Qabeja dhe zanafilla e ndërtimit të saj.
Ndërtimi i Qabesë është i lidhur ngushtë me familjen e Ibrahimit -alejhi selam- dhe për të mësuar zanafillën e ndërtimit të saj duhet të njihemi mirë me një pjesë të historisë së familjes së Ibrahimit -alejhi selam-.
1- Lidhja e Ibrahimit me Haxheren -alejhima selam- .
Ibrahimi -alejhi selam- që herët ishte i martuar me Sarën, vajzë kjo nga i njëjti vend me Ibrahimin Babilonia por ajo nuk lindte dhe për pasojë ai nuk pati fëmijë.
Ibrahimi -alejhi selam- kur mori rrugën e mërgimit, emigroi bashkë me Sarën për në Sham pastaj ai pati një udhëtim për në Egjipt dhe që këtu fillon historia e lidhje së tij me Haxheren nënën e Ismailit -alejhi selam-. Haxherja ishte një vajzë nga Egjipti të cilën ia kishte dhuruar mbreti i Egjiptit Sarës për ti shërbyer asaj dhe ja historia e saj sipas përshkrimit të profetit -alejhi selam-.
Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Ibrahimi -alejhi selam- emigroi bashkë me Sarën dhe hyri në një fshat ku ishte një mbret prej mbretërve apo një tiran prej tiranëve dhe u përhap fjala se Ibrahimi është futur (në fshat) me një grua e cila është më e bukura grua. Ai (mbreti) dërgoi dikë ti thoshte atij: O Ibrahim, kush është kjo që është me ty? Ai i tha: ajo është motra ime. Ibrahimi kthehet dhe i thotë asaj (Sarës): Mos ma përgënjeshtro fjalën sepse unë u kam thënë se ti je motra ime dhe pasha Allahun nuk ka mbi tokë besimtar veç meje dhe teje. Ai (Ibrahimi) e dërgoi atë te ai (mbreti) dhe ai u ngrit për ta prekur ndërsa ajo u ngrit mori abdes dhe duke u lutur tha: O Allah, nëse kam besuar në ty dhe në profetin tënd dhe e kam ruajtur nderin për tim shoq, mos më le të më nënshtrojë ky qafir! Atëherë atij u bllokua fryma derisa filloi të vraponte. Atëherë ajo tha: O Allah, nëse ai vdes do të thonë se ajo e ka vrarë! Dhe ai u lirua. Ai tentoi ta prekte përsëri dhe ajo përsëri mori abdes dhe u ngrit duke u lutur: O Allah, nëse kam besuar në ty dhe në profetin tënd dhe e kam ruajtur nderin për tim shoq, mos më le të më nënshtrojë ky qafir! Dhe kështu atij iu bllokua përsëri fryma derisa filloi të vraponte. Atëherë ajo tha: O Allah, nëse ai vdes do të thonë se ajo e ka vrarë! Dhe ai u lirua për së dyti. Ai tentoi përsëri dhe pas të tretës tha: Pasha Allahun nuk më keni sjellë veçse një shejtane. Kthejeni te Ibrahimi dhe jepjani Haxheren për shërbim! Ajo kur u kthye i tha Ibrahimit: Dije se Allahu e ktheu mbrapsht qafirin dhe më dha një shërbëtore” e transmeton Buhariu.
Shkaku se pse Ibrahimi vendosi ta fsheh të vërtetën në lidhje me Sarën është shpjeguar në një transmetim tjetër ku ai i drejtohet Sarës duke i thënë: “Ai nëse e merr vesh se jam burri yt, të merr me forcë prej meje” e transmeton Muslimi. Dmth: Mbreti tiran nëse do ta merrte vesh se Ibrahimi është burri i saj ose do ta vriste Ibrahimin, ose do ta burgoste, ose do ta dhunonte për tia marrë atij gruan sepse burri i saj për të do të ishte rival, gjë e cila nuk ndodh kundrejt vëllait sepse vëllai nuk konsiderohet rival.
Kështu Haxherja pas kësaj ngjarje përfundoi në shtëpinë e Ibrahimit -alejhi selam- duke i shërbyer Sarës dhe ajo mendohet të jetë nga Egjipti edhe pse në hadith nuk tregohet qartë se ku ka ndodhur ngjarja por në një hadith tjetër profeti -alejhi selam- thotë duke porositur sahabet: “Ju do ta çlironi Egjiptin vendi kur përdoret Kijrati (pjesë ndarëse e dinarit apo dërhemit) dhe kur ta çlironi atë, silluni mirë me banorët e tij sepse aty keni besë dhe farefis apo besë dhe lidhje martesore” e transmeton Muslimi.
Me fjalën [Besë] është për qëllim çlirimi i këtij vendi me marrëveshje.
Me fjalën [Farefis] është për qëllim Haxherja nëna e Ismailit babait të arabëve e cila ishte nga Egjipti.
Me fjalën [Lidhje martesore] është për qëllim Marija nëna e Ibrahimit djalit të profetit -alejhi selam- ishte gjithashtu egjiptiane.
Më pas kur Ibrahimi -alejhi selam- u kthye në Sham dhe u përqendrua atje së bashku me Sarën dhe Haxheren, i kërkon Allahut ti japë fëmijë dhe Allahu i madhëruar iu përgjigj atij siç është regjistruar kjo gjë në Kuran: “Ai tha: Unë do të emigroj për të Zoti im dhe ai do të më udhëzojë * O Zoti im më jep pasardhës të mirë * dhe ne e përgëzuam atë me një djalë të urtë” Suretu El-Safat 99-101.
Allahu kur do diçka i hap rrugët asaj pune dhe kështu gruaja e tij Sara e cila nuk lindte vjen dhe i dhuron Ibrahimit -alejhi selam- Haxheren dhe në këtë mënyrë Haxherja lidhet me Ibrahimin -alejhi selam- ku fruti i kësaj lidhje ishte Ismaili -alejhi selam-.
Dy urtësi të nxjerra nga lindja e Ismailit nga Haxherja -alejhima selam-.
E para: Familja e Ibrahimit -alejhi selam- më pas do të ndahej ku një pjesë do të shkonte në Meke dhe një pjesë tjetër do të mbetej në Sham dhe më e përshtatshme për këtë familje do të ishte që çdo nënë të ishte me birin e saj sepse edhe Sara më pas i lindi atij një tjetër fëmijë i cili është Is’haku -alejhi selam-.
E dyta: Allahu i madhëruar i dha Ibrahimit fëmijë nëpërmjet Haxherës e cila në origjinë ishte robëreshë shërbëtore sepse ajo më pas do të largohej bashkë me të në një vend të shkretë dhe për këtë duhej një njeri me shumë durim, cilësi kjo që gjendet në përgjithësi te robërit.
vijon…………………….