Rukjet,ilaçet dhe masat mbrojtëse janë pjesë e Fesë Islame

0
563

Në Musned dhe Sunen është hadithi nga Ebu Huzame, që tregon: – E pyeta: O i Dërguari i Allahut! Çfarë mendon për rukjet që ne praktikojmë, për ilaçet me të cilat mjekohemi dhe për masat mbrojtëse me të cilat ruhemi: a e kthejnë ato ndopak caktimin e Allahut? Ai tha: “Edhe ato janë pjesë e caktimit të Allahut.” Këto hadithe vërtetojnë se çdo gjë që ndodh në këtë botë ka një shkak, dhe hedhin poshtë mendimin e atyre që i mohojnë dhe i injorojnë ato.

Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Për çdo sëmundje ka ilaç.” Kjo thënie mund të jetë gjithëpërfshirëse dhe, si e tillë, ajo përfshin të gjitha llojet e sëmundjeve, domethënë edhe ato që janë të pakurueshme, pasi Allahu mund ta ketë fshehur mënyrën e kurimit të tyre nga njerëzit, duke mos u lejuar asnjë rrugë për zbulimin e saj; dhe dihet se krijesat nuk mund të dinë tjetër, përveçse atë që Zoti u ka lejuar e mundësuar që ta dinë.
Pejgamberi (s.a.u.s.) e lidhi ngushtë shërimin me kushtin që ilaçi të përkojë plotësisht me sëmundjen. Çdo gjë e ka të kundërtën e saj, dhe çdo sëmundje e ka të kundërtën e saj, nëpërmjet së cilës mjekohet dhe shërohet. Pra, duhet patjetër që ilaçi të përkojë me sëmundjen, dhe kjo është diçka më tepër sesa thjesht gjetja e ilaçit dhe zbulimi i tij. Ilaçi, nëse jepet më tepër në masë dhe më i përqendruar, atëherë ai kthehet në sëmundje. Por edhe nëse jepet në doza më të vogla dhe më pak të përqendruara, atëherë nuk e kryen funksionin e duhur dhe është i mangët. Siç kuptohet, nëse nuk ia qëllohet në gjetjen e ilaçit dhe në përcaktimin e dozës së duhur, nuk ndodh shërimi. Po kështu, nëse ilaçi nuk përdoret në kohën e përshtatshme, nuk bën dobi. Nga ana tjetër, nëse trupi nuk e pranon këtë ilaç, apo nuk gjen forcë ta përballojë atë, apo nëse ai ka ndonjë gjë që e pengon ndikimin e ilaçit, shërimi nuk ndodh, prandaj themi se ilaçi nuk ia ka qëlluar. Por nëse ia qëllon në shenjë (në të gjitha ato që u përmendën), shërimi do të ndodhë patjetër, me lejen e Allahut të Lartësuar. Së fundmi, themi që ky është kuptimi më i pranueshëm dhe më i mirë i hadithit.