Të ushqehemi Hallall
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë.” (el-Bekare: 172)
“Është e ndaluar për ju ngrënia e së ngordhurës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat – përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah.” (el-Maide:3)
“O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!” (el-Maide: 90)
E ndërsa i Dërguari i Allahut “ndaloi çdo egërsirë me dhëmbë copëtues dhe çdo shpend me kthetra.” (Muslimi nr. 1934)
Këto ajete Kuranore dhe ky hadith profetik, janë disa nga argumentet bazë të normativës islame, mbi të cilat mbështet parimi i ushqimit të lejuar ose ndryshe hallall. Nisur nga rëndësia fetare që ka të ushqyerit hallall, Zoti në shpalljen e Tij hyjnore, ku këtu përfshihen edhe fjalët e Profetit, ka sqaruar se çfarë është ushqimi hallall dhe ai haram. Ushqimi hallall, pra i lejuar, përkufizohet në mënyrë të përgjithshme dhe i pakategorizuar, ai është çdo gjë e mirë dhe e dobishme për njerëzit, ndërsa ushqimi haram, pra i ndaluar, përkufizohet nëpërmjet përjashtimit të kategorizuar dhe të specifikuar, si në ajetet dhe hadithin e mësipërm. Kjo sepse, ushqimet e ndaluara janë shumë pak, në dallim me ato të lejuara të cilat janë të panumërta, kështu që për këtë arsye ushqimet haram specifikohen me emra dhe kategori dhe çdo gjë tjetër më pas konsiderohet si hallall. Natyrisht që në të Drejtën Islame, e për rrjedhojë në librat e dijetarëve muslimanë, ka sqarime të hollësishme rreth kësaj teme. Ndërsa këtu ne paraqitëm vetëm disa prej argumenteve kryesore, sa për të treguar rëndësinë që Islami i tregon këtij aspekti shumë të rëndësishëm të jetës njerëzore, madje të domosdoshëm, e që është ushqimi.
Ushqimet pra, në këndvështrimin islam nuk shihen vetëm nga aspekti i tyre shëndetësor, por edhe ai fetar, aspekt ky i cili kërkon mbikëqyrje të vazhdueshme që duhet të respektohet nga prodhuesit e tij. Dihet se myslimani në përgjithësi është i kujdesshëm që ushqimi i tij të jetë hallall, por ai që i hedh një vështrim tregut ushqimor në kohën e sotme dhe realitetit të konsumatorëve myslimanë sheh se shpesh ata hezitojnë për çështjen e ushqimeve të eksportuara nga vendet joislame, e madje edhe nga disa prodhues muslimanë vendas, kjo për shkak të larmisë së burimeve të ndryshme për lëndën e parë që përdoret për prodhimet ushqimore apo edhe për shkak të padijes dhe papërgjegjshmërisë në raste të tjera.
Shumë prej myslimanëve dyshojnë rreth vërtetësisë së fjalëve “hallall” që shtypen dhe ngjiten në produktet e mishit, apo vihen si etiketime nga aktivitet tregtare që ofrojnë këtë shërbim, por edhe në vërtetësinë e certifikatave të therjes sipas mënyrës islame, që ndonjëherë jepen nga njerëz të panjohur, dhe ndonjëherë edhe nga organizma joislame. Një problem tjetër gjithashtu janë edhe përbërësit e këtyre produkteve, a kanë ato burime bimore apo shtazore të lejuar fetarisht. Muslimanit i kërkohet që të jetë i kujdesshëm me ushqimin e tij në mënyrë që ai të mos vijë nga burime të ndalura.
Përcillet nga njëri prej shokëve të Profetit, se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Zjarri do prekë më së pari atë pjesë trupi që është rritur nga harami.” (Tirmidhi)
Përse ushqimi hallall?
Ngrënia e ushqimit të mirë e hallall ka ndikim të madh në pastërtinë e zemrës, në përgjigjen e lutjes dhe pranimin e adhurimit, ashtu siç edhe ngrënia e haramit bëhet pengesë për pranimin e tij. Allahu i Lartësuar thotë për njerëzit e devijuar: “Këta janë të asaj dore të cilët Allahu nuk dëshiron t’ua pastrojë zemrat. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër ka ndëshkim të rëndë. Ata janë dëgjues të gënjeshtrës dhe e hanë me kënaqësi të madhe atë që është e ndaluar.” (el-Maide: 41, 42) Pra atë që është haram. Ai që ushqehet me haram Allahu nuk ka sesi t’ia pastrojë zemrën dhe as nuk do t’i përgjigjet lutjes së tij! Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “O ju njerëz! Allahu është i mirë dhe pranon vetëm të mirën. Allahu i ka urdhëruar besimtarët ashtu siç i ka urdhëruar Profetët, Ai ka thënë: “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira!” (el-Muminun: 51) dhe ka thënë: “O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë” (el-Bekare:172) më pas ai (Profeti) përmendi një njeri që udhëton gjatë, i pluhurosur dhe me flokë të shpupuritur, i cili ngre duart e tij lart drejt qiellit dhe thotë: O Zot! O Zot! Dhe ndërkohë ushqimi i tij është haram dhe pija e tij është haram dhe veshja e tij është haram dhe është ushqyer me haram, e si atëherë do t’i përgjigjet atij për çka lutet?!” (Muslimi)
Allahu i Madhëruar e di gjendjen e krijesave të Tij dhe se për çfarë ata kanë nevojë dhe se çfarë u bën atyre dobi dhe dëm, Ai për këtë i ka shpallur robit dhe të Dërguarit të Tij Muhamed (alejhi salatu ue selam) ligjin islam, që përmban të gjitha të mirat dhe parandalon të gjitha të këqijat. Allahu i ka ndaluar haramet për shkak të dëmit që ato u bëjnë njerëzve. Një prej këtyre harameve është edhe mishi i derrit dhe dhjami i tij, po ashtu mishi i kafshëve që hahen siç janë: pulat, lopët, e dhentë, nëse ato nuk theren sipas kërkesave që përmban ligji islam. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua, asgjë që e ndalon njeriu të hajë çfarë të dojë, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur, mishit të derrit – se këto janë të ndyta – dhe mishit që është therur në emër të tjetërkujt e jo në emër të Allahut.” (el-Enam: 145) Disa prej dijetarëve kanë pohuar se umeti islam është unanim për sa i përket ndalimit të derrit dhe të gjithë pjesëve të tij.
Allahu i ka ndaluar gjërat e këqija për urtësi të mëdha, të cilat i di Ai edhe pse disa prej tyre mund të jenë të panjohura për njerëzit. Nëse njerëzve do tu bëheshin të qarta disa të fshehta dhe urtësi pse Allahu i ka ndaluar disa gjëra, nuk kishin për të hezituar t’i përmbaheshin vetëm ushqimit hallall, e ajo që nuk dinë njerëzit është më e madhe. P.sh, arsyeja pse Allahu e ka ndaluar derrin – e Zoti e di më së miri- është ndyrësia e tij, dëmi dhe sëmundjet fizike e shpirtërore që lë te njeriu, kjo sepse ushqimi i tij i preferuar janë ndyrësirat dhe papastërtitë. Ai është i dëmshëm dhe i ndaluar në çdo vend dhe në çdo kohë, pa dallim. Ngrënia e mishit të derrit p.sh. shkakton marrjen e të vetmit krimb vrasës që është “trichinosis”. Po kështu dëme të ngjashme mund të përmenden edhe për konsumin e kafshëve të ngordhura, për pijet dehëse etj. Ajo çka është e rëndësishme në këtë mes është se një musliman, për të merituar këtë emër që ka, duhet t’i përulet Zotit të tij dhe përulja përmbushet kur ai respekton me të gjitha mundësitë njerzore urdhëresat dhe ndalesat e Islamit, mes tyre edhe ato që kanë të bëjnë me ushqimin.
Nisur nga kjo rëndësi që paraqet ushqimi hallall dhe me dëshirën e mirë për ta vënë sa të jetë e mundur në shinat e duhura procesin e prodhimit dhe deklarimit të ushqimit hallall, e për të siguruar sa më shumë të jetë e mundur konsumatorin musliman për këtë shërbim, Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë (LHSH) duke u mbështetur në standarde ndërkombëtare të certifikimit hallall ka përpunuar një standard të tillë për tu zbatuar në Republikën e Shqipërisë. Për realizimin e këtij procesi në mënyrë sa më cilësore LHSH ka lidhur bashkëpunim me Albinspekt, një trup kontrolli kjo që ofron shërbime për Standardin Organik të Bashkimit Europian dhe e Akredituar nga Drejtoria Gjermane e Akreditimit.
Përse certifikimi hallall?
Përfitimet e konsumatorëve:
Garanci;
Siguri;
Kontroll;
Përfitimet e Kompanive prodhuese dhe përpunuese:
Shtim i vlerës së produktit;
Kënaqësia e klientit;
Përmirësimi i imazhit;
Diferencimi në treg;
Mbrojtje nga abuzimet dhe falsifikimet;
Besueshmëri.
Përgatiti
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë