Ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim
Muadh ibn Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të!, tregon se ka thënë:
“O i Dërguari i Allahut! Më trego një punë që më çon në Xhenet dhe më largon nga Zjarri!” Ai tha: “Vërtet ke pyetur për një çështje të madhe, që është e lehtë vetëm për atë të cilit Allahu ia lehtëson: ta adhurosh Allahun pa i shoqëruar asgjë në adhurim, ta falësh namazin, ta japësh zekatin, ta agjërosh Ramazanin dhe ta kryesh haxhillëkun.” Pastaj tha: “A dëshiron të të udhëzoj drejt dyerve të së mirës? Agjërimi është mburojë, lëmosha i shlyen mëkatet siç e shuan uji zjarrin dhe namazi i njeriut në thellësinë e natës.” Pastai lexoi: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Kuran 32:16-17) Më pas tha: “A të të tregoj për kreun, shtyllën dhe kulmin e çështjes?” Thashë: “Gjithsesi, o i Dërguari i Allahut.” Ai tha: “Kreu i çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi, kurse kulmi është xhihadi.” Më tej shtoi: “A dëshiron të të tregoj për atë që i mbërthen të gjitha këto?” Unë thashë: “Patjetër, o i Dërguari i Allahut.” Ai e kapi gjuhën e vet dhe tha: “Ruaje këtë!” Atëherë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, a edhe për atë që themi u marrkemi në llogari?!” Ai më tha: “Mos të pastë nëna, o Muadh! S’e ditke se njerëzit do të hidhen me fytyrë (në Zjarr) vetëm për shkak të asaj që korrin me gjuhët e tyre?!”
E shënon Tirmidhiu [numër 2616] dhe thotë se ky hadith është hasen-sahih.