RREZIKU I GJUHËS

0
238

Me të vërtetë mosndreqja dhe moskontrollimi i gjuhës është një rrezik i madh për të cilën kanë ardhur shumë argumente nga Kurani dhe Suneti i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.
Duhet ta dijë secili se çdo fjalë e tij përcillet dhe shkruhet. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë.

Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.” (Kaf, 17-18) Çdo fjalë që thotë njeriu është nën përcjelljen e melaikeve, pra të kemi kujdes se çfarë flasim. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Atij që e siguron atë që është në mes dy mjekrave dhe atë që është në mes dy këmbëve, unë do t’ia siguroj xhenetin.” Buhariu 11/308.

Fjala: “Ai që e siguron atë që është në mes dy mjekrave” ka për qëllim gjuhën, e cila gjendet mes mustaqeve dhe mjekrës, kurse fjala: “dhe atë që është në mes dy këmbëve” ka për qëllim organin gjenital. Ky hadith tregon për vlerën e ruajtjes së gjuhës. Atij që ka kujdes kur flet dhe e ruan gjuhën e tij nga fjalët e kota, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ia ka garantuar xhenetin.

Muadh ibn Xhebeli e pyeti Pejgamberin salallahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut, tregomë për disa vepra që më futin në xhenet dhe më largojnë nga xhehenemi.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i tha: “Ke pyetur për një çështje shumë të madhe dhe me rëndësi, mirëpo kjo është e lehtë për ata të cilëve ua ka lehtësuar Allahu. (Prej veprave që të fusin në xhenet dhe të largojnë nga xhehenemi janë) Të adhurosh vetëm Allahun e Lartësuar dhe mos t’i bësh shok Atij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e ramazanit, të shkosh në haxh, nëse ke mundësi.”

Pastaj tha: “A dëshiron të të tregoj për dyert e së mirës? Agjërimi është mburojë, lëmosha i asgjëson mëkatet ashtu siç e asgjëson uji zjarrin dhe namazi i një njeriu natën.” Pastaj lexoi: “I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin. Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.” (Es-Sexhde, 16-17).

Pastaj tha: “A dëshiron të të tregoj për çështjen më të madhe, shtyllën dhe çështjen më të lartë të Islamit?” I thashë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut.” Tha: “Kreu i çështjes është Islami, shtylla e tij është namazi, kurse kulmi i tij është xhihadi.” Pastaj tha: “A dëshiron të të tregoj mbi thelbin e gjithë kësaj?” Thashë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut.” E kapi gjuhën e tij dhe tha: “Ndaloje (frenoje) këtë.” I thashë: “O i Dërguar i Allahut, a kemi për të dhënë përgjegjësi edhe për atë që flasim?!” Tha: “Të pastë nëna o Muadh! A thua diçka tjetër i hedh njerëzit në zjarr përveç atyre që kanë korrur gjuhët (thënieve) të tyre të këqija.” Tirmidhiu 2616 dhe ka thënë se ky hadith është hasen-sahih.

Shikoni pra se sa e rrezikshme është gjuha, nëse njeriu nuk e kontrollon atë, saqë e bën njeriun të hyjë në zjarr të xhehenemit, Allahu na ruajttë! Allahu na mundësoftë që t’i kemi gjuhët tona nën kontrollin tonë dhe të na i bëjë gjuhët tona që ta përkujtojnë Allahun e Lartësuar e jo t’i bëjnë mëkat Atij!

Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here