O prindër, ku i keni këto cilësi?!

0
225

O prindër, ku i keni këto cilësi?!
Prindi për të krijuar një familje të shëndoshë dhe progresive duhet doemos të stoliset me disa cilësi që e ndihmojnë procesin e edukimit të tyre. Ndër to, ne do t’i veçojmë disa në këtë shkrim të shkurtër:

1- Shëmbëlltyra.

Shëmbëlltyra konsiderohet prej cilësive më me rëndësi në edukimin e fëmijëve. Këtij elementi muslimanet e pare i kanë kushtuar një kujdes të madh. Për ta vërtetuar këtë po ju përmend një rast kur Amër ibën Utbe e porositi edukatorin e fëmijëve të tij duke i thënë: Fillimisht përmirëso veten e pastaj fillo me fëmijët, sepse sytë e tyre janë të lidhur me syrin tënd. E mirë tek ata është ajo që vepron ti, kurse e ligë tek ata është ajo që e len ti. Pra, fëmijët nuk janë në gjendje t’i kuptojnë gjërat vetë e as me të dëgjuar, kur jua thua me gojë. Ata kanë nevojë për një shëmbëlltyrë e ajo shëmbëlltyrë është prindi.

2-Dashuria dhe mëshira

Na përcillet nga Abdullah ibën Amër radijallahu anhu, se Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk është nga ne ai që nuk i mëshiron fëmijët dhe nuk i respekton të mëdhenjtë.” Na përcillet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu, se Ekra ibën Habisi e ka parë Resulullahun sal-lallahu alejhi ue selem duke puthur nipin e tij Hasanin dhe i kishte thënë, se ai kishte njëmbëdhjetë fëmijë, por asnjërin prej tyre nuk e kishte puthur asnjëherë. Në këtë rast Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem shpalosi një platformë, e cila vlen për çdo edukator, kur tha: “Kush nuk mëshiron nuk mëshirohet.” Pra, Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem puthjen e fëmijëve e konsideronte mëshirë për ta. Një dukuri të tillë duhet ta kultivojë çdo prind dhe edukator, sepse është metodologji profetike për edukimin e tyre.

3-Drejtësia.

Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem na ka urdhëruar që të tregohemi të drejtë mes fëmijëve, kur t’u japim atyre diçka, ai thotë: “Kur t’u jepni atyre, jini të drejtë.” Kur është në pyetje drejtësia mes fëmijëve prindi duhet të jetë shumë vigjilent dhe i kujdesshëm ndaj tyre, duke mos lënë hapësirë, që të krijohet zilia dhe urrejtja mes tyre, sepse një gjë e tillë mund të ndikojë negativisht në edukimin e tyre.

4-Bashkimi (qendrimi) me ta.

Çdo besimtar është i detyruar ta ndjekë Resulullahun sal-lallahu alejhi ue selem në çdo aspekt. Prandaj edhe prindi duhet të sillet me fëmijët e vet, ashtu si ka vepruar Resulullahu sal-lallahu alejhi ue selem me fëmijët dhe nipat e tij. Sahabet na përcjellin, se Resulullahu i merrte në krah Hasanin dhe Husejnin e nganjëherë ata i hipnin në shpinë e ai lozte me ta, por ka pasur edhe raste kur ata kanë qenë në krahun e Resulullahut sal-lallahu alejhi ue selem dhe e kanë kryer edhe nevojën e tyre. Ai vepronte kështu, që njerëzit ta ndjekin atë dhe ta kuptojnë, se një lëvizje e tillë e ndihmon procesin e edukimit të fëmijës.

5-Urtësia në këshilla.

Prindi duhet të jetë shumë vigjilent, kur e edukon fëmijën e vet. Ai duhet të përdorë një metodologji, e cila nuk krijon urrejtje mes prindit dhe fëmijës. Kjo mund të arrihet atëherë kur prindi i jep fëmijës liri, por pa i tejkaluar kufijtë. Ai nuk duhet të tregohet shumë rigoroz në praktikimin e rregullit shtëpiak e as shumë tolerant, por të gjejë një mesatare, si dhe të mos kërkojë detyrime prej fëmijëve, të cilat janë për të mëdhenjtë, derisa fëmija të jetë në moshën e vogël.

6-Lutja per ta.

Duhet të dimë se lutja e prindit për fëmijën e tij është e pranuar. Lutja e prindit për fëmijën e vet është edhe adhurim. Pra, prindi asnjëherë nuk duhet ta ndalë lutjen për fëmijët e vet. Këtë mund ta kuptojmë duke lexuar Kuranin Famëlartë, ku shohim se edhe pejgamberët e Allahut subhanehu ue teala janë lutur për pasardhësit e tyre. Në suren Ibrahim, Allahu subhanehu ue teala thotë: “Kur Ibrahimi tha: Zoti im! bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.” Ibrahim 35. Rastin tjetër e kemi kur Zekerija alejhi selem i lutej Allahut subhanehu ue teala, që t’i japë pasardhës të mirë, duke thënë: “Zoti im më fal mua nga ana Juaj një pasardhës të mirë, me të vërtet ti je dëgjues i lutjes!” Ali Imran 38.

Një njeri erdhi tek Abdullah ibën Mubareku dhe iu ankua për fëmijën e vet. Abdullah ibën Mubareku i tha: “A je lutur ndonjëherë për atë.” Ai tha jo. Abdullah ibën Mubareku i tha: “Ti vetë je bërë shkak për një gjë të tillë.” Pra, prindi asnjëherë nuk duhet të jetë i pakujdesshëm ndaj lutjeve që bën, sepse Allahu subhanehu ue teala thotë: “Zoti juaj ka thënë: Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj meje, do të hynë në xhehenem.” Gafir 60.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here