Shoku më i mirë është libri

0
570

Shoku më i mirë është libNga shkaqet që sjellin lumturinë është edhe leximi, përsëritja dhe ushqimi i trurit me fryte të dobishme.

Xhahidhi këshillon të lexosh dhe të hulumtosh libra, se leximi i tyre ta dëbon mërzinë: “Libri është një shok që kalon kohën dhe nuk të lëndon, është dashamiri yt që s’të shtyn të bësh keq, e as të bën kryeneç, dëshiron të rrijë me ty gjithmonë e s’të mërzit. Preferon të jetë nxënësi yt e s’të lëshon. Është fqiu yt që nëse i vonohesh nuk habitet; e ke si një shok që nuk përpiqet të të nxjerr brendësinë nëpërmjet lavdërimeve të zbrazura, e as nuk të tradhton. Libri nuk të përgënjeshtron, dhe me gënjeshtra nuk të dredhon.

Libri është ai që kur shikon fletët e tija ta shton kënaqësinë, ta mpreh mendjen, të bën të thjeshtë në të folur, të bën bujar, ta pasuron stilin gjuhësor, ta zgjeron shpirtin dhe mbush gjoksin tënd me dije e njohuri, të dhuron madhërim ndër njerëz. Prej tij mësove brenda një muaji atë që s’do ta kishe mësuar prej gojave të burrave brenda një kohe të gjatë. Libri s’të kërkon në fund rezultat, e as të thotë se e ke lodhur, as pret prej teje fitim të hollash, as nuk të urren, e as nuk të krahason me të pasurit.

Libri është ai i cili të jep natën atë që ta dha ditën, të jep rrugës atë që ta jep kur je në shtëpi, s’kërkon falje që të flejë, është si një dijetar që nëse ndahesh prej tij, ai nuk të tradhton, e nëse e ndërpret leximin nuk ta merr dobinë që ta dha gjatë atij, e nëse ikën prej tij nuk bën sikur s’të njeh. Gjithmonë qëndron i përulur ndaj teje, e nëse lëviz era e armikut tënd, nuk shndërrohet në
kundërshtar.

Kur me të të jesh i lidhur në të gjitha çastet nuk ke nevojë për dikënd tjetër, e nëse librin e ke ndër duar s’do të kesh dëm nga egërsia e vetmisë dhe shoqërisë së keqe. Libri të mbron të mos kthehesh në çështje që s’të interesojnë e as nuk janë për ty, të mbron nga fjalët e këqija, kuptimet e prishura, moralet e ndyra dhe injoranca e sharë.

Dije se më e preferueshmja që të kalon kohën, dhe orët e vonshme të natës është Libri, që po e more në dorë dhe lexove s’të lë asnjë gjurmë të keqe. Nëse përfitove prej tij diçka, as nuk të pakëson mbrojtjen e moralit, as nuk të pengon në përmirësimin e fesë. Ai as nuk të shkakton humbje në pasuri, e as i fshin begatitë që ke. Përkundrazi, të ndreq e s’të prish, kurse të qëndruarit pa punë
ditën dhe të ecurit rrugicave natën të prishin e s’të ndreqin!