SI BËHET SHEHADETI NË ÇASTET E VDEKJËS?

0
320

Qëndrueshmëria në çastet e vdekjes

Jobesimtarët dhe mëkatarët privohen nga të qenët i qëndrueshëm në çastet më të rënda, kështu që nuk mund ta shqiptojnë shehadetin në çastet e vdekjes, gjë që është prej shenjave të përfundimit të keq. Një njeriu në çastet e vdekjes i qe thënë: Thuaj “La ilahe il-lallah”, kurse ai kishte kthyer kokën djathtas e majtas duke mos pranuar të bëjë një gjë të tillë. Ndërkaq, një tjetër në çastet e vdekjes kishte thënë: “Kjo cohë është e mirë e kjo tjetra e lirë.” Vijuesi kishte përmendur figurat e shahut, tjetri melodinë a tekstin e një kënge. Ka edhe të atillë që përmendin emra dashnoresh.
Kjo ndodh ngase pikërisht këto gjëra janë ato që i kanë shmangur nga kujtimi i Allahut në këtë botë.
Kur janë duke dhënë shpirt, te të këtillët mund të vëresh nxirje në fytyrë, erë të keqe ose kthim në anën e kundërt të kibles. S’ka ndryshim gjendjeje e as fuqi pa lejen e Allahut.
Ndërkaq, të devotshmit, përkatësisht ndjekësit e Sunetit, Allahu do t’i përforcojë në çastet e vdekjes, kështu që ata do ta shqiptojnë shehadetin.
Te këta mund të vëresh shndritje në fytyrë, erë të këndshme ose ndonjë shenjë tjetër përgëzuese gjatë dorëzimit të shpirtit.
Në vijim po sjellim shembullin e njërit prej dijetarëve më të mëdhenj të hadithit, të cilin Allahu e kishte forcuar në çastet e vdekjes, Ebu Zura er Razin.
Ebu Xhafer Muhamed ibn Aliu, shkruesi i Ebu Zurait, tregon:
“Vajtëm tek Ebu Zurai në Mashehran, fshat i Rrijit, në çastet e fundit të jetës së tij. Aty qenë Ebu Hatimi, Ibn Uara, Mundhir ibn Shadhani e të tjerë.
Atyre iu kujtua hadithi, në të cilin thuhet:
“Kujtojani atyre që janë duke vdekur të thonë ‘La ilahe il-lallah’.”
Mirëpo, atyre u vinte turp nga Ebu Zurai t’ia thoshin atë, kështu që thanë: “Ta ‘përsëritim’ hadithin.”
Ibn Uara tha: “Na ka treguar Ebu Asimi, përcjellë nga Abdulhamid ibn Xhaferi, ky nga Salih ibn Ebu…”, por nuk mundi t’i dilte në fund.
Atëherë Ebu Hatimi mori fjalën: “Na ka treguar Bundari, përcjellë nga Ebu Asimi, ky nga Abdulhamid ibn Xhaferi, ky nga Salihu…”, por as ky nuk arriti ta përmbyllë, kurse të tjerët heshtën.
Në këtë rast Ebu Zurai, i cili ishte duke dhënë shpirt, hapi sytë dhe tha: “Na ka treguar Bundari, përcjellë nga Ebu Asimi, ky nga Abdulhamid ibn Xhaferi, ky nga Salih ibn Ebu Garibi, ky nga Kethir ibn Murra, e ky nga Muadh ibn Xhebeli se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem ka thënë:
“Ai, fjala e fundit e të cilit është ‘La ilahe il-lallah’, do të hyjë në Xhenet.”
Menjëherë pas kësaj dha shpirt. Allahu e mëshiroftë!
Për të këtillët Allahu thotë:
﴿إِنَّ ٱلَّذِينَ قَالُواْ رَبُّنَا ٱللَّهُ ثُمَّ ٱسۡتَقَٰمُواْ تَتَنَزَّلُ عَلَيۡهِمُ ٱلۡمَلَٰٓئِكَةُ أَلَّا تَخَافُواْ وَلَا تَحۡزَنُواْ وَأَبۡشِرُواْ بِٱلۡجَنَّةِ ٱلَّتِي كُنتُمۡ تُوعَدُونَ٠﴾
“Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.”
Allahu ynë, të lutemi të na bësh prej tyre!
Allahu ynë, na bëj të qëndrueshëm në këtë fe dhe na jep vendosmëri në udhëzim.
Lutja jonë e fundit është: Lavdërimet e plota i takojnë Allahut, Zotit të botëve.

LIBRI MJETET E QËNDRUSHMËRISË NË FE

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here