Me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkate

0
532

Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy) transmetojnë nga Profeti (a.s), se ai ka thënë: “Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cënim apo trishtim, madje qoftë edhe një gjemb që e sëmbon, me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkatet.”[1]
Shpjegimi i hadithit:
Ky hadith profetik flet për durimin, që është arma e besimtarit, nëpërmjet të cilit ai i bën ballë vështirësive dhe pengesave të ndryshme që has gjatë jetës. Fjalët e përdorura janë të shkurtra, por mjaft kuptimplote, sepse të gjithë këto gjëra mund t’i ndodhin besimtarit në jetë. Në këtë hadith Profeti (a.s) thotë: “Gjithçka që e godet muslimanin” dhe nuk thotë: “Gjithçka që e godet njeriun” sepse vetëm muslimani është ai, i cili bën durim dhe kërkon shpërblim tek Allahu, kur i bie një sprovë.
Njeriu në këtë botë nuk mund të jetë gjithmonë i lumtur. Përkundrazi një ditë është i gëzuar dhe një ditë tjetër është i hidhëruar. Një ditë i vjen diçka dhe një ditë tjetër jo. Ai do të përballet me probleme shpirtërore, fizike, familjare dhe shoqërore. Madje, sprovat me të cilat ai përballet, nuk mund të numërohen. Megjithatë, për besimtarin e gjithë çështja e tij është e mirë, sepse nëse atë e godet ndonjë gjë e keqe, ai bën durim dhe kjo është një e mirë. Gjithashtu edhe nëse i vjen ndonjë e mirë, ai falenderon Allahun dhe kjo është përsëri diçka e mirë për të.
Nëse besimtarin e godet ndonjë e keqe, ai nuk duhet të mendojë se ajo që e ka goditur, qoftë edhe një gjemb, do të kalojë pa u vënë re. Përkundrazi ajo ka për t’u zëvendësuar me një të mirë dhe mëkatet do t’i shlyhen, ashtu siç bien gjethet nga pema. Nuk ka dyshim, se kjo është prej mirësisë së Allahut ndaj robërve të Tij.
Në fakt, sprova që i bie besimtarit ka dy anë të medaljes:
1 – Ngandonjëherë, kur atij i bie ndonjë fatkeqësi, shpreson shpërblim për atë që i ka rënë dhe nga kjo ka dy përfitime: pastrohet prej mëkateve dhe i shtohen veprat e mira.
2 – Ngandonjëherë tjetër, kur atij i bie një fatkeqësi, ai dëshpërohet, mërzitet etj dhe nuk mendon, se nëse ai bën durim, do të shpërblehet nga Allahu. Në këtë rast atij i shlyen vetëm mëkatet.
Pra në të dyja rastet ai është i fituar. Ose fiton vetëm shlyerjen e mëkateve pa marrë shpërblim, sepse ai nuk ka bërë nijet, nuk ka bërë durim dhe as nuk ka shpresuar shpërblim, ose do të fitojë dy gjëra: shlyerjen e mëkateve dhe shpërblimin nga Allahu i Lartësuar.
Prandaj kur besimtari shpohet qoftë edhe nga një gjemb, ai duhet të shpresojë shpërblimin nga Allahu për këtë gjë, në mënyrë të atillë që të shpërblehet dhe të pastrohet prej mëkateve.
Mësimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Prej metodave efikase të thirrjes është dhënia e sihariqit të mirë.
2 – Vlera e durimit dhe kërkimi i shpërblimit.
3 – Sprovat janë shlyerje mëkatesh.
4 – Lehtësimi i dhimbjes së tjetrit.

1 – Prej metodave efikase të thirrjes është dhënia e sihariqit të mirë:
Dhënia e sihariqit të mirë është një prej metodave efikase të thirrjes. Këtë metodë e ka vepruar edhe Profeti (a.s) në këtë hadith, duke e përgëzuar myslimanin, se nëse atë e godet ndonjë gjë e papëlqyeshme dhe ai bën durim, atëherë atij do t`i shlyen mëkatet.
Dhënia e sihariqit të mirë ka qenë një element i domosdoshëm i thirrjes së Profetit (a.s). Allahu i Lartësuar thotë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues”[2] Pra Profeti (a.s) i përgëzon besimtarët dhe ata që i binden urdhrave të Allahut, se ata do të jenë prej të shpëtuarve në botën tjetër. Në këtë kontekst kuranor, fjala “sjellës të lajmit të mirë” është përdorur përpara fjalës “paralajmërues”, sepse në shumicën e rasteve Profeti (a.s) ka sjellë lajme të mira, pasi ai (a.s) është dërguar si mëshirë për botërat dhe numri i besimtarëve nga ymeti i tij është tepër i madh.
Imam Es Sa’di duke komentuar ajetet kuranore: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe.”[3] thotë: “Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Profetin Muhamed (a.s) me pesë cilësi, që janë thelbi dhe esenca e mesazhit të tij. Këto pesë cilësi janë:
1: Dëshmitar: dëshmitar për ymetin e tij për atë që kanë vepruar, qoftë e mirë apo e keqe. Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.” “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të sjellin ty (o Muhamed) për dëshmitarë mbi të gjithë ata?!”[4] Ai (a.s.) është dëshmitar i drejtë dhe fjala e tij është e pranueshme.
2-3: Sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues: Ai (a.s) u sjell lajme të mira besimtarëve dhe njerëzve të devotshëm, të cilët besojnë, bëjnë vepra të mira, dhe braktisin mëkatet. Lajmi i mirë është për ta në jetën e kësaj bote, se ata do të shpërblehen me të mira në këtë botë dhe në fenë e tyre për shkak të besimit dhe devotshmërisë së tyre. Ndërsa në botën tjetër ata do të shpërblehen me Xhenet, ku do të jetojnë përjetësisht të kënaqur në të. E gjitha kjo kërkon që të shtjellohet me imtësi, se cilat janë veprat e mira, veçoritë dalluese të devotshmërisë dhe llojet e shpërblimit.
Ndërsa ata, të cilët paralajmërohen, janë keqbërësit dhe të ligjtë. Ata paralajmërohen, se do të kenë ndëshkime në këtë botë dhe në fenë e tyre, për shkak të ligësisë dhe injorancës së tyre. Ndërsa në botën tjetër do të ndëshkohen me dënin të dhembshëm e të gjatë.
4 – Thirrës: që do të thotë se Allahu e ka dërguar atë, që t’i thërrasë njerëzit për të besuar Zotin e tyre, t’i bëjë ata që ta dëshirojnë me gjithë shpirt bujarinë e Tij si dhe t’i urdhërojë ata, që ta adhurojnë Atë. Që profeti (a.s) ta bëjë këtë gjë, në rradhë të parë duhet ta veprojë vetë atë, për të cilën i thërret ata. Ai (a.s) duhet t’ua shpjegojë atyre shumë qartë atë gjë, për të cilën i thërret, duhet t’i njohë ata me Zotin e tyre, emrat e cilësitë e Tij dhe se Ai është larg çdo të mete. Ai (a.s) u tregon atyre llojet e adhurimit. E gjitha kjo bëhet me lejen, vullnetin dhe fuqinë e Allahut.
5 – Pishtar ndriçues: që do të thotë se njerëzit janë në një errësirë të madhe, nga e cila nuk mund të udhëzohen e as të orientohen e ata ishin të zhytur në injorancë, derisa Allahu dërgoi këtë Profet të nderuar, nëpërmjet të cilit i ndriçoi errësirat, injoranca u zhduk dhe njerëzit u udhëzuan për në rrugën e drejtë.
Thënia e Allahut “Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe.” do të thotë: Në këtë fjali janë përmendur ata, të cilëve u jepet lajmi i mirë, që janë besimtarët. Kur flitet vetëm për besimin, nënkuptohen edhe veprat e mira. Për ta është përgatitur një dhunti e madhe, që nuk mund të llogaritet: zemrat udhëzohen në rrugën e drejtë, mëkatet u falen, të këqijat largohen prej tyre, risku u shtohet, begatitë u vijnë, fitojnë shpërblime dhe kënaqësinë e Zotit të tyre dhe shpëtojnë nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij.
Prandaj, aktivistët e fesë duhet të përpiqen që t’u flasin njerëzve për shpërblimin, që Allahu u jep atyre për shkak të punëve të mira, nëpërmjet të cilave ata kapen pas rrugës të drejtë. Kjo është prej urtësive që ka vendosur Ligjëvënësi. Po ashtu, prej urtësive të vendosura prej Tij është fakti, se në ato raste kur duhet folur për ndëshkimin për shkak të punëve të këqija, aktivistët duhet që të flasin, sepse kjo i ndihmon ata, që të mos i veprojnë ato gjëra, të cilat Allahu i ka ndaluar.”[5]

2 – Vlera e durimit dhe kërkimi i shpërblimit:
Nuk ka dyshim, se vlera e durimit ndaj vështirësive, halleve dhe problemeve, me të cilat njeriu përballet në jetë, është shumë e madhe. Një prej këtyre vlerave është përmendur në këtë hadith, ku Profeti (a.s) thotë: “Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cënim apo trishtim, madje qoftë edhe në gjemb që e sëmbon, me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkatet”.
Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të kërkojmë ndihmë nëpërmjet durimit. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit. Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.”[6] Durimi është qëndrueshmëria dhe mospatja frikë e njeriut ndaj fatkeqësive. Durimi është burimi i qetësisë, sigurisë dhe lumturisë, nëse njeriu bën durim për hir të Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”.[7]
Një pjesë e konsiderushme e njerëzve justifikohen, se për nga natyra ata janë gjaknxehtë e nuk mund të bëjnë durim. Por në të vërtetë, nëse ata do të përpiqeshin sadopak duke bërë durim, atëherë ata do ta mposhtnin mllefin, do t’i largoheshin haramit, do të ishin më zemërgjerë dhe do të kënaqeshin me atë që Allahu ka përcaktuar për ta. Profeti (a.s) thotë: “Ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë, ai i cili kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë dhe ai i cili kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e kompletuar sesa durimi.”[8]
Durimi i lëvduar është ai durim, i cili nuk shoqërohet me zemërim, dëshpërim, humbje të shpresës dhe as duke u ankuar. Rreth këtij kuptimi flet edhe hadithi i Profetit (a.s): “Çdo njeri (rob) që gjendet në vendin ku bie murtaja dhe qëndron aty duke bërë durim, duke kërkuar shpërblim tek Allahu dhe duke e ditur se atë nuk e godet asgjë përveç asaj që Allahu ka caktuar për të, do të ketë të njëjtin shpërblim si ai që bie dëshmor.”[9] Imam Ibën Haxheri duke komentuar këtë hadith thotë: [Duke bërë durim: nuk shqetësohet dhe as merakoset, por i dorëzohet caktimit të Allahut, duke qenë i kënaqur.][10] Po kështu, në hapat e para të thirrjes islame, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin (a.s) me fjalët: “Prandaj, duro, me durim të hijshëm.”[11] Imam El Kurtubiu thotë: [Durimi i hijshëm është durimi që nuk shoqërohet me dëshpërim dhe as ankesa.][12] Gjithashtu, në rastet e fatkeqësive mbështetet plotësisht tek Allahu i Lartësuar dhe është i bindur 100% tek shpërblimi i Allahut. Pra edhe në këtë rast durimi i tij është i lëvduar.
Jo rrallëherë ndodh, që kur njeriu gjendet përpara një situate, të cilën ai duhet ta përballojë me durim, harron të bëjë durim. Mirëpo në të tilla raste është mirë, që miqtë më të afërt të tij, apo kushdo tjetër që ndodhet pranë tij, ta këshillojë që të bëjë durim.Në atë shoqëri, ku nuk ekziston dhënia e këshillës për të vërtetën dhe për të bërë durim, ajo shoqëri është shkatërruar dhe është në humbje, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha kohën! Me të vërtetë njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.”[13] Njëherë Profeti (a.s) pa një grua që po vajtonte pranë varrit të të birit që kishte vdekur. Ai (a.s) e këshilloi me fjalët: “Ki frikë Allahun dhe bëj durim!”[14]
Në të vërtetë, shija e durimit është disi e hidhur, mirëpo besimtari duhet ta mësojë veten që në situatat e vështira të bëjë durim të hijshëm. Ajo ç’ka e ndihmon më së shumti besimtarin që të bëjë durim në rrethana dhe kondita të vështira, është që të sjellë nëpër mend atë ç’ka ka përgatitur Allahu i Lartësuar për durimtarët; falje të mëkateve, ngritje në grada të larta si dhe shumë shpërblime. Po ashtu, një element tjetër që e ndihmon besimtarin që të bëjë durim, është marrja shembull nga durimi i njerëzve me peshë në historinë islame. Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin (a.s) me fjalët: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur!”[15] Realisht, nëse njeriu e kupton drejt ndikimin pozitiv të durimit që i fshin mëkatet dhe gjynahet, ai do të këmbëngulte më shumë për ta kërkuar mëshirën hyjnore dhe do të ishte tepër i kënaqur me atë që Allahu ka caktuar për të. Allahu i Lartësuar thotë: “Duro (o Muhamed), se, me siguri, premtimi i Allahut është vërtetë”[16]

3 – Sprovat[17] janë shlyerje mëkatesh:
Prej dhuntive dhe begative që Allahu i Lartësuar i ka dhuruar robit të Tij është edhe fakti, se nëpërmjet fatkeqësive që i bien njeriut, Ai ia shlyen atij mëkatet dhe gjynahet. Pikërisht, këtë gjë Profeti (a.s) e ka sqaruar mjaft mirë në këtë hadith, duke thënë: “Gjithçka që e godet muslimanin, qoftë lodhje, sëmundje, gajle, brengë, cënim apo trishtim, madje qoftë edhe në gjemb që e sëmbon, me secilën prej këtyre Allahu ia fal mëkatet”. Imam El Kurtubi duke komentuar këtë hadith thotë: [Ky hadith dhe hadithe të tjera të ngjashme si ky dëshmojnë, se kur besimtarit i bie ndonjë sëmundje, trishtim apo fatkeqësi, sado të vogla dhe të pakta qofshin ato, ai merr shpërblim për to dhe i shlyhen mëkatet, në mënyrë të atillë që ai të ecë mbi sipërfaqen e Tokës dhe të jetë i pastër nga gjynahet, ashtu siç transmetohet në një hadith tjetër. Por që ai të shpërblehet dhe t’i shlyen mëkatet, duhet që të bëjë durim dhe të kërkojë shpërblimin tek Allahu.][18]
Është e pamundur që njeriu të jetojë gjithmonë i lumtur në këtë botë. Një ditë do të jetë i lumtur dhe në një ditë tjetër do të jetë i brengosur, sepse ai do të sprovohet me sprova nga më të ndryshmet, qofshin ato ndaj tij, pasurisë, familjes apo shoqërisë ku jeton. Madje, sprovat që e godasin njeriun nuk mund të numërohen, sepse ato janë të shumta. Por megjithatë, çështja e besimtarit është e gjitha e mirë, sepse kur i vjen një e mirë, ai është mirënjohës e falenderon Allahun dhe bën vepra të mira, që të fitojë të mirat dhe begatitë e kësaj bote dhe botës tjetër. Ndërsa kur e godet ndonjë e keqe, bën durim duke kërkuar shpërblimin tek Allahu. Po ashtu edhe në këtë rast ai fiton nga të mirat e kësaj bote dhe botës tjetër. Kjo gjë i ndodh vetëm besimtarit.

4 – Lehtësimi i dhimbjes së tjetrit:
Nuk ka dyshim, se fjalët lehtësuese dhe ngushëlluese që myslimani ia thotë atij që është në hall e në vështirësi, janë metoda efikase të thirrjes islame. Këtë gjë ne e vërejmë qartë tek fjalët lehtësuese të Profetit (a.s) drejtuar çdo personi, i cili është në hall e vështirësi. E ku ka fjalë më lehtësuese e më të dëshiruara për njeriun, sesa falja e mëkateve dhe shpërblimi i merituar për shkak të durimit ndaj sëmundjes, trishtimit, gajles, mërzitisë, brengës etj. Ibën Abasi tregon, se kur Profeti (a.s) vizitonte një të sëmurë, thoshte: “Nuk ka gjë, qoftë kjo sëmundje me lejen e Allahut pastrim për ty”. Tregohet se njëherë Porfeti (a.s) shkoi për të vizituar Umu Es Saib që dridhej nga sëmundja. Profeti (a.s) e pyeti: “Çfarë ke?” “Kam ethe. Allahu e poshtëroftë – u përgjigj ajo. Profeti (a.s) tha: Hëm, mos e shaj atë, sepse nëpërmjet saj largohen (shlyen) mëkatet e besimtarit, tamam siç e largon kurdha skorjen e metalit”[19] Pra, nga vepra e Profetit (a.s) duket qartë, se lehtësimi dhe ngushëllimi i dhimbjes së dikujt që i ka rënë një fatkeqësi është një prej metodave efikase, të cilën thirrësi duhet ta shfrytëzojë në maksimum, sepse lehtësimi i dhimbjes së tjetrit është prej mësimeve të fesë Islame dhe është një dëshmi e gjallë e sinqeritetit të thirrësit.
Argumentet dhe dobitë e hadithit:
1 – Sëmundjet dhe çdo gjë tjetër që e lëndon besimtarin, janë shkak për pastrimin nga mëkatet.
2 – Njeri fatkeq është ai, i cili privohet nga shpërblimi.
3 – Vlera e madhe e durimit ndaj fatkeqësive.
4 – Sado e vogël që të jetë fatkeqësia që i bie besimtarit, ajo është shlyerje mëkatesh për të.
5 – Nuk është mirë që besimtari të bashkojë mes dy të këqijave: të vuajë lëndimin dhe të mos marrë shpërblimin.
Epilog:
Tregohet njëherë, se një robëreshë u rrëzua dhe si shkak i rrëzimit iu pre gishti, mirëpo ajo fillon të qeshë. Dikush i tha: “A po qesh, ndërkohë që gishti të është prerë?!” “A dëshiron të të flas sipas logjikës tënde?! Ëmbëlsia e shpërblimit më bëri që të harroj dhimbjen”, – u përgjigj ajo.[20]
Fjalët dhe veprimi i saj dëshmojnë qartë, se logjika e atij që i foli nuk shkon më tepër se ajo ç’ka ai tha. Ndërkohë që ajo qëndron në një gradë më të lartë në lidhje me sprovën që i ka ndodhur. Ajo shijon ëmbëlsinë, duke e falenderuar Allahun, duke qenë e kënaqur, duke bërë durim dhe duke menduar vetëm për shpërblimin që pret ta marrë nga Allahu i Lartësuar. Aq e dhënë ishte pas kësaj ëmbëlsie, saqë as që i shkonte nëpër mend dhimbja e plagës që i ishte shkaktuar nga prerja e gishtit.
[1] Transmeton imam Buhariu, nr: 5642. Ky tekst është i transmetuar prej tij. Transmeton imam Muslimi, nr: 2573
[2] Sure El Ahzab: 45.
[3] Sure El Ahzab: 45-47.
[4] Sure En Nisa: 41.
[5] Marrë nga libri “Tejsirul Kerimirr Rrahman fi tefsiri kelamil men nan” i imam Es Sa’dit fq: 636-637.
[6] Sure El Bekare: 153.
[7] Sure Ez Zumer: 10.
[8] Transmeton imam Buhariu, nr: 1469.
[9] Transmeton imam Buhariu, nr: 5734.
[10] Marrë nga “Fet’hul Bari” fq: 13/152.
[11] Sure El Me’arixh: 5.
[12] Marrë nga “El Xhamiu li Ahkamil Kuran” fq: 18/284.
[13] Sure El Asr: 1-3.
[14] Transmeton imam Buhariu, nr: 1283.
[15] Sure El Ahkaf: 35.
[16] Sure Er Rum: 60.
[17] Në fakt, sprovat që i vijnë njeriut janë dy: në mirëqënie dhe vështirësi. Këtu është fjala për sprovat në vështirësi.
[18] Marrë nga libri “El Mufhim lima Eshkele min Telkhis kitabi muslim” i Imam El Kurtubit, fq: 6/546.
[19] Transmeton imam El Buhariu në librin “El Edebul Mufred” nr: 516. Imam Albani e ka saktësuar këtë hadith.
[20] Marrë nga libri “Medarixhus Salikin” fq: 2/175.

Perktheu: Elton Harxhi