Pershendetja Islame – ( Selami )

0
246

Falënderimi i takon All-llahut, bekimi dhe paqja qofshin me mësuesin, me Muhammedin, të Dërguarin e All-llaut, i cili i solli dobi njerëzisë, me familjen, shokët dhe me ata që ndoqën udhëzimin e tij.

Çdo bashkësi njerëzore në botë ka përshëndetjen e vet edhe muslimanët pa marr parasysh se ku jetojnë e kanë përshëndetjen e vet “Selamin”.

Në një ajet kuranor thuhet: “Kur përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëndetjen edhe më të mirë, ose ktheni njëjtë ashtu. All-llahu llogarit për çdo send. (Nisa; 86); Pra, nëse u thuhet Selam alejkum, ju ktheni atë me alejkum selam ve rahmetullah, ose njëjtë ashtu, alejkum selam.

Në këtë ajet përmendet Tehijjeh është të urosh jetë të gjatë dikujt. Kjo ishte traditë te arabët, ku u përshëndeteshin me Hajakke-`llah, d.m.th. Tungjatjeta (Tu zgjatë jeta). Por me ardhjen e islamit, u zëvendësua me selamin. Selami është më e mirë se ajo e para, pasi me tungjatjeta i dëshiron vetëm jetë të gjatë dhe në këtë botë, ndërsa me selam, je lutur për të që të mbrohet prej të gjitha fatkeqësive, ku hyn edhe jeta e gjatë dhe e lumtur. Fjala Selam është edhe një ndër emrat e Allahut, pra, kur e përshëndet dikë me selam, ke bërë edhe përmendjen e Allahut, dhe besimtarit që i jep selam i garanton siguri. Gjithashtu, edhe letra nëse është me selam, ti duhet ta kthesh me kthimin e selamit.

Selami, si përshëndetje islame është i njohur qysh me ardhjen e njeriut të parë në tokë, pra bashkë me Ademin a.s. Këtë e vërtetojnë fjalët e Muhammedit a.s. i cili thotë:

“Kur All-llahu xh.sh. krijoi Ademin a.s. tha: O Adem, shko dhe përshëndete atë grup melekësh që janë ulur dhe mbaje mend përshëndetjen që do ta kthejnë ato. Sepse ajo është përshëndetje që do të vlejë edhe për ty edhe për pasardhësit tu. Ademi a.s. shkoi dhe i përshëndeti melekët me selam, kurse ata ia kthyen selamin”.

Nga kjo mund të konkludojmë se me selam njëkohësisht përmendim edhe emrin e All-llahut xh.sh.

Në Kur`an thuhet se kur i erdhën melekët Ibrahimit a.s. me lajmin e gëzueshëm se bashkëshortja e tij, Sara, grua e mëshuar që e kishte humbur edhe shpresën e fundit për të lindur fëmijë, do të lind Is`haku, e përshëndetën me selam dhe ai ua ktheu selamin.

Kjo përshëndetje në gjuhën arabe është : Es-selamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu! Që do të thotë: Paqja, mëshira dhe bereqeti i Zotit qoftë mbi ju! Pastaj kthimi i përshëndetjes është : Ve alejkumus-selamu ve berekatuhu! Që do të thotë: Edhe me ju qofshin paqja, mëshira dhe bereqeti i Zotit!

Nëse e themi në këtë mënyrë selamin, atëherë edhe shpërblimin do ta kemi më të madh. Gjithashtu është cekur se përshëndetja e xhennetlinjëve do të jetë Selami ( Tehijetuhum fijha selam ).

Një herë Pejgamberi a.s. rrinte në shtëpinë e tij me disa shokë të tij. Në ndërkohë erdhi një sahabë dhe tha Eselamu Alejkum, Pejgamberi a.s. ia ktheu dhe tha: Dhjetë. Hyri një tjetër dhe tha: Eselamu alejkum ve rahmetull-llah, Pejgamberi a.s. ia ktheu dhe tha: Njëzetë. Hyri një tjetër dhe tha: Eselamu alejkum ve rahmetull-llahi ve berekatuhu, Pejgamberi a.s. ia ktheu dhe tha:Tridhjetë. Shokët e tij e pyetën Pejgamberin a.s. se çka do të thotë kjo? Ai u përgjigj: Ai i pari që përshëndeti me Eselamu Alejkum fitoi 10 sevabe, i dyti i cili e shtoi ve rahmetull-llahi fitoi 20 sevabe dhe i treti i cili e shtoi ve rahmetull-llahi ve berekatuhu fitoi 30 sevabe. Hasen Garib)1

Parashtrohet pyetja, çfarë dobie kemi prej selamit?! Përgjigjja është se selami na e shton dashurinë, vëllazërinë ndërmjet njëri-tjetrit. All-llahu xh.sh. në një ajet thotë:

“ Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër ”. Gjithashtu edhe Muhammedi a.s. thotë: Nuk do të hyni në xhennet derisa të mos besoni, nuk do të besoni derisa të mos duheni në mes veti, a të ju tregoj në gjë, të cilën nëse e praktikoni do të duheni në mes veti? Sahabët thanë: Po. Pejgamberi a.s. tha: “Përhapeni selamin”.2

Ne e dimë shumë mirë se si është situata te ne. Se sa duhemi ndërmjet veti dhe se sa respektohemi ndërmjet veti. Për t`u afruar ndaj njëri-tjetrit, Muhammedi a.s. thotë: “Në qoftë se doni të jeni sa më të afërt njëri me tjetrin, atëherë përhapeni selamin”.

Besimtari i vërtetë nuk ka të drejtë të përshëndetet me tjetër përshëndetje përveç përshëndetjes islame, përveç në disa raste edhe atë kur takohet me pjesëtarë të feve tjera, edhe në qoftë se ata në atë moment të përshëndesin dhe duhet kthyer ashtu siç ju përshëndesin. Përshëndetjet e tyre çdoherë janë, p.sh.: mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma, tungjatjeta etj. Këto përshëndetje kanë qenë të njohura dhe të cilat i kanë përdorur hebrejtë. Pejgamberi a.s. thotë: “ Më i afërt te All-llahu është ai i cili jep selam”.

Shumë më mirë do të ishte sikur të kishte gara ndërmjet nesh se cili i pari do të japë selam, për shkak se ai i cili jep i pari selam fiton më shumë sevabe, gjegjësisht dhuratë më të madhe tek All-llahu xh.sh. Të jepet selam është Sunnet, ndërsa të kthehet selami është vaxhib Kifaje, pra, mjafton që njëri ta pranoj nga grupi.

Përsëri të kthehemi më pas e të shohim se prej kur muslimanët kanë filluar ta përdorin selamin. Muslimanët e parë filluan ta përdorin selamin kur Muhammedi a.s. shkoi në Mi`raxh. All-llahu xh.sh. e përshëndeti me selam dhe dëshiroi paqe për të. Muhammedi a.s. u përgjigj: Paqja dhe bekimi të jetë tek ne, e kur dëgjoi Xhibrili, menjëherë tha: Nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është pejgamber i Tij.

Mirëpo për fat të keq, besimtarët e kësaj kohe kanë harruar njëri-tjetrin, kanë harruar se pjesëtarë të cilës fe janë, a me atë fillojnë të pranojnë traditat e Perëndimit, të cilat tradita janë në kundërshtim me Kur`anin dhe sunnetin.

Është i njohur rasti i Omerit r.a. i cili në rrugë pa një njeri të dehur dhe e ndoqi deri te shtëpia e tij. Ai u fut në atë shtëpi dhe i tha: Si ec ti nëpër rrugë kështu i dehur, a e din se ke bërë gabim? Njeriu iu përgjigj: Unë ndoshta kam bërë një gabim, por ti ke bërë 3 gabime: e para nuk trokite në derë, e dyta hyre para se të jap leje dhe e treta nuk përshëndete me selam, ndërsa All-llahu xh.sh. thotë:“ O ju që keni besuar, mos hyni në shtëpitë e huaja gjersa nuk u japin leje dhe gjersa banorët e shtëpisë nuk i përshëndet me selam, ajo është më mirë për ju”.

Nga kjo mund të kuptojmë se besimtari nuk guxon të hyjë pa lejen e pronarit dhe pa selam. Këtu Kur`ani udhëzon se kur të shkojmë te ndonjë shtëpi, duhet t`i përshëndesim me selam. Muhammedi a.s. thotë: “Përshëndete me selam atë të cilin e njeh dhe atë të cilin nuk e njeh”.

Ky hadith na e bën me dije se kushdo që të jetë, duhet të jepet selami pa dallim race, gjinie apo moshe. Kur ne e përshëndesim fëmijën e vogël me selam, në këtë mënyrë mund ta mësojmë që ai në të ardhmen të veprojë si ne. Pejgamberi a.s. ka thënë: “O ju njerëz, përdorni selamin, ushqeni të nevojshmit, vazhdoni të jeni në lidhje me të afërmit, faluni gjatë natës kur të tjerët flenë, do të hyni në xhennet me rehati”.

Përshëndetja islame ka edhe rregullat e saja. Muhammedi a.s. thotë: “ Kalorësi hipur në kalë e përshëndet këmbësorin, këmbësori të ulurin, grupi i vogël grupin e madh, i riu plakun e kështu me radhë”. Gjithashtu ka raste kur nuk është e pëlqyeshme dhënia e selamit, e ato raste janë: kur dikush lexon Kur`an, kur dikush falet, kur dikush ligjëron, kur thërret ezani, ai që avretin e ka të zbuluar ose është në nevojtore, ai që gjendet në banje, kur dikush është në gjumë, në mexhlis të diturisë, kur është duke ngrënë ushqim etj. Po ashtu nuk i jepet selam atij që është duke bërë mëkat si p.sh. nëse është duke luajtur bixhoz ose duke pirë alkool etj, sepse kjo është mëkat e selami adhurim. Po ashtu Islami u jep vend të posaçëm edhe të vdekurve. Me rastin e vizitave të varrezave, apo gjatë kalimit rreth tyre, të vdekurit duhet përshëndetur me këto fjalë:

Es-selamu alejkum dare kaumin mu`minin ve inna inshaallah bikum lahikun.

“Paqja e All-llahut qoftë mbi ju o banorë të varrezave! All-llahu na i faltë mëkatet neve dhe juve”.

Islami ka caktuar selamin si përshëndetje në mënyrë të ndërsjellë mes muslimanëve.

Një herë Umejr ibën Vehb hyri në mexhlisin e Muhammedit a.s. me qëllim që ta mbysë. E përshëndeti me përshëndetjen arabe që ua bënin udhëheqësve: Ebejtel-leane- refuzon mallkimin”. Muhammedi a.s. i tha: “All-llahu në vend të saj na ka sjellë një përshëndetje tjetër më të mirë: Esselamu alejkum”. Pastaj Umejr ibën Vehbi pranoi Islamin. Këtë përshëndetje Islame nuk e zëvendëson asnjë përshëndetje tjetër.

Pasi të jepet selami nuk është dëm të thuhet: merhaba, mirëdita etj. Transmetohet nga Aisheja r.a. se Muhammedi a.s. bijës së vet Fatimes i ka thënë: “Merhaba bija ime”.

Enesi r.a. tregon: Se një njeri i ka thënë alejhi selamit: ” O Pejgamber i All-llahut, kur dikush prej nesh e takon vëllanë e vet ose mikun e vet, a duhet ti përulet? ” Jo ” iu përgjigj Alejhisselami.” A duhet të përqafojmë dhe puthë?” Jo” tha Alejhisselami. ” A duhet të kapemi për dore?”Po” Ju përgjigj Muhammedi s.a.v.s.

Gjithashtu selamin e plotëson kapja për dore. U pyet Enesi r.a. se kapja për dore a përdorej mes sahabëve të Muhammedit a.s.? Tha: Po.

Imam Neveviu ka thënë: “Kapja për dore gjatë takimit është sunnet me ixhmain e të gjithëve. Nga ky rregull përjashtohet folja e grave të huaja për dore”.

Në një rast e kanë pyetur Muhamedin a.s.: Çka është më së miri të punohet prej veprave Islame? Në çka ai është përgjigjur: ” Me dhënë selam, më e ushqyer me bukë atë çka e njeh dhe atë çka nuk e njeh”.

Po ashtu Pejgamberi a.s. thotë: “Kur të vjen ndokush prej jush në ndonjë vend ku rrinë njerëzit, le të jep selam, e edhe kur të çohet dhe ndahet prej atij mexhlisi, le të jep selam, sepse sikur i dyti ashtu edhe i treti janë të preferueshëm”.

Gjithashtu është e njohur se sahabët kur u takoheshin, jepnin selam, e nëse gjatë rrugës i ndante ndonjë dru, ata përsëri i jepnin selam njëri-tjetrit.

Po ashtu Pejgamberi a.s. ka thënë se: Mos i përshëndetni hebrenjtë dhe të krishterët të parët…” 3

“…e mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): “Nuk je besimtarë!”… (Nisa, 94) pra, nëse ata e shprehin përshëndetjen me selam, konsiderohet besimtarë.

Pra ne si muslimanë duhet ta praktikojmë këtë sunnet e jo ta lëmë pas shpine, gjithashtu duhet t`i urdhërojmë edhe fëmijët tanë ta praktikojnë. All-llahu xh.sh. na udhëzoftë në rrugën e drejtë. Falenderimi i takon All-llahut, Zotit të botërave.

Për selamin po ashtu flet sureja Nur, ajeti 61;

1 Ahmedi, vëll. IV, f. 439; Ebu Davudi vëll. V f. 379; Tuhfetul Ahfedhij i Tirmidhiut vëll VII f. 463 dhe Keshful Estar vëll. 2 f. 418;

2 Ebu Davudi vëll. V f. 378

3 Muslimi vëll. IV f. 1707

/KBI-Bujanoc.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here