Iblisi u mallkua dhe u largua nga vendi i krenarisë, sepse nuk bëri një sexhde të vetme për të cilën u urdhërua.
Ademi doli prej Xhenetit për një kafshatë që hëngri.
E vrasësi do të privohet prej Xhenetit pasi ta shohë atë me sy, për një grusht gjak që derdhi pa të drejtë.
Zoti urdhëroi për vrasjen e imoralit si s’ka më keq, vetëm pse organin e tij e futi sa një majë gishti, aty ku nuk i lejohej.
Ai urdhëroi që të rrihet kushdo që shpif apo pi ndonjë gllënjkë alkool.
Urdhëroi të të presin dorën, vetëm për tri dërhem vjedhje.
E pra, a nuk mendon se Ai mund të të izolojë në zjarr për një gjynah që ti mund të bësh “pa iu frikësuar pasojave të tij (dënimit)” (Kurani, 91:15) “Një grua u fut në zjarr për shkak të një maceje.”(Shih Sahih Buhari, nr. 2365.) “Njeriu mund të thotë një fjalë që s’i kushton rëndësi, dhe për shkak të saj hidhet thellë në zjarr.” (Shih Sahih Buhari, nr. 6477)
Një njeri mund të jetojë duke iu bindur Allahut për gjashtëdhjetë vjet dhe kur i vjen vdekja, lë një amanet të padrejtë, duke i mbyllur punët me të dhe shkon për shkak të tij në zjarr.
Atij që i prishet abdesi para se të japë selam, i tërë namazi që ka falur deri në atë çast i shkon pa vlerë.
Atij që e prish agjërimin, qoftë edhe pak para perëndimit të diellit, agjërimi i humbet pa vlerë.
E kush vepron keq në fund të jetës, me atë vepër ai do ta takojë Zotin e tij.
Nëse jep lëmoshë në këtë jetë, atë do ta gjesh në jetën tjetër, por koprracia dhe pangopësia nuk të lënë.
Sa herë që sevapi ka ardhur te ti dhe ka qëndruar në portën tënde, portieri i “do të…”, “ndoshta…” dhe “mbase…”, e ka përzënë atë.
Si mund të shpëtosh me një besim të mangët, shpresë të tepruar, sëmundje pa mjekim e pa vizita, me epshe të ndezura, me një mendje të fjetur, i shkujdesur, i dehur në verbëri, i zhytur në pellgun e padijes, i pakënaqur me Zotin, i kënaqur me njerëzit, përmendja e njerëzve të jep forcë dhe ëmbëlsi, e ndërsa përmendja e Zotit të burgos e të brengos, Zotit i kushtohesh kaq pak, ndërsa zemrën dhe bindjen e ke diku tjetër?!
Ibn Kajim El Xheuzije – EL FEUAID, f. 78-79.
Burimi i Jetës
26.11.2017