POROSIA E FUNDIT

POROSIA E FUNDIT

Të nderuar besimtarë, përpara se të dorëzonte shpirtin te Zoti i botëve dhe të shpërngulej nga kjo dynja e përkohëshme për në amshim, i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – la një amanet, një porosi të madhe. Tha: “Kujdes namazin, kujdes namazin, dhe ata që keni në pronësi!”[1]

Njeriu kur është duke u larguar nga kjo botë, kur ndodhet në çastet e fundit të jetës, është i pafuqishëm, nuk mban dot fjalime të gjata e as të shkurtra, prandaj përpiqet tu lërë porositë më të rëndësishme atyre që lë pas vetes, me sa më pak fjalë. Porosia më e rëndësishme e Profetit tonë për ne, ummetin e tij, ishte pikërisht kjo: Kujdes namazin, kujdes namazin! Faleni namazin në kohën e vet, ashtu siç duhet, me rregullat e tij.

Dhe nuk erdhi rastësisht kjo porosi profetike në çastet e fundit të jetës, para se shpirti t’i arrinte në fyt, sepse pikërisht për namazin do të fillojë edhe llogari-dhënia pikë së pari në Ditën e Gjykimit, ajo është puna e parë për të cilën do të pyetesh në Kijamet!

Nga Enesi – radijallahu anhu – përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Gjëja e parë për të cilën do të llogaritet robi Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse ai është në rregull, në rregull do të jenë edhe punët e tjera të tij, e nëse ai është i mangët, i prishur edhe punët e tjera do të jenë të mangëta, të prishura”.[2]

Për rëndësinë e namazit o musliman të tregon edhe vendi se ku ai është bërë detyrë. Nëse urdhërat e tjera të fesë janë bërë detyrë në tokë, namazi është urdhëruar nga Zoti i botëve dhe është bërë detyrë në qiell, madje mbi shtatë qiejt! Dispozitet e tjera të fesë Allahu i ka bërë obligim me ndërmjetës, nëpërmjet Lajmëtarit, Xhibrilit – paqja qoftë mbi të – ndërsa për namazin, Allahu e ka thërritur Profetin tonë në qiell, atje lart mbi shtatë qiejt i foli dhe ia bëri detyrë namazin.

Thotë përsëri Enesi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Iu bënë detyrë namazet Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – natën që u ngjit në qiell (fillimisht) 50 namaze, pastaj u ulën deri sa arritën 5. Pastaj u thërrit: O Muhammed! Nuk ndryshon fjala Ime. Ti do të shpërblehesh për këto të pesta sikur ke falur 50.”

Dhe këtu del në pah bujaria e madhe e Allahut, dhe shpërblimet e mëdha e të shumëfishta që Ai i ka dhënë këtij ummeti, ua ka lehtësuar fenë, ua ka bërë të lehtë rregullat e saj, dhe shpërblimet ua ka dhënë sikur të kishin punuar dhjetë-fish.

Prandaj o musliman! O rob i Allahut! O ti që nuk bën dot asnjë çast pa mirësitë dhe bujarinë e Allahut! Kush t’i zgjidh hallet e tua? Kujt i lutesh kur je në vështirësi? Prej kujt shpreson sidomos kur e shikon që askush s’të ndihmon dot? A nuk është Ai Allahu? E si pra largohesh nga namazi?! Allahu të furnizon pa pushim, ditën dhe natën, me ushqim dhe shëndet pa të cilat nuk bën dot, si nuk e falenderon Allahun me namaze?! A nuk turpërohesh prej Zotit tënd? Ai kujdeset për ty, të rregullon çështjet e tua dhe ti nuk do t’ia dish për Të? Nuk e vendos ballin në tokë për Të?

A mos je mendjemadh? A mos të ka hyrë vetja në qejf?! Përse atëherë nuk po falesh?! Përse refuzon t’i përulesh Atij që të ka krijuar dhe në dorë të të Cilit është jeta dhe vdekja jote, sëmundja dhe shërimi yt?

“Falu për Zotin tënd” (Keuther: 3)

Namazi në kohën e vet është puna më e dashur tek Allahu.
Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – kur u pyet: Cila punë është më e dashur tek Allahu? – Tha: “Namazi në kohën e tij”

Namazi është shtylla e dytë e fesë Islame.
Thotë Profeti – lavdrimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Është ndërtuar Islami mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk meriton të adhurohet askush tjetër me të drejtë veç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit…”

Namazi bën dallimin mes muslimanit dhe jomuslimanit!
Pozita e tij në fe është aq e madhe, saqë është bërë kriteri dallues mes muslimanit dhe pabesimtarit. Thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Mes njeriut dhe idhujtarisë e mosbesimit është lënia e namazit”[3]
Namazi e dallon njeriun nga idhujtarët, nga pabesimtarët. Pabesimtarët nuk falen, muslimani falet për Zotin e tij. Dijetarët e Islamit nuk janë kundërshtuar për ndonjë çështje tjetër aq shumë sa janë kundërshtuar për atë që nuk e fal namazin: kanë diskutuar që në kohët e hershme, dhe deri në ditët tona: A është musliman ai i cili e lë namazin nga përtacia apo nuk është musliman?! Prandaj mos e bëj besimin tënd objekt diskutimi, mos e vendos besimin tënd në pikëpyetje por falu!

Nëse shejtani të mashtron dhe të bën të thuash nuk ke kohë, atëherë ndalu dhe mendo! Allahu të ka dhënë 24 orë. A nuk ke 50 minuta gjatë këtyre 24 orëve t’ia japësh Allahut? T’ia kushtosh Allahut dhe Ai të të japë ty mirësi të mëdha? Të të ndihmojë, dhe të të gjendet në rrezik e në ngushticë? Që kur të gjendesh nesër në vështirësi e t’i drejtohesh Zotit tënd Ai të thotë: Ky është një zë i njohur! Ky është një zë që më lutet dhe më përmend 5 herë në ditë.

Allahu të thërret pesë herë në ditë: “Hajje ales salah” (Eja në namaz!), “Hajje alel felah” (Eja në shpëtim!) Allahu të fton në takim, si refuzon t’i përgjigjesh?! Dhe pastaj shkon e ha prej furnizimit të Tij?! Përdor të mirat që Ai t’i ka dhuruar – sepse ti nuk kishe asgjë, as jetën tënde – dhe pastaj e harron Allahun?!

Namazi shlyen gjynahet.
Thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Si mendoni sikur përpara derës së shtëpisë së ndonjërit prej jush të kalonte një lum dhe ai të lahej në të pesë herë në ditë a do të mbeteshin papastërti në trupin e tij? – i thanë: Jo. Nuk mbetet papastërti në trupin e tij – tha: Kështu është puna e namazeve, me to Allahu shlyen gjynahet.” Bukhariu dhe Muslimi.

Namazi është siguri prej dënimit!
Nëse i fal namazet në rregull, ke premtim dhe mbrojtje prej Allahut se nuk do të dënojë me Zjarr Ditën e Gjykimit, e nëse nuk i ruan namazet nuk ke asnjë siguri, asnjë premtim tek Allahu për mos-dënim. Nga Ubadeh ibnus Samit përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Allahu u ka bërë detyrë robërve pesë namaze. Kush i fal ato (të pesta) në rregull dhe të plota dhe nuk lë asnjë prej tyre duke i nënvleftësuar, i tilli ka premtim tek Allahu se do ta fusë në Xhennet. Ndërsa ai që nuk i fal ato, ai nuk ka premtim tek Allahu, nëse dëshiron e dënon, e nëse dëshiron e fal”[4]

Namazi është nga urdhrat më të përsëritur në Kuran.
“Dhe faleni namazin e jepeni zekatin dhe bini në ruku me ata që bien” (Bekarah: 43)
“Namazi është për besimtarët detyrë në kohë të caktuar” (Nisa: 107)
Fjala ‘namaz’ dhe ‘falni namazin’ e të ngjashme me to është përmendur të paktën 87 herë në Kuran, gjë që tregon rëndësinë e madhe që ka ky adhurim tek Allahu. Çfarë të thotë kjo? “Namazi! Kujdesuni për namazin, Ata që falen rregullisht… Mjerë për ata që falen pa kujdes…!” Po çfarë paska ky namaz që Allahu na porosit kaq shumë për të? Patjetër që ai duhet të ketë dobi të mëdha për njeriun. Pa dyshim që po , sepse ai është një lidhje ditore me Zotin tënd. Krijesa e dobët dhe e pafuqishme, që ka nevoja të shumta, lidhet pesë herë çdo ditë me Krijuesin e Gjithëfuqishëm, që është në gjendje të bëjë gjithçka, që ka në dorë furnizimin, jetën dhe vdekjen e çdo krijese. Krijesa e dobët troket në dyert e Mbretit të Gjithësisë dhe i kërkon nga mirësitë e Tij të shumta.

Eh or bir i Ademit! Kush është si ti? Sa herë që ke ndonjë nevojë i drejtohesh drejtpërdrejtë Krijuesit tënd, Zotit të Gjithësisë, pa ndërmjetës, pa portier, por vetëm ti dhe Allahu! Sa ndihmues të madh që ke! Dhe Ai të kushton vëmendjen e Tij, drejton shikimin e Tij drejt Teje. Të gjitha këto ndodhin në namaz. Sikur të mos humbisje gjë tjetër veç këtyre që përmendëm më sipër me lënien tënde të namazit, do të mjaftonin si humbje e madhe.

Rob i Allahut! Je krijuar për ta adhuruar Allahun, (Dharijat: 56) dhe më i madhi i adhurimeve në mënyrë absolute është namazi, prandaj shiko se si je në raport me atë për të cilën je krijuar. Do të ringjallesh i vetëm, do të merresh në llogari i vetëm dhe do të shpërblehesh për veprat e tua. Falu dhe shpëto veten tënde, sepse askush nuk mund të falet për ty pas vdekjes tënde.

Mosfalësin e namazit Allahu e quan kriminel!
Kur banorët e Xhennetit i pyesin banorët e Zjarrit: “Çfarë keni bërë ju? Përse përfunduat në Zjarrin e Xhehennemit?” (Ashtu siç pyesin të burgosurit njëri-tjetrin, por këtu, ata që pyesin janë të shpëtuarit.) Xhehennemlinjtë përgjigjen së pari: Ne nuk faleshim!
Allahu na e sjell kështu dialogun mes tyre: “Përveç atyre të djathtëve. Të cilët janë në Xhennet dhe pyesin kriminelët! ‘Çfarë ju solli juve në sekar (Zjarr)?’ Thanë: Ne nuk ishim prej namazlive (Ne nuk falnim namazin)!” (Muddeththir: 39-43) Arsyeja e parë që përmendin si shkak për hyrjen në Zjarr është pikërisht namazi! Çështja është shumë e rrezikshme, prandaj kujdes o musliman! Unë uallahi dua të mirën për ty, nuk dua të të shikoj në Zjarr! Allahu më ruajtë mua dhe ty prej tij!

Dhe së fundi, vëlla dhe motër për hir të Allahut, nëse ti sapo e ke filluar namazin apo e ke të rëndë atë, po të tregoj një sekret që të ndihmon në këtë çështje, e kam fjalën për hadithin ku i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i drejtohet njërit prej shokëve të tij, e merr për dore dhe i thotë: “O Muadh, pasha Allahun unë me të vërtetë të dua, prandaj po të porosis: Kurrsesi mos e lër pa e thënë (këtë dua) pas çdo namazi: ‘All-llahum-me einni ala dhikrike ue shukrike ue husni ibadetik’ (O Zoti im, më ndihmo të të përmend, të të falënderoj dhe të të adhuroj Ty më së miri!)”[5]

Vëllai im! Nëse e thua këtë lutje me sinqeritet pas çdo namazi farz, unë të siguroj se t’i nuk do të diskutosh më faljen e namazit, por do të ngrihesh në fenë e Zotit dhe do të bësh punë edhe më të mëdha, me leje të Allahut.

E lus Allahun e Madhëruar në Lartësi që të ma lehtësojë mua dhe ty dhe të gjithë muslimanëve që ta falin namazin në kohën e vet ashtu siç duhet dhe të na e bëjë të lehtë e të dashur adhurimin e Tij. Me të vërtetë Ai është dëgjues i lutjeve! Dhe paqja e lavdërimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhammed, dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Përgatiti: Emin Bilali

[1] Saktësoi Albani.

[2] Sahihah (1358)

[3] Muslim, nr. 82.

[4] Ahmedi, Ebu Daudi, shiko “Sahih Sunen Ebi Daud” (410) etj. Hadith i saktë.

[5] Transmeton Ebu Daudi – dhe të tjerë – me zinxhir të saktë. Shiko “Rijadus salihin” hadithi nr. 1422.