Ai është Umer ibën el Hattab ibën Nufeil ibën Abdul Izza ibën Rabah nga fisi Beni Adij ibën Kab, një nga fiset kurejshite. Prejardhja e tij takohet me Pejgamberin sal-lAlahu alejhi ve sel-lem te gjyshi i shtatë, Kab ibën Lueji. Ishte prej parisë së kurejshëve dhe zotëri i nderuar. Ai pajtonte dhe shuante grindjet te kurejshët kur ata luftonin me njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë ishte ambasador i kurejshëve kur hapnin luftë me të tjerët. Quhet edhe me emrin Ebu Hafsa ose me pseudonimin “el Faruk”, me të cilin e emërtoi Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.
Ai lindi trembëdhjetë vite pas vitit të elefantit. Ishte i ashpër dhe i egër ndaj muslimanëve, por si rezultat i lutjes së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për të, ai e pranoi Islamin në vitin e gjashtë të shpalljes, në moshën 33-vjeçare, kur i kishin paraprirë në Islam dyzet burra.
Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të ishte i fortë, autoritar, i pashëm, me personalitet dhe para se ta pranonte Islamin sillej shumë keq me muslimanët. Seid ibën Zejdi (djali i xhaxhait të Umerit) thotë: “Vallahi, Umeri është ai i cili më ka lidhur për shkak se kisha pranuar Islamin.” Pra, kështu vepronte Umeri që t’i largonte muslimanët nga feja e tyre, por ashpërsia e tij e jashtme fshihte në vetvete mëshirë dhe butësi. Umu Abdullah bintu Hathemeh (e cila ishte prej emigrantëve të Etiopisë), thotë: “Po bëheshim gati për të emigruar drejt Etiopisë, ndërkohë që po prisja burrin tim, Amirin, i cili doli për të mbledhur ca gjëra për ne, kur vjen Umeri, i cili në atë kohë ishte armik dhe lëndues ndaj nesh dhe thotë: “A do niseni oj Umu Abdullah?” Thashë: “Po, vallahi, do emigrojmë në token e Allahut, pasi na lënduat dhe munduat, derisa Allahu të na japë rrugëzgjidhje.” Tha: “Allahu qoftë me ju!” Umu Abdullahu tha: “Aty vura re dhembshuri që nuk e kisha parë ndonjëherë tek ai. Më pas ai u largua dhe m’u duk i prekur nga largimi ynë. Pas pak kthehet i shoqi, Amiri, dhe ajo i thotë: “O Ebu Abdullah, sikur ta shihje Umerin pak më parë, i dhembshur dhe i mërzitur për ne që po largohemi.” Tha: “Duket sikur lakmon të bëhet musliman?” Thashë: “Po.” Tha: “Ai nuk do ta pranojë Islamin pa pranuar më parë Islamin gomari i Hattabit.” Ajo tha: “E tha këtë nga mungesa e shpresës për shkak të ashpërsisë që ai shfaqte.”
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem vazhdimisht lutej për Umerin që ta pranonte Islamin. Transmeton Ibën Umeri radijallahu anhuma, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thoshte: “O Allah, përforcoje Islamin me atë që është më i dashur te Ti prej këtyre dy personave: Ebu Xhehlin ose Umer ibën el Hattabin.” Tha: “Dhe ishte më i dashur Umeri.”[1] Një ditë prej ditësh, Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të u drejtua për te shtëpia ku mblidhej Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem me shokët e tij. Te dera e shtëpisë qëndronte njëri nga sahabët, që të ruante. Kur e pa Umerin duke ardhur me shpatë në dorë, i tregoi Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Disa nga sahabët u frikësuan. Hamzai u afrua te dera dhe tha: “Nëse ka ardhur që të bëhet musliman, kjo është më e mirë për të, ndërsa nëse ka ardhur për diçka tjetër, vallahi do ta vras me shpatën e tij.” Kur Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të deshi të hynte në shtëpi, doli Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem te dera, e largoi Hamzanë dhe kur hyri Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e kapi atë dhe e shkundi fort, derisa ia nxorri të gjithë shejtanët dhe i tha: “Ose do të pranosh Islamin tani o i biri i Hattabit, ose Allahu i Madhërishëm do të lëshojë mbi ty fatkeqësi (shkatërrim)!” Kështu, pra, Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të e pranoi Islamin, u plotësua duaja e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe filluan të faleshin muslimanët në Qabe, gjë e cila nuk ishte e mundur më parë. Kjo gjë ndodhi menjëherë pas emigrimit të parë në Etiopi. Ibën Mesudi Allahu qoftë i kënaqur me të thotë: “Pasi Umeri e pranoi Islamin, kemi qenë gjithnjë krenarë. Para kësaj nuk mund të faleshim në Qabe, derisa Umeri e pranoi Islamin dhe luftoi me kurejshët që të na lejonin të faleshim atje. Me të vërtetë pranimi i Islamit nga ana e Umerit ishte fitore (çlirim) për ne.”[2]
Revista “KËSHILLA”
___________________________________________________________________
[1] Transmeton Tirmidhiu nr.3681 dhe e ka saktësuar Albani në Sahihu Suneni Tirmidhij nr. 2907
[2] Transmeton Buhariu nr 3684