Shikimi i Allahut të Madhëruar në ahiret?

Shikimi i Allahut të Madhëruar në ahiret?

Shikimi i Allahut të Lartëmadhëruar në ahiret është një nga meselet e rëndësishme në akide, ku njerëzit në këtë çështje kanë rënë në shumë medhhebe për pranimin apo mohimin e saj, kurse dijetarët e ehlu Sunnetit dhe xhematit e pranojnë se: besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në xhenet, pra në botën tjetër, ja dhe disa nga fjalët e tyre:

1 – Ebu Bekër es-Sidiku dhe Hudhejfe ibn Jemani kanë thënë për fjalën e Allahut: “Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (Xhenneti) edhe më tepër (e shohin Allahun)”[1]. Mirësia është xheneti, shtimi është shikimi në fytyrën e Allahut[2].

2 – Hasen el–Basriu-Allahu e mëshiroftë, për fjalën e Allahut: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë”[3]. Thotë: Të shëndritshme të mira, të cilat i ka zbukuruar duke shikuar në fytyren e Zotit të tyre të Lartëmadhëruar , e meritojnë të shëndrisin si dhe e shikojnë Zotin e tyre të Madhëruar.[4]

3 – Imam iben Huzejme-Allahu e mëshiroftë, në librin e tij e cek një kapitull me tekst: Kapitulli: shpjegimi se shikimi i Allahut është specifik me të cilën veçohen të dashurit (eulijat) e Allahut në ditën e kijametit. – Pastaj thotë: Këtë mirësi e fitojnë të dashurit e Allahut nga besimtarët, ndërsa të gjithë armiqtë e Tij privohen nga shikimi në Allahun fuqiplotë qofshin ata mushrik, jehudi, të krishter, mutenamis[5], munafikët, siç kuptohet nga fjala e Allahut: “Jo dhe Jo! Atë ditë do të jenë të penguar prej (ta shohin) Zotit të tyre“[6]. Ndërsa të dashurit e Allahut e shikojnë Krijuesin e tyre të Gjithëlartësuar, pasi që banorët e xhenetit të hyn në xhenet dhe banorët e xhehenemit hyn në xhenehem. Kështu që Allahu besimtarët i nderon me mirësi prej më të mirave me bujarin dhe fisnikërin e Tij , duke ua mundësuar besimtarëve ta shikojnë Atë, ndërsa armiqtë e Tij i privon nga kjo mirësi[7].

Ehlu Sunneti dhe xhemati janë argumentuar gjithashtu për faktin se besimtarët do ta shikojnë Zotin e tyre ditën e kijametit me argumente sheriatike dhe logjike:

Nga sheriati:

Janë argumentuar me argumente nga Kurani prej tyre:

A – Fjala e Allahut: “E kur Musai erdhi në kohën që i caktuam dhe i foli Zoti i vet, ai tha: Zoti im! Më mundëso pamjen tënde e të shikoj! – Ai (Zoti) i tha: Ti nuk ke mundësi të më shohësh, por shiko kodrën, e nëse ajo qëndron në vendin e vet, ti do të më shohësh Mua. Kur u drejtua kah kodra, një pjesë e dritës nga Zoti i tij e bëri atë (kodrën) thërmi, e Musaut i ra të fikët. Kur erdhi në vete, tha: E lartë është madhëria Yte, pendohem te Ti (për atë që kërkova), dhe unë jam i pari i besimtarëve!”[8] Nga ky ajet konkludojmë se sikur shikimi në Allahun të ishte i pamundshëm nuk do të kishte kërkuar Musau-paqa e Allahut qoftë mbi të, sepse do ta dinte se një gjë e tillë është e pamundshme ose nuk e ka ditur një gjë të tillë, sikur ta dinte, i mençuri nuk e kërkon të pamundshmen, poqëse nuk e ka ditur, i padituri nuk mund të jetë njeri që i flet Allahu, gjithashtu Allahu nuk e qortoi Musaun-paqa e Allahut qoftë mbi të, e as që i tha: Nuk lejohet të më shohësh Mua e as se Unë nuk shihem[9].

B – Fjala e Allahut: “Të parët (e njerëzve) nuk mund ta përfshinë Atë, e Ai i përfshinë të parët. Ai është shumë i kujdesshëm, hollësisht i njohur”.[10] Nga ajeti nxiret argumenti se sikur shikimi i Allahut të ishte diçka e pamundshme Allahu nuk do te jepte lëvdata me fjalet e Tij “asnjë parashikim nuk mund ta kapë atë”, kjo tregon se është e lejuar shikimi i Tij, ngase ana mohuese në ajet është parashikimi, i cili është i pamundshëm për njeriun, e jo shikimi i Allahut

C – Fjala e Allahut: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë”[11]. Këto ajete shumica e sehabëve dhe tabiinëve i kanë komentuar se mirësia është xheneti, ndërsa shtimi është shikimi në Allahun Fuqiplotë siç u cek me parë.

Poashtu janë argumentuar edhe me këto hadidhe të sakta për shikimin e Allahut në ahiret si do ti cekim ne vijim:

A – Hadidhi i Ebu Hurejres-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili përcjell se disa njerëz thanë: o Dërguari i Allahut a do ta shohim Zotin tonë në ditën e kijametit ? – I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, tha: “A shtyheni për ta parë hënën 14 – dhjetshe?” – Thane: Jo o i Dërguari i Allahut? – Tha: “A shtyheni për ta pa diellin kur nuk ka mjegulla?” – Thanë: Jo o i Dërguari i Alahut. – Tha: “Ju do ta shihni Zotin tuaj ashtu (qartazi )”[12].

B – Hadithi i Xherir ibn Abdullah el–Bexheliut -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: Njëherë ishim duke ndejtur me të Dërguarin e Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kur ai shikoi në hënën, në natën e katërmbëdhjet dhe tha: “Ju do ta shihni Zotin tuaj një nga një, sikur e shihni këtë, nuk keni nevojë të shtyheni në shikimin e Tij, poqëse keni mundësi të mos e leni namazin i cili është para lindjes së diellit dhe para perendimit të tij, veproni kështu”[13].

C – Hadithi i Suhejb ibn Rumit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur të hyn banorët e xhenetitnë xhenet, Allahu i Lartësuar do të thotë: A doni t’ju jap diçka tjetër ma tepër? – Thonë ata: O Zot na i zbardhove fytyrat tona, na fute në xhenet, na shpëtove nga zjarri. – Thotë: Atëherë Allahu e largon perden e Tij, nuk ju jepet atyre diçka më të dashur për ta se sa shikimi në Zotin e tyre të Madhëruar”[14]. Argumentimi me këtë hadith është i qartë e si pasojë nuk ka nevojë për sqarim.

Nga ana logjike:

Argumentimi për shiqimin e Zotit nga ana logjike:

– Edhe pse shumica e dijetarëve mendojnë se për çështjen e shikimit të Allahut duhet kuptuar vetëm përmes argumenteve sheriatike, ngase vetë Allahu i Lartësuar tregon për veten e Tij, Ai do të shihet në ditën e kijametit, Ai e din më së miri çfarë lejohet për veten e Tij, po ashtu i Dërguari i Tij është njeriu që më së miri e njeh Zotin e tij si dhe e din çfarë lejohet për Allahun dhe çfarë ndalohet të flitet për të, vetëm se argumentimi logjik e forcon argumentin sheriatik. Për këtë arsye do ti cek disa argumente logjike, të cilat i kanë cekur dijetarët, prej tyre:

a) Argumenti egzistencial – Egzistenca e Allahut është argument i lejimit të shikimit të Tij, ngase ajo çfarë është e ndaluar të shihet është paegzistuesja.
Ebul–Hasen el–Eshariu-Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ajo e cila e argumenton se Allahu shihet me shikim është se çdo gjë që ekziston është valide të shihet, mirëpo nuk lejohet të shihet ajo që nuk egziston, përderisa Allahu egziston prerazi, nuk është e pamundshme që ai të na e shfaq neve Veten e tij”[15].

b) Po ashtu argument aludues për shikimin e Allahut me sy është se: Allahu i Lartësuar i sheh gjërat, andaj kur dikush është shikues i gjërave, sepse nuk mundet ti sheh gjërat Ai i cili nuk e tregon veten e Tij, përderisa Ai është shiques i gjërave, atëherë është normale të na e mundëson neve ta shohim atë”[16].

Përgaditi: Nexhat Ceka

[1] Junus:26.

[2] “Kitabu suneh”, Abdulla ibn Ahmed: 471.

[3] Kijame:22-23.

[4] “Kitabu suneh” Abdulla ibn Ahmed fq. 479.

[5] Autori i “Lisanit” thotë: “el–Namsu” është devijimi, shkatërimi, sherri ndërsa “el–Humasu” janë kurejshitët, ngase ata ishin kryefortë në fenë e tyre, ndërsa “ahmes” është ekstremisti i vetes së tij ne fe. “Lisanul – arab”, Ibn Mendhur 6/57, Ibn Huzejmeja me “mutehamis” i ka për qellim ibadijtë nga havarixhët të cilët e mohojnë shikimin e Allahut në ahiret.

[6] Mutafifin:15

[7] “Teuhid” Ibn Huzejme fq. 180.

[8] Araf:143

[9] Shiko “Hadij el–ervah” Ibn Kajim fq. 223.

[10] Enam: 103

[11] Kijame:22-23.

[12] Transmeton Buhariu nr. 4737 Muslimi nr. 182

[13] Transmeton Buhariu nr. 7434

[14] Transmeton Muslimi nr. 181

[15] “El–ibane fi usuli dijaneh”, Ebul–Hasen el–Esharij fq.16.

[16] Po aty fq 16.