Rëndësia e abdesit
Nga Othman ibën Affani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kushdo që merr abdes në mënyrën më të mirë i bien gjynahet nga trupi derisa t’i dalin nga brendësia e thonjve.”[1]
Ibadetet për të cilat është kusht të kemi abdes
- Namazi, qoftë ai namaz farz (i detyruar) a namaz nafile (vullnetar), duke e përfshirë këtu edhe namazin e xhenazes. Mirëpo, për gjërat tjera pos namazit, siç janë sexhdeja e leximit jashtë namazit dhe sexhdeja e falënderimit, nuk është kusht të kemi abdes.
- Prekja e Mus’hafit (Kuranit), qoftë për ta lexuar a për ta bartur atë. Nuk jemi të detyruar të kemi abdes për prekjen e aparateve elektronike, kompjuterike a CD-ve që përmbajnë programe të Kuranit Fisnik.
Ibadetet për të cilat pëlqehet të marrim abdes
- Tavafi (rrotullimi) rreth Qabesë. Abdesi për tavaf rreth Qabesë është më se i pëlqyer, madje shumica e dijetarëve mendojnë se është vaxhib (i detyruar).
- Sa’ji ndërmjet Safasë dhe Mervasë. Sa’ji bëhet vetëm gjatë haxhit dhe umres.
- Leximi përmendsh i Kuranit Fisnik.
- Përmendja e Allahut, në përgjithësi, qoftë duke e lavdëruar, duke e lartësuar a duke e madhëruar Atë.
Kushtet e abdesit
- Nijeti: Me këtë nënkuptojmë që kur i lajmë gjymtyrët e abdesit të kemi për qëllim marrjen abdes. Ndërsa, nëse ndokush lan gjymtyrët e abdesit vetëm me qëllim pastrimi a freskimi, atëherë në aspektin fetar nuk konsiderohet të ketë marrë abdes.
Norma për shqiptimin e nijetit
Vendi ku bëhet nijeti është zemra dhe nuk bën të shqiptohet, sepse shqiptimi i nijetit konsiderohet bidat[2], pra një gjë të tillë nuk e ka bërë i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, e as që e kanë bërë shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.
- Heqja e çdo gjëje që e pengon depërtimin e ujit në gjymtyrë, siç janë brumi, ngjitësi, manikyri, bojërat e ndryshme etj. Kushdo që merr abdes duke pasur në lëkurë gjëra që e pengojnë depërtimin e ujit, të cilat ka mundësi t’i largojë, abdesi i tij është i pavlefshëm. Po qe se e vëren atë pa kaluar shumë kohë nga marrja abdes e heq pengesën dhe e lan atë gjymtyrë dhe gjymtyrët që vijnë pas saj në renditje. Mirëpo, nëse e vëren atë pas një kohe, e cila sipas zakonit të njerëzve konsiderohet e gjatë, atëherë duhet ta përsërisë abdesin dhe namazin, nëse ka falur namaz në atë gjendje.
Mënyra e abdesit
- Në fillim duhet ta bësh nijet për të marrë abdes.
- Para se të fillosh me marrjen e abdesit pastron dhëmbët me misvak a me brushë dhe pastë dhëmbësh.
- Kur fillon të marrësh abdes thua “Bismil-Lah”[3] (me emrin e Allahut).
- Pastaj i pastron duart deri në nyje, tri herë.
- Pas kësaj, fut ujin në gojë dhe hundë me dorën e djathtë, me një grusht, dhe e nxjerr atë nga hunda me të majtën, duke e përsëritur këtë gjë tri herë.
- Më pas e lan tërë fytyrën, tri herë.
Fytyra përkufizohet:
- a) Vertikalisht: Nga pjesa e përparme e kokës së njeriut, ku fillojnë zakonisht flokët deri në fund të mjekrës, ku hyjnë edhe qimet e zgjatura të mjekrës.
- b) Horizontalisht: Nga njëri vesh tek tjetri.
- Lan dorën e djathtë nga majat e gishtërinjve deri në bërryl tri herë.
- Lan dorën e majtë nga majat e gishtërinjve deri në bërryl tri herë.
- Lag duart me ujë dhe e fërkon me to kokën, duke filluar nga pjesa e përparme e kokës deri në pjesën e prapme të saj, pastaj duke i kthyer duart sërish deri në pjesën e parme të kokës. Kështu vepron vetëm një herë.
- Lan veshët, pjesën e brendshme të tyre me gishtat tregues, ndërsa pjesën e jashtme me gishtat e mëdhenj. Kështu vepron vetëm një herë.
- E lan këmbën e djathtë, duke përfshirë edhe nyjat e këmbës (zogjtë e këmbës).
- E lan këmbën e majtë, duke përfshirë edhe nyjat e këmbës.
- Kur ta përfundosh abdesin thua: “Eshhedu en la ilahe il-lAllah, uahdehu la sherike leh, ue eshhedu enne Muhammeden ‘abduhu ue resuluhu”[4] që në shqip do të thotë: Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut, i Cili është një, i Pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij”.
Farzet e abdesit
Farzet e abdesit janë shtyllat pa të cilat nuk mund të konsiderohet i vlefshëm abdesi, ato janë:
- Larja e fytyrës, ku bën pjesë edhe larja e gojës dhe ajo e hundës.
- Larja e duarve, bashkë me bërryla.
- Fshirja e tërësishme e kokës (me duar të lagura).
- Larja e këmbëve, duke përfshirë edhe nyjat e këmbëve.
- Renditja ndërmjet gjymtyrëve të lartpërmendura.
- Njëpasnjëshmëria. Kjo nënkupton që të mos e vonojë larjen e ndonjë gjymtyrëve aq sa të mund të konsiderohet si ndërprerje e gjatë sipas zakonit të njerëzve.
Norma për moslarjen e ndonjë gjymtyre
Ai që e lë pa e larë ndonjë gjymtyrë të abdesit a një pjesë të saj, abdesi i tij është i pavlefshëm. Në qoftë se, pa shkuar një kohë e gjatë sipas zakonit të njerëzve, i bie ndërmend se e ka lënë ndonjë gjymtyrë pa e larë, atëherë e lan atë dhe gjymtyrët që vijnë pas saj në renditje. Ndërsa, në qoftë se ka kaluar një kohë e gjatë, atëherë duhet ta përsërisë abdesin.
Sunetet e abdesit
- Pastrimi i dhëmbëve para abdesit ose gjatë larjes së gojës.
- Thënia “Bismil-Lah” në fillim të abdesit.
- Larja e duarve deri në nyje, tri herë, në fillim të abdesit.
- Larja e gjymtyrëve të abdesit nga tri herë, përveç kokës (dhe veshëve sh. p.) e cila fshihet vetëm një herë.
- Fillimi nga e djathta kur lajmë gjymtyrët.
- Futja e gishtërinjve në mjekër po qe se është e dendur.
- Fërkimi i herëpashershëm i pjesëve ndërmjet gishtërinjve të duarve dhe të këmbëve.
– Sunetet nuk janë të detyrueshme, kështu që nëse ndokush e lë ndonjërën nga to nuk detyrohet me asgjë.
Normat e abdesit
- Ai që fal namaz pa abdes, për shkak të harresës, detyrohet ta përsërisë namazin kur t’i kujtohet, edhe nëse ka kaluar një kohë e gjatë. Në qoftë se i ka falur pa abdes disa namaze, atëherë detyrohet t’i përsërisë të gjitha ato, një nga një, sipas renditjes. Nuk është e lejuar që ato namaze të vonohen deri të nesërmen kur të hyja koha e namazeve të njëjta, siç mund të veprojnë disa njerëz.
- Është obligim të kujdesemi që uji t’i arrijë të gjitha gjymtyrët të cilat jemi të detyruar t’i lajmë, ku hyjnë edhe: pjesët ndërmjet gishtërinjve, bërrylat, nyjat e këmbëve, thembrat dhe pjesa e fytyrës afër veshëve.
- Lejohet t’i lajmë gjymtyrët e abdesit nga një herë ose nga dy herë, por edhe nëse i lajmë disa nga to nga një herë, disa nga dy e disa nga tri herë nuk ka asgjë të keqe.
- Ai që e prish abdesin gjatë namazit ose i kujtohet që nuk ka abdes, namazi i tij është i pavlefshëm, kështu që detyrohet ta ndërpresë namazin, duke dalë prej tij pa dhënë selam. Pastaj duhet të marrë abdes dhe ta falë namazin nga fillimi.
Gjërat që e prishin abdesin
- Çdo gjë që del nga dy kanalet, siç janë urina, jashtëqitja, gazrat, medhji dhe lagështia që del nga organi i femrës.
- Dalja e urinës dhe e jashtëqitjes jo nga kanalet e posaçme, si p.sh. kur ndokush bëhet operacion në kanalet e urinës dhe i hapet një kanal tjetër për nxjerrjen e urinës dhe jashtëqitjes.
- Humbja e vetëdijes, në çfarëdo mënyre, siç janë gjumi i thellë, rënia të fikët, mpirja e tërësishme dhe dehja.
- Ngrënia e mishit të devesë, përveç tamblit dhe lëngut të mishit të saj.
Kur pëlqehet të merret abdes
- Kur preket organi gjenital ose vrima anale pa ndonjë pengesë.
- Kur prekim gruan me epsh.
- Në rast të rrjedhjes së shumtë të gjakut a të vjelljes së shumtë.
Marrë nga libri “Et-tuhfe el-islamijje li talibi’l-hidaje er-rabbanijje” të autorëve Ibrahim El-Ued’an, Muhammed El-Ued’an dhe Abdurrahman El-Ued’an
Përktheu: Jusuf Kastrati
[1] Muslimi (245).
[2] Bidat quhet çdo gjë e shpikur në fe pa ndonjë argument. Shënim i përkthyesit Jusuf Kastrati.
[3] Ahmedi (2/418), Ebu Davudi (101), Albani e cilëson si “sahih” në “Sahih el-xhami’i” (7514).
[4] Muslimi (234). Kurse shtesën “Allahumme ixh’alnij minet-teuuabijn uexh’alnij minel-mutetahhirijn” e transmeton Tirmidhiu (55) dhe e cilëson si “da’ijf” (të dobët).