xhumasë
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) thotë: “Kur dikush nga ju e fal xhumanë (farzin) le t’i falë pas saj katër rekate.” (Transmeton Muslimi)
Kurse nga Abdullah ibën Umeri transmetohet se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) nuk u falte në xhami pas (farzit) të xhumasë, e pasi shkonte në shtëpi falte dy rekate. (Transmeton Muslimi)
Nëse dëshirojmë të falim më shumë sunete gjatë ditës
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) thotë: “Allahu e mëshiroftë atë person që i fal katër rekate para (farzit) të ikindisë.” (Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Gjithashtu thotë: “Ai i cili i përmbahet faljes së katër rekateve sunet para drekës dhe katër rekateve pas saj, Allahu do t’ia bëjë atij të ndaluar hyrjen në zjarr.”(Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu)
Gjithashtu thotë: “Ndërmjet dy ezaneve ka namaz, ndërmjet dy ezaneve ka namaz dhe herën e tretë tha: ndërmjet dy ezaneve ka namaz për atë që dëshiron të falë.” (Buhariu dhe Muslimi). Qëllimi ndërmjet dy ezaneve në hadith është ndërmjet ezanit dhe ikametit.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mi të!) thotë: “O Bilal, më trego për veprën që e ke bërë në Islam më me shpresë tek Allahu i Lartësuar për shkak se kam dëgjuar trokitjet e sandaleve të tua afër meje ne xhenet. Bilali thotë: Nuk e kam bërë ndonjë punë më me shpresë përveç se nuk jam pastruar (gusul) asnjëherë gjatë ditës apo natës e që nuk kam falur me atë gusul namaz.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here