Operacioni plastik a është gjynah?

0
355

Pyetje: esselamu alejkum hoxhë? Operacioni plastik a është gjynah?

Përgjigje:

Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut…

Lidhur me këtë temë janë bërë shumë pyetje dhe për të marrë një përgjigje sa më të saktë për qëndrimin fetar, e kam parë të udhës t’ju sjell pjesërisht punimin e hoxhës Alaudin Abazi që e ka botuar në revistën Albislam, në Shkurt të vitit 2008.

Çfarë nënkuptojmë me operacione plastike

Me operacione plastike nënkuptojmë ndërhyrjet kirurgjike me të cilat bëhet rregullimi i defekteve të lëkurës dhe pjesëve të trupit, apo të funksioneve të tyre, qofshin të meta prezente që në lindje ose të shkaktuara më vonë në rrethana të ndryshme. Realizimi i operacioneve plastike mund të jetë edhe për qëllime estetike. Me fjalë tjera mund të kanë synim edhe zbukurimin e pjesëve të caktuara të trupit. Dega kozmetike e operacioneve plastike është e lidhur me zbukurimin e organeve të trupit e cila kryesisht bëhet në sipërfaqen e lëkurës, ose në dukjen e ndonjë organi të trupit. Shembuj të këtyre ndërhyrjeve janë edhe operacionet në lëkurën e fytyrës, rregullimet e hundës (rinoplastikë), ndërhyrjet kirurgjikale në vesh (otoplastikë), largimi i rrudhave nga pjesa e syve (blefaroplastikë), ndërhyrjet në goks (mastoplastikë), etj.

Ndarja e operacioneve plastike

Nga ajo që u përmend më lartë mund të themi se kemi lloje të shumta të ndërhyrjeve kirurgjike por në formë të përgjithësuar ato klasifikohen në dy kategori:

1.    Operacionet plastike të domosdoshme ose të nevojshme.

2.    Operacione plastike zbukuruese

1.    Operacionet plastike të domosdoshme

Janë ato ndërhyrje që kanë për qëllim largimin e të metave qofshin ato të meta, defekte, dëmtime apo deformime trupore. Ndërhyrja kirurgjike në këto raste mund të jetë e domosdoshme për shkak të shëndetit të pacientit, me fjalë tjera kërkohet nga mjeku të kryej operacionin për shkak të shërimit të pacientit.  Mirëpo në disa raste tjera, ndërhyrja mund të mos jetë e domosdoshme por në këto raste operimi bëhet për të mënjanuar ato  dëmtime të cilat nuk cenojnë shëndetin e pacientit edhe nëse lihen ashtu.

Gjatë rasteve kur të metat dhe deformimet janë prezente, pa marrë parasysh a janë të shkaktuar nga rrethanat e brendshme apo të jashtme, atëherë ndërhyrja kirurgjike është e lejuar.

Këto të meta janë të dëmshme për personin, qoftë konkretisht qoftë edhe shpirtërisht, prandaj lejimi i kirurgjisë plastike për këta persona është i lejuar, madje në shumë raste është edhe i domosdoshëm, nëse ka të bëjë me rrezikimin e shëndetit, sikurse rastet e djegies, etj.

Ebu Davudi në sunenin e tij tregon se njëri nga sehabët gjatë një beteje e humbi hundën dhe Muhamedi (sallahu alejhi ue selem) i`a lejoi ta zëvendësojë me hundë të arit.

Ky hadith është argument i qartë në lejimin e operacioneve plastike në rastet e pësimit të aksidenteve të ndryshme.

2.    Operacione plastike zbukuruese

Janë ato ndërhyrje kirurgjike me të cilat zbukurojmë dukjen e pjesëve të caktuara të trupit. Pra këto operacione nuk kanë për qëllim mënjanimin e ndonjë të mete apo defekti në trup por janë me qëllim të përmirësimit të dukjes, shtimit të bukurisë, estetikës dhe perfeksionit të trupit.

a)    Llojet e operacioneve plastike zbukuruese

Operacionet plastike zbukuruese janë dy lloje:

Lloji i parë: Ndërhyrjet në ndryshimin e formës së pjesëve të caktuara të trupit në të gjitha moshat, si:

– Zbukurimi i hundës duke e zvogëluar apo ndryshuar formën.

– Zbukurimi i nofullës së poshtme duke e zvogëluar ashtin apo zmadhuar me vënien e  mjekrës artificiale.

– Zbukurimi i gjoksit te femrat qoftë me ndryshimin e formës së tyre duke vënë në brendësi  silikon, ose me rritjen e tyre me disa lloje të injeksioneve.

– Zbukurimi i veshëve duke i kthyer ato mbrapa nëse janë të daltë.

– Zbukurimi i barkut duke tërhequr lëkurën dhe duke mënjanuar një pjesë të saj, etj

 Lloji i dytë: Ndërhyrjet te personat më të moshuar me qëllim të largimit të shenjave të plakjes si:

– Mënjanimi i rrudhave në fytyrë duke bërë tërheqjen e lëkurës.

– Ngritja e vetullave, pasi që ato gjatë viteve bien poshtë.

– Zbukurimi i pjesës së prapme të trupit duke mënjanuar dhjamin.

– Zbukurimi i duarve duke bërë tërheqjen e rrudhave që janë prezent te të moshuarit, etj.

b)   Reziqet gjatë kryerjes së këtyre operacioneve

Edhe pse në revistat shkencore nuk publikojnë shumë studime rreth kundërindikacioneve dhe rreziqeve gjatë operacioneve plastike kozmetike, le të marrim si shembull ndërhyrjen në “liposuction” (ndërhyrja plastike në pjesën e prapme të njeriut). Si kanë llogaritur hulumtuesit e një universiteti amerikan në lidhje me operacionet plastike, thuhet se në 5 mijë ndërhyrje të praktikuara në “liposuction” nga kirurgë plastikë të specializuar, ka një rast vdekjeje. Nëse ky fakt është i vërtetë, në Spanjë vetëm në vitin 2003 janë bërë 60 mijë ndërhyrje “liposuction”, çka do të thotë që çdo muaj kemi një rast vdekjeje vetëm për ndërhyrjen e “liposuction”.

Dështimi dhe përsëritja e këtyre operacioneve është shumë e shpeshtë.  “Revista Britanike e Operacionit Plastik” (British Journal of Plactic Surgery), në vitin 1995 vinte në dukje se 37,6% e femrave të operuara një herë në mastoplastikë (kirurgjia e gjirit) duhej të operoheshin sërish. Kjo është kështu për shkak se indet në kontakt me protezat reagojnë duke formuar një kapsulë indesh fibroze, që me kalimin e kohës tkurren duke deformuar gjoksin, i cili bëhet asimetrik, pra një femër ka gjinj të përmasave të ndryshme. Këto raste u përkasin operacioneve të dështuara.

Në një shtet të Evropës Perëndimore, mesatarisht gjatë një viti kryhen operacione gjiri gjatë të cilave vendosen 25 mijë proteza për të mbushur gjoksin. Sipas një kirurgu, në 50 operacione të bëra, 38 janë persona të operuar më parë (keq) nga kirurgë të tjetër.

Duke i pasur parasysh rreziqet e mundshme dhe kundërindikacionet që mund të shkaktohen, ekspertët e kësaj fushe u sugjerojnë atyre që kanë vendosur pa nevojë që para se t`i nënshtrohen briskut të kirurgut të kontaktojnë me shoqatën e kirurgëve për operacionet plastike (pothuajse në çdo vend të zhvilluar gjendet një e tillë). Nga këshillat e vlefshme që vjen vetë nga këta mjekë është: “Kirurgjia plastike mund t‘ju bëjë të ndiheni bukur për pak kohë, por mos rrezikoni jetën tuaj për një aventurë të momentit”.

c)    Dispozita sheriatike rreth operacioneve plastike zbukuruese

Allahu i Lartësuar e krijoi njeriu në formën më të përsosur, në Kuran thuhet: “Allahu është Ai që ua bëri tokën vendbanim e qiellin kulm, dhe ju formësoi, e formën tuaj e bëri më të mirë dhe ju pajisi me të mira. Ky është All-llahu, Zoti juaj, i lartë, pra është All-llahu, Zot i botëve!” (Gafir, 64)

Zbukurimi dhe dukja e mirë në Islam, konsiderohet nga gjërat e lejuara dhe të preferuara. Për këtë kemi argumente të shumta; ndër to urdhri i Allahut të Lartësuar që të dukemi mirë gjatë shkuarjes në xhami, thënia e Muhamedit salallahu alejhi ue selem: “Vërtet Allahu është i bukur dhe e do të bukurën”, pastaj përdorimi i parfumit dhe erërave të mira, etj.

Mirëpo çdo gjë ka kufirin e vetë dhe sikurse që në esencë është e lejuar të ushqehemi, pastaj ndalohemi që të ushqehemi me gjëra të dëmshme për organizmin tonë (si mishi i derrit dhe alkooli), ashtu kemi edhe kufij me mënyrën dhe gjërat të cilat lejohet të zbukurohemi.

Me këto operacione rrezikohet jeta dhe shëndeti i individëve të shëndoshë, meshkuj, femra dhe tani gjithnjë e më shpesh edhe të mitur. Për këtë ky veprim është i ndaluar.

Kurse argumentet që ndalojnë aplikimin e kirurgjisë plastike zbukuruese janë:

Argumenti i parë:

Allahu i Lartësuar tregon se si shejtani do të tentoj t`i devijoj njerëzit me mënyra të shumta, ndër to: “… do ti urdhëroj dhe ata do të ndryshojnë (shëmtojnë) krijesat e Allahut. E kush bën mik djallin, e jo All-llahun, ai ka dështuar sheshazi.”(Nisa, 119)

Nga ky ajet kuptojmë se nga gjërat me të cilat shejtani do t`i nxit njerëzit të mëkatojnë dhe ta pasojnë atë është ndryshimi i pamjes së krijesave të Allahut. Kirurgjia plastike bënë pjesë në veprime me të cilat bëhet ndryshimi i pamjes së njerëzve.

 Argumenti i dytë:

Buhariu dhe Muslimi shënojnë një hadith në të cilin Abdullah Ibën Mesudi thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) duke e mallkuar atë që bënë tatuazh, heqësen e qimeve dhe ato që zbukurojnë dhëmbët që t`u duken më të bukur dhe ndryshojnë pamjen e krijesave të Allahut”.

Në hadith është bashkuar në mes të dukjes së bukur dhe ndryshimit të pamjes dhe këto dy gjëra janë evidente gjatë kirurgjisë plastike për zbukurim.

Argumenti i tretë:

Në shumicën e rasteve këto ndërhyrje përmbajnë mashtrim dhe tradhti, sikurse rikthimi i dukjes së re te të moshuarat. Mashtrimi dhe gënjeshtra është e ndaluar në Islam dhe kjo mund të përdoret në raste të martesave që të mashtrohet partneri me dukjen e saj, duke fshehur moshën e saktë.

Argumenti i katërt:

Gjatë kryerjes së operacionit njeriu i nënshtrohet disa ndalesave dhe haramave si: përzierja me burra, respektivisht me gra të huaja, humbja e vetëdijes me anestezion, pasi që anestezioni është i lejuar vetëm kur kjo është e nevojshme dhe në këtë rast ndërhyrja është e panevojshme, prandaj shkelja e këtyre ndalesave me qëllim të pasioneve dhe epsheve të njeriut është e ndaluar.

Argumenti  i pestë:

Kryerja e këtyre operimeve mund të shkaktojnë rreziqe të ndryshme përmasa e të cilave mund të shkaktojnë edhe vdekje. Më lartë pamë rreziqet e mundshme të cilave i`u nënshtrohet njeriu pa nevojë gjatë kirurgjisë plastike për zbukurim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here