Shpirtra të pamposhtur!

0
163

Edhe këtë herë po trokasim me gjysmë frymë në atë portë të bekuar tubimi. Ata janë heronjtë e vërtetë të jetës, që kanë murosur në shpirtrat e tyre dashurinë për përjetësinë. Ata janë që në kohë e pa kohë, kanë vetëm një stinë amshimi në mendje. Rrugës, lulet e harrimit vijnë ndër endje për t’u bërë sërish pranvera ndër ne. Plot si një buqetë margaritarësh përreth vitit, vijmë edhe një herë në atë muaj përkujtimi e shprese; atje ku njeriu përfshihet i tëri në kumtin e jetës dhe të së vërtetës. Frika soset, teksa në prag vjen me bindje e përkushtim, si aromë e pa trazuar e miskut që rrjedh ndër kroje heronjsh të pasosur që ikin drejt përjetësisë.

O ti Qiell i bekuar që ia hoqe ferrën trëndafilit, për të lënë aty vetëm aromën e përmallimit! Ti që na i mbushe shpirtrat kurdoherë me hove rinie, për të na sjellë sërish tek kuptimi Yt, pra tek esenca e vetë jetës! A do të na e bësh të mundur që edhe këtë herë, agjërimi të mos jetë tjetër, vetëm se një shkallë afrimi në tempullin e lumturisë Tënde? Ne jemi në rrugë, për të pritur si gjithnjë dhuratën e bekuar! Të pa pirë, pa e ndjerë se ç’është etja! Të pa ngrënë, pa e ndjerë se ç’është uria! Sepse aty, më në fund, shpirti nuk i përngjason më botës së vdekatarëve, por rrëmbehet si në kubetë e xhamive për të ikur i buzëqeshur nga mjerimi i nepsit. Edhe pak kanë mbetur, për t’u dergjur në atë liqen kaltërsie, ku drita mund errësirën, flladi shkretëtirën, gëzimi dhimbjen. Flakërimi i së vërtetës do të përhapet edhe një herë anë e kënd ashtu sikurse ndodhi në atë agim të mrekulluar të ardhjes së Islamit në tokën e padrejtësive. Ne jemi ata që do të bëjmë lidhjen e pasosur të besimtarëve që kurdoherë në histori, u shfaqën si fenerët për të treguar dritën e udhëtimit të gjatë nëpër natë! Të lidhur, muranë të pamposhtur mbetën të pa cenuar në më të lartin qëllim sublim. E s’ka se si, sepse mësuesi e shtroi rrugën për të ecur në paq nxënësit e tij. Në më e madhja sakrificë qoftë, pa zë, pelegrinët marrin trastat e tyre të shpërblimit, për të vijuar tej drejt botës së premtuar nga më i madhi personalitet që ka ekzistuar në këtë histori.

Agjërimi po afron, si për t’i dhënë edhe një herë mundësinë të gjithë atyre që u harruan nëpër këtë botë të madhe të mbushur me sende të vogla. Ata, njësoj si atletët që presin fishkëllimën, janë të gatshëm të përfshihen në atë “bast”, ku Zoti do të jetë i kënaqur dhe robi do të jetë i shpërblyer. Agimi i hershëm vjen buzagaz, dhe heronjtë si gjithnjë janë ngritur për ta pritur. Janë atje për të përmbushur akrepat e kohës me vetëdijen e plotë se janë duke jetuar. Janë atje për ta drejtuar edhe një herë mendjen e tyre drejt Pikës Qendrore nga ku shpërndahet energjia e tërë universit. Janë atje për të robëruar ditën, jo për të qenë rob i saj. Janë atje për të nisur pelegrinazhin e shpirtit të uruar! S’do të jenë të lodhur nga sakrifica, dhe orët e gjata të ditëve të nxehta, do të jenë si yjet e ndriçuar që hapin rrugën e orientimit. Kush tha se ata u lodhën? Ata u madhëruan si tempuj nëpër korridoret e historisë, teksa lanë pas si me përbuzje dashurinë e mjerë për botën e varfër.

Teksa mbrëmja po afron, dyert e adhurimit hapen krahë më krahë, për të pritur të gjithë ata shërbëtorë të së mirës dhe të së vërtetës. Sepse atje, është Kur’ani, ndriçimi i mendjeve tona. Atje janë minaretë, rruga jonë drejt përjetësisë. Atje është xhamia, tempulli ynë i qetësisë. Atje janë besimtarët, binarët ku mbështeten trupat tanë. Atje është tingulli i paqes, ku thirret për lumturinë. Atje është forca e fjalës, ku shkundet e keqja përgjithnjë. Të gjitha këto, nuk janë tjetër veçse armë për të mundur tërë botën, e për ta tejkaluar atë drejt së nesërmes së bekuar. Të shoqëruara me agjërim, bëhen ndërtesa të fortifikuara për të shkuar tok të qetë gjer në amshim.

Mbrëmja ka rënë pas një dite të gjatë buzëshkrumbuar. Perëndimi nuk është vetëm përkujtim, por pararendësi i një lindjeje që nuk do të ketë kurrë mbarim!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here