Qëndrueshmëria në fe

0
245

Përkufizimi:

Qëndrueshmëria në fe do të thotë të ndjekësh rrugën e drejtë, që është feja e qartë, pa lakuar djathtas a majtas. Kjo përfshin bërjen e veprave të mira, qofshin ato të dukshme a të padukshme, dhe shmangien nga punët e ndaluara.1

Qëndrueshmëria në fe sipas ajeteve kuranore:

Allahu i Madhërishëm thotë: “Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi.”2

Të qëndrueshmit në fe janë ata që i përmendi Allahu në këtë ajet kuranor: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”3

Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.”4

Kuptimi i këtyre ajeteve:

Vërtet, ata që thonë: “Zoti ynë i Vetëm është Allahu, i Cili nuk ka rival”, e pastaj bëhen të qëndrueshëm në fe, do t’u zbresin melekët kur u vjen vdekja e do t’u thonë: “Mos kini frikë nga vdekja dhe ajo që vjen pas saj, e as mos u brengosni për çështjet e dunjasë që po i lini mbrapa, ne ju përgëzojmë me xhenetin, i cili ju është premtuar”. Melekët u thonë atyre gjithashtu: “Ne jemi ndihmëtarët tuaj në këtë botë, ju mbështesim dhe ju ruajmë me urdhrin e Allahut, edhe në botën e amshueshme do të jemi me ju. Në xhenet do të keni çdo gjë që jua do zemra dhe që e kënaq syrin, çka do që të kërkoni do ta gjeni para duarsh si mikpritje dhe begati nga Ai që jua fal gjynahet dhe është i mëshirshëm ndaj jush.”5

Dobitë e qëndrueshmërisë në fe

1. Qetësia shpirtërore

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”6 Ky ajet na tregon për njërën nga dobitë e qëndrueshmërisë në fe, e që është: Njeriu në këtë dunja goditet nga sprova të ndryshme dhe fatkeqësi që ia bëjnë jetën të vështirë, mirëpo në qoftë se ai është i qëndrueshëm në fenë e Allahut, i zbaton urdhrat e Tij dhe shmanget nga ndalesat e Tij, kjo gjë e bën atë të qetë shpirtërisht, sepse lidhja e tij me Zotin dhe mbështetja e Tij në Të është e fortë. Kjo lidhje ia largon atij zymtësinë, pikëllimin dhe brengat dhe bën që Allahu t’ia shndërrojë atij brengat në zgjerim gjoksi dhe pikëllimin në gëzim e lumturi.7

2. Bereqeti në pasuri

Allahu i Madhërishëm thotë: “Sikur të qëndronin (banorët e Mekës) në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm”8. Në këtë ajet kuranor Allahu na tregon për një ndër frytet e qëndrueshmërisë në fe, e që është bereqeti dhe bollëku në pasuri. Pra Zoti u premtoi atyre që janë të qëndrueshëm në fenë e Tij në këtë dunja se do t’ua hapë dyert e furnizimit.9

3. Mbrojtja nga kurthet e armiqve

Çdo njeri ka armiq nga njerëzit dhe xhinët. I Madhërishmi thotë: “Nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata”.10 Allahu Fuqiplotë i udhëzoi robërit e Tij besimtarë të jenë të durueshëm, të qëndrueshëm, të ruhen nga gjynahet dhe të mbështeten gjithnjë në Allahun, në mënyrë që t’i shpëtojë Allahu nga keqbërësit dhe kurthet e armiqve.

4. Hyrja në xhenet

Prej fryteve të qëndrueshmërisë në fenë e Allahut është fitimi i xhenetit, të cilin ua premtoi Allahu robërve të Tij të devotshëm, siç thotë në Kuran: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.”11

Prej fryteve të qëndrueshmërisë në fenë e Allahut mund të përmendim gjithashtu:

5. Përmirësimi i zemrës dhe i gjymtyrëve tjera të trupit.

6. Largimi nga gjynahet.

7. Fitimi i dashurisë dhe respektit të njerëzve.

Marrë nga libri “Et-tuhfe el-islamijje li talibi’l-hidaje er-rabbanijje” të autorëve Ibrahim El-Ued’an, Muhammed El-Ued’an dhe Abdurrahman El-Ued’an

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

________________________________________

[1] Xhamiu’l-Ulumi uel-hikem – Ibën Rexhebi, fq. 228 (shpejgimi i hadithit nr. 21).

[2] Sureja el-fatiha 6, 7.

[3] Sureja en-nisa 69.

[4] Sureja Fussilet 30-32.

[5] “Et-tefsir el-mujesser” – shkruar nga disa dijetarë të ndryshëm, fq. 480.

[6] Sureja er-ra’d 28.

[7] “Hadith: “Kul amentu bil-Lahi thumme’stekim” uekefat ue temmulat” – dr. Falih Es-Sagijr, fq.67.

[8] Sureja El-xhin 16.

[9] “Enuau et-tenzijl ue esrar et-te’uijl” – El-Bejdaui, fq. 576.

[10] Sureja Al-Imran 120.

[11] Sureja Fussilet 30.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here