QARTËSIMI DHE KUPTIMI I FJALËS LA ILAHE IL-LALLAH -I-

0
962

Falënderimi i takon Zotit të botëve, ndërsa salavatet dhe selamet i dërgojmë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan rrugën e tij dhe u udhëzuan me udhëzimin e tij, deri në Ditën e Kiametit.

Vëllezër për hir të Allahut!

Komisionit që i është besuar ndarja e simpoziumeve dhe leksioneve në këtë vend e ka parë të rrugës që titulli i kësaj këshille këtë natë të jetë Qartësimi dhe kuptimi i fjalës ‘La ilahe il-lAllah’. Komisioni pajtohet që kjo fjalë është baza e fesë dhe themeli i ummetit, është fjala me të cilën Allahu ka ndarë jobesimtarët nga muslimanët, është fjala në të cilën kanë thirrur të gjithë të Dërguarit, për hir të së cilës kanë zbritur librat dhe për hir të saj u krijuan xhinnët dhe njerëzit. Në të thirri babai ynë Ademi alejhi salatu ve selam dhe në bazë të saj eci ai dhe pasardhësit e tij deri në kohën e Nuhut alejhi selam. Allahu dërgoi tek ta Nuhun alejhi selam, i cili i ftonte në njëshmërinë e Allahut dhe u thoshte: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!” (El A’raf: 59). Të njëjtën gjë vepruan Hudi, Salihu, Ibrahimi, Luti, Shuajbi dhe të Dërguarit e tjerë, që të gjithë i thirrën popujt e tyre në këtë fjalë, në njëshmërinë e Allahut, në sinqeritetin ndaj Tij dhe lënien e çdo ibadeti përveç ibadetit ndaj Tij.

I fundit, vula e tyre dhe më i vlefshmi mes tyre ishte Pejgamberi ynë, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Allahu e dërgoi te populli i tij me këtë fjalë dhe u tha atyre: “Thoni La ilahe il-lAllah, do të shpëtoni”. I urdhëroi ata me sinqeritet në adhurim vetëm për Allahun dhe në të njëjtën kohë që ta lënë atë në të cilën ishin të parët e tyre, si shirkun në Allahun dhe adhurimin e idhujve, putave, drunjve, gurëve dhe të ngjashme me ta, por mushrikët refuzuan dhe thanë: “A mos kërkon ai, që të gjithë zotat t’i bëjë një Zot të Vetëm? Vërtet që kjo është një gjë e çuditshme!” (Sad: 5). Për ta ishte bërë i zakonshëm adhurimi i idhujve, putave, evliave, drunjve, therja e kurbaneve për hir të tyre, betimi për ta dhe kërkimi i realizimit të nevojave e lehtësimit të vështirësive, prandaj e kundërshtuan këtë fjalë, pasi ajo i asgjësonte zotat e tyre dhe ata që adhuronin veç Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë: “Sepse kur u thuhej atyre: “Nuk ka zot tjetër (të vërtetë) veç Allahut!” – ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?” (Es Saf-fat: 35-36)

Me injorancën, devijimin dhe inatin e tyre e quajtën Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem poet dhe të çmendur, edhe pse e dinin se ai ishte njeriu më i sinqertë dhe besnik. E dinin se ai ishte më i mençuri dhe se nuk ishte poet, por vepronin kështu nga padrejtësia dhe inati që kishin ndaj tij. Atëherë çdokush që nuk e plotëson këtë fjalë, nuk e di kuptimin e saj dhe nuk punon me të, nuk është musliman. Muslimani është ai që njëson vetëm Allahun dhe e veçon vetëm Atë me adhurim ndaj çdo gjëje tjetër. Falet për Të, agjëron për Të, vetëm Atij i lutet, kërkon ndihmë prej Tij, betohet dhe ther kurban për Të, e gjëra të tjera nga llojet e adhurimeve. Muslimani e di me bindje të plotë se vetëm Allahu i Lartësuar është Ai që meriton adhurimin dhe çdo gjë tjetër veç Tij nuk e meriton një gjë të tillë, edhe nëse ai është Pejgamber, melek, evlia, idhull, pemë, xhinn apo gjë tjetër, e di që të gjithë këta nuk e meritojnë adhurimin ngase është e drejtë e veçante vetëm për Allahun. Për këtë Allahu az-ze ve xhel-le ka thënë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij.” (El Isra: 26). Pra, ka urdhëruar dhe porositur që mos të adhuroni askënd tjetër përveç Atij, ky është kuptimi i fjalës ‘La ilahe il-lAllah’, se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut. Kjo fjalë në vetvete përfshin mohim dhe pohim, mohim të hyjnisë së çdokujt tjetër veç Allahut dhe pohim se kjo është e drejtë e veçantë vetëm për Allahun e Lartësuar. Hyjnia me të cilën cilësohet dikush tjetër përveç Allahut është e kotë, ajo i takon vetëm Allahut një, është e drejtë e palëkundur e Tij subhanehu ve teala, ashtu siç ka thënë Allahu az-ze ve xhel-le: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta.” (El Haxh: 62). Adhurimi është vetëm për Allahun e vetëm, ngase Ai e meriton, duke përjashtuar çdo gjë tjetër përveç Tij, ndërsa dedikimi i adhurimit nga jobesimtari për dikë tjetër është i kotë ngase e ka vendosur jo në vendin e duhur. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat).” (El Bekare: 21). Po ashtu Allahu në suren El Fatiha, e cila është surja më madhështore, ka thënë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (El Fatiha: 5). Allahu i urdhëroi besimtarët të thonë kështu: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” Domethënë të adhurojmë vetëm Ty të vetmin dhe vetëm nga Ti kërkojmë ndihmë. Allahu az-ze ve xhel-le po ashtu thotë: “Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të! Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë.” (Ez Zumer: 2-3). Ka edhe ajete të tjera të shumta që argumentojnë se Allahu i Lartësuar është Ai që meriton adhurimin, ndërsa krijesat nuk kanë hise në të. Ky është kuptimi i fjalës ‘La ilahe il-lAllah’ dhe komentimi i saj. E vërteta e saj e veçon adhurimin vetëm për Allahun dhe e mohon atë ndaj çdokujt tjetër përveç Tij.

Dihet se më parë ka ekzistuar adhurimi i të tjerëve përveç Allahut, pasi janë adhuruar idhuj dhe putat përveç Allahut, është adhuruar faraoni përveç Allahut, janë adhuruar melekët përveç Allahut, janë adhuruar të Dërguarit përveç Allahut, janë adhuruar njerëzit e mirë përveç Allahut. E gjithë kjo ka ndodhur, por është e kotë dhe në kundërshtim me të vërtetën, sepse i adhuruar me meritë është vetëm Allahu subhanehu ve teala.

Fjala ‘La ilahe il-lAllah’ është mohim dhe pohim, ashtu siç u tha më lart, është mohim i adhurimit me meritë ndaj dikujt tjetër përveç Allahut kushdo që të jetë ai dhe pohim i adhurimit me meritë vetëm për Allahun, ashtu siç ka thënë Allahu xhel-le ve ala për Ibrahimin alejhi selam, se ai i tha babait dhe popullit të tij: “Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju në vend të Atij, që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë. Ai e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij.” (Ez Zuhruf: 26-28). Po ashtu ka thënë: “Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne shkëputemi nga ju dhe nga ato që ju i adhuroni në vend të Allahut; ne ju mohojmë dhe armiqësia e urrejtja midis nesh është e përhershme, derisa të besoni tek Allahu Një dhe i Vetëm”. (El Mumtehine: 4). Kjo njëherazi është edhe fjala e të gjithë të Dërguarve, ngase fjala e Allahut të Lartësuar: “Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të”, ka për qëllim të gjithë të Dërguarit, nga i pari deri tek i fundit. Thirrja e tyre ishte edhe thirrja e Ibrahimit, fjala e tyre ishte distancimi nga adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut dhe nga ata që adhurohen përveç Tij, të cilët ishin të pajtimit me adhurimin që u bëhej dhe thirrën në të. Besimtari distancohet prej tyre, e refuzon adhurimin e tyre dhe beson në Allahun një, i Cili është i adhuruar me meritë subhanehu ve teala. Për këtë, Allahu subhanehu ve teala tha në ajetin që cekëm më lart për Ibrahimin, se ai i tha babait dhe popullit të tij: “Unë i urrej dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju në vend të Atij, që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë.” Allahu subhanehu ve teala është Ai i Cili e udhëzoi në rrugë të drejtë atë dhe të tjerët, prandaj Ibrahimi nuk distancohet nga adhurimi i Tij, por distancohet dhe urren çdo adhurim që bëhet ndaj dikujt tjetër përveç Tij, andaj i tillë duhet të jetë distancimi, distancim nga adhurimi që bëhet ndaj çdokujt tjetër përveç Allahut subhanehu ve teala. Ndërsa Ai që i udhëzoi robërit, që i krijoi dhe i solli në këtë jetë nga asgjëja, i furnizoi me dhunti, Ai është që meriton adhurimin subhanehu ve teala. Ky është qëllimi i kësaj fjale, domethënia dhe kuptimi i saj, e vërteta e saj dhe distancimi nga adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut, urrejtja dhe bindja se një gjë e tillë është e kotë dhe besimi se adhurimi është meritë vetëm e Allahut subhanehu ve teala. Njëkohësisht ky është kuptimi i fjalës së Allahut xhel-le ve ala: “Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (El Bekare: 256). Kuptimi i fjalës: “Ai që mohon idhujt”, është se urren adhurimin e idhujve dhe distancohet prej tyre. Idhulli, taguti, është një emër që përfshin çdo gjë që adhurohet përveç Allahut, andaj çdo gjë që adhurohet përveç Tij quhet tagut: çdo put, pemë, gurë, yll që adhurohet përveç Allahut është idhull. Po i njëjtë është edhe ai që adhurohet nga të tjerët dhe me këtë është i kënaqur, si faraoni, Nemrudi dhe të ngjashëm me ta, të cilëve u thuhet tagut. E njëjta gjë vlen edhe për shejtanët idhuj, sepse ftojnë të tjerët në shirk.

Ndërsa sa i përket atij që adhurohet nga të tjerët përveç Allahut, por nuk është i kënaqur me këtë, si: Pejgamberët, të mirët, melekët etj., këta nuk janë idhuj, por idhull është shejtani i cili i ka ftuar të tjerët ta adhurojnë atë, ndërsa të Dërguarit, Pejgamberët, të mirët dhe melekët janë të pastër nga kjo dhe nuk janë idhuj, ngase ata kanë kundërshtuar që të adhurohen, kanë paralajmëruar nga kjo vepër dhe kanë sqaruar se adhurimi është e drejtë që i takon vetëm Allahut subhanehu ve teala, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut)” (El Bekare: 256). Ky pra e kundërshton adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut dhe distancohet nga ai, mohon dhe sqaron se kjo është kotësi “dhe beson në Allahun”, domethënë beson se vërtet vetëm Allahu është i adhuruari dhe se vetëm Ai e meriton adhurimin, vetëm Ai është Zoti botëve, vetëm Ai është Krijuesi i Gjithëdijshëm, Zoti i çdo gjëje dhe Zotëruesi i tyre. I Dituri për çdo gjë, Sunduesi mbi robërit e Vet dhe është mbi Arsh, mbi qiejt subhanehu ve teala, ndërsa dituria e Tij përfshin çdo vend. Ai e meriton adhurimin xhel-le ve ala, pasi nuk plotësohet imani dhe nuk llogaritet i saktë vetëm se me distancimin nga çdo gjë tjetër që adhurohet përveç Allahut, me refuzimin e saj dhe me bindjen se ajo është e kotë. Besimi se Allahu është ai që meriton adhurimin subhanehu ve teala është kuptimi i fjalës së Allahut subhanehu ve teala në suren El Haxh: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta.” (El Haxh: 62). Dhe në suren Lukman: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta, ndërsa çfarë adhurohet në vend të Tij, është e rreme.” (Lukman: 30). Dhe kuptimi i ajeteve që sollëm më lart.

Njerëzit në kohën e Ademit alejhi selam dhe dhjetë shekuj më vonë që të gjithë ishin në njëshmërinë e Allahut, ashtu siç ka treguar Ibën Abbasi radijAllahu anhuma, pastaj ka filluar shirku në popullin e Nuhut alejhi selam. Ata adhuruan me Allahun edhe Vuddin, Suva’an, Jeguthin, Jeukan dhe Nasran, ashtu siç e ka cekur Allahu në suren Nuh. Allahu dërgoi tek ata Nuhun alejhi selam që i ftonte ta njësojnë vetëm Allahun dhe t’i paralajmëronte për dënimin dhe zemërimin e Allahut, por ata vazhduan me tiraninë, mosbesimin dhe devijimin e tyre dhe nuk besoi nga ata vetëm se një pakicë. Shumica u treguan mendjelartë ashtu siç e ka qartësuar Allahu në librin e Tij madhështor. Çfarë veproi Allahu me ta? Me ta veproi atë që na ka treguar në librin e Tij madhështor: i shkatërroi me tufanin që ishte ujë gjithëpërfshirës, i cili e mbushi tokën dhe u ngrit mbi male dhe kodra. Allahu me të fundosi këdo që mohoi Allahun dhe kundërshtoi të Dërguarin e Tij, Nuhun alejhi selam, dhe nga kjo shpëtoi vetëm ai që ishte me Nuhun alejhi selam në anije, ashtu siç ka treguar Allahu i Lartësuar: “Ne e shpëtuam Nuhun së bashku me ata që qenë në barkë.” (El Ankebut: 15). Ky ishte dënimi i shpejtë në këtë botë dhe për ta do ketë dënim tjetër në botën tjetër, i cili është dënimi me zjarr Ditën e Kiametit. E lusim Allahun të na shpëtojë!

Pas tyre erdhi populli i Adit dhe Allahu dërgoi tek ata Hudin alejhi selam, pas Nuhut, por ata pasuan rrugën e popullit të Nuhut në inat, devijim dhe mosbesim ndaj Allahut. Atëherë Allahu u dërgoi një erë shkatërruese, që i shkatërroi të gjithë dhe nuk shpëtoi vetëm se ai që besoi bashkë me Hudin, por ata ishin të paktë.

Pas popullit të Hudit erdhi ai i Salihut, Themudi. Edhe këta pasuan rrugën e atyre që ishin më parë, të popullit të Nuhut dhe të Hudit, i kundërshtuan të Dërguarit dhe u bënë mendjelartë ndaj së vërtetës. Allahu i dënoi edhe këta me një zë të tmerrshëm dhe me tërmet, derisa u shkatërruan të gjithë dhe shpëtoi vetëm ai që besoi në Pejgamberin e tij, Salihun alejhi salatu ve selam.

Pastaj pas tyre erdhën popuj të tjerë, si populli i Ibrahimit, Lutit, Shuajbit, Ja’kubit, Is’hakut, Jusufit. Erdhi Musai, Haruni, Davudi, Sulejmani dhe Pejgamberë të tjerë, që të gjithë i thirrën njerëzit në njëshmërinë e Allahut ashtu siç u urdhëruan. Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të Dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” (En Nahl: 36). Po ashtu thotë: “Ne nuk kemi nisur asnjë të Dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” (El Enbija: 25). Që të gjithë e plotësuan atë që kishin obligim nga përcjellja e shpalljes dhe qartësimi i saj, alejhimus-salatu ve selam. E transmetuan shpalljen, e mbajtën amanetin, e këshilluan popullin dhe ua qartësuan kuptimin e fjalës “La ilahe il-lAllah”. Ata ua bënë të qartë se sinqeriteti në adhurim ndaj Allahut të vetëm është obligim dhe se Ai me të vërtetë e meriton adhurimin duke përjashtuar çdo gjë tjetër përveç Tij, kurse pemët, gurët, idhujt, yjet, xhinnët, njerëzit dhe të tjerët nga krijesat, që të gjitha nuk e meritojnë adhurimin, ngase adhurimi është obligim që i dedikohet vetëm Allahut. Faraoni pasi shkeli të gjithë kufijtë në padrejtësi, tirani dhe inat ndaj Musait dhe doli që ta vriste atë, Allahu xhel-le ve ala e solli tek deti dhe e fundosi atë dhe kush ishte me të në moment. Kjo fundosje ishte një dënim i shpejtë, ndërsa pas tij është dënimi me zjarr, prej të cilit e lusim Allahun të na shpëtojë.

Pejgamberi ynë, Muhamedi alejhi salatu ve selam, i thirri njerëzit në adhurim të Allahut dhe përgëzoi me xhenet atë që besoi, ndërsa paralajmëroi me zjarr atë që mohoi. Besoi kush besoi, por ata ishin të paktë në Mekë. Më pas, për shkak të torturave ndaj tij dhe shokëve të tij, Allahu e urdhëroi të bëjë hixhret-shpërngulje në Medinë. Emigroi drejt saj ai dhe ata besimtarë që kishin mundësi emigrimi, kështu që Medina u bë shtëpia e emigrimit dhe kryeqyteti i parë për muslimanët. Në të u përhap feja Allahut, në të u ngrit tregu i luftës në rrugën e Allahut pas një mundimi të madh dhe torturimeve të ashpra nga kurejshët dhe të tjerët ndaj të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe besimtarëve që ishin me të në Mekë.

E gjithë kjo ishte për hir të fjalës “La ilahe il-lAllah”. Të gjithë të Dërguarit thirrën në të dhe Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, vula e tyre, bëri thirrje për t’u besuar kjo fjalë dhe për bindje në kuptimin e saj, që të pezullohen dhe refuzohen zotat që i adhuruan përveç Allahut dhe që të bëhen të sinqertë në adhurim vetëm ndaj Allahut. Por idhujtarët e refuzuan këtë dhe thanë se do të ndjekin rrugën e të parëve. Ata thanë: “Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe ne po ndjekim gjurmët e tyre”. (Ez Zuhruf: 22)

Ummeti arab, tek i cili u dërgua Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, iu qas rrugës së atyre që ishin më parë, duke i ndjekur në inat, mosbesim, devijim dhe gënjeshtër. Pejgamberi ynë alejhi salatu ve selam gjatë trembëdhjetë viteve në Mekë i thirri në tevhid, njëshmërinë e Allahut, në largimin nga shirku në Allahun, por nuk i besuan vetëm se një pakicë. Edhe pas emigrimit të tij në Medinë e vazhduan tiraninë dhe luftuan në Bedër, në ditën e Uhudit, në ditën e Ahzabit me inat, mosbesim dhe devijim të ndihmuar nga jobesimtarët arabë. Por Allahu me fuqinë e Tij të madhe e ndihmoi Pejgamberin e Tij dhe besimtarët dhe ndodhi ajo që ndodhi në ditën e Bedrit, ku u mundën armiqtë e Allahut dhe u ndihmuan evliatë e Tij.

Pastaj ndodhi ajo që ndodhi në ditën e Uhudit nga sprova që Allahu kishte caktuar për robërit e tij, ku u vranë dhe plagosën muslimanët për shkaqet që i qartësoi Allahu i Lartësuar në librin e Tij madhështor dhe pas kësaj erdhi lufta e Ahzabit mes të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe pasuesve të kuftit. Allahu e ndihmoi ushtrinë dhe robin e Tij dhe zbriti zemërimin e Tij ndaj jobesimtarëve, të cilët u zmbrapsën të dështuar pa fituar asnjë të mirë. Allahu i ndihmoi besimtarët kundër armiqve të tyre. Pas kësaj erdhi lufta e Hunejnit, në vitin e gjashtë sipas hixhretit, ku u bë marrëveshja mes të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe parisë së Mekës, u arrit armëpushimi për dhjetë vite, derisa të sigurohen njerëzit dhe të kontaktojnë njëri me tjetrin në mënyrë që të shohin për së afërmi thirrjen e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe udhëzimin e tij. Pastaj kurejshët e shkelën këtë marrëveshje dhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i luftoi ata në vitin e tetë sipas hixhretit në muajin Ramazan, kur Allahu ia bëri të mundur ta çlirojë Mekën dhe njerëzit hynë në fenë e Allahut grupe-grupe, falënderimi i takon Allahut.

Kjo fe madhështore ka nevojë për durim, qëndrueshmëri, sinqeritet në Allahun, thirrje në Të, besim në Të dhe në të Dërguarit e Tij, ndalim në kufijtë e tij dhe largim nga ajo që ka ndaluar Allahu xhel-le ve ala. Kjo është feja e Allahut me të cilën Ai dërgoi të Dërguarit e Tij dhe me të zbriti librat e Tij. Po kjo fe është ajo me të cilën u dërgua Pejgamberi i Tij, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e cila përfshin njëshmërinë e Allahut dhe sinqeritetin për Të, besimin në të Dërguarin e Tij, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe nënshtrimin ndaj sheriatit të Allahut me bindje, fjalë dhe vepra. Baza dhe themeli i nënshtrimit është dëshmia “La ilahe il-lAllah”, me të cilën Allahu dërgoi të gjithë Pejgamberët, nuk ka Islam vetëm se me të që nga koha e Nuhut alejhi selam e deri te koha e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Nuk ka Islam vetëm se me këtë fjalë: “La ilahe il-lAllah”, me bindje fjalë dhe vepra. Muslimani thotë “La ilahe il-lAllah” me gjuhën e tij, e vërteton me zemrën dhe veprat e tij, e njëson Allahun dhe e veçon me adhurim vetëm Atë dhe distancohet nga çdo ibadet përveç Tij. Patjetër duhet të besohet vetëm në Allahun dhe të jemi të sinqertë në adhurim ndaj Tij dhe është obligative që me këtë besim të bashkohet dëshmia për Pejgamberin alejhi salatu ve selam, i cili ka ardhur me shpallje.

Është e domosdoshme të besojmë në të gjithë Pejgamberët që janë dërguar, që nga koha e Nuhut alejhi selam deri në kohën e Pejgamberit tonë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Patjetër duhet që me dëshminë “La ilahe il-lAllah” dhe besimin në Allahun, në kohën e Nuhut të besohet edhe Nuhun alejhi salatu ve selam, sepse nuk ka Islam vetëm se me këtë. Po kështu edhe në kohën e Hudit alejhi selam, nuk ka Islam vetëm se me besimin tek Hudi alejhi salatu ve selam duke e njësuar Allahun me sinqeritet ndaj Tij dhe besim në kuptimin e fjalës “La ilahe il-lAllah”. Po kështu edhe në kohën e Salihut, nuk ka Islam vetëm se me këtë, me njëshmëri ndaj Allahut, sinqeritet në të dhe besim në Salihun se ai me të vërtetë është i Dërguar i Allahut alejhi salatu ve selam. Kështu edhe pas tyre, për çdo Pejgamber që dërgohet te populli i tij, është e domosdoshme në Islam që të njësohet Allahu dhe të besohet sinqerisht ai Pejgamber që është dërguar tek ata. Isai alejhi salatu ve selam, i biri i Merjemes, është Pejgamberi i fundit i Beni Israilëve, Pejgamberi i fundit para Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, nuk ka Islam për çifutët vetëm se me besimin tek ai dhe pasimi i asaj me të cilën ka ardhur. Kur çifutët e refuzuan dhe përgënjeshtruan, u bënë jobesimtarë.

Pastaj Allahu dërgoi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem si vulë të Pejgamberëve dhe të fundit prej tyre dhe bëri që hyrja në Islam të mos pranohet vetëm se me besim tek ai alejhi salatu ve selam. Është e domosdoshme të njësohet vetëm Allahu dhe të besohet në fjalën “La ilahe il-lAllah” dhe të bindemi në kuptimin e saj, që është njësimi i Allahut dhe veçimi i Tij në adhurim. Duhet të veçohet vetëm Ai nga çdo gjë tjetër, duke i bashkangjitur edhe besimin në të Dërguarin e Tij, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem si vulë e të gjithë Pejgamberëve dhe se nuk ka Pejgamber pas tij. Kështu i Dërguari alejhi salatu ve selam e mësoi ummetin e tij dhe kështu aludon libri i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, librin dhe Profetët.” (El Bekare: 177)

Patjetër duhet të besohet te të gjithë Pejgamberët, deri tek i fundit i tyre, që është Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Kur Xhibrili e pyeti Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për imanin, ai i tha: “(Iman është) Të besosh në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin e Tij, qoftë i mirë apo i hidhur.” Është e domosdoshme që me Islamin dhe dëshminë ‘La ilahe il-lAllah Muhamedun resulullah’ të besohen të gjithë Pejgamberët dhe të Dërguarit e mëparshëm. Po ashtu duhet të besojmë në të gjithë melekët dhe librat e zbritur te Pejgamberët dhe të Dërguarit alejhimus salatu ve selam. Po ashtu është e domosdoshme të besohet në caktimin e Allahut, qoftë i mirë apo i hidhur, dhe të besojmë në Ditën e Fundit dhe të ringjalljes pas vdekjes. Duhet të besohet se xhenneti dhe xhehennemi janë të vërtetë, e gjithë kjo është e domosdoshme. Por baza e gjithë kësaj është besimi në Allahun e vetëm dhe pa shok dhe se Ai është i vetmi që meriton adhurimin. Kjo është baza dhe ky është themeli, ndërsa kushtet e tjera e pasojnë këtë. Andaj kush dëshiron të hyjë në Islam dhe të jetë i qëndrueshëm në të, të fitojë xhennetin, të shpëtojë nga zjarri dhe dëshiron të jetë nga pasuesit e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, të cilëve u është premtuar xhenneti dhe nderimi, atëherë atij nuk i plotësohet kjo gjë vetëm se me vërtetimin e fjalës ‘La ilahe il-lAllah Muhamedun resulullah’.

Vijon.

Përshtati me disa shkurtime: Sabahudin Selimi

Marrë nga: http://www.binbaz.org.sa