A nuk e di ai (njeriu) se Allahu e sheh?

0
222

Tregohet se një person erdhi te dijetari i shquar algjerian, Shejh Atije Mesudi (v. 1989) dhe e pyeti: Zotëria im, dëgjojmë shpesh njerëzit të flasin për gogolin, çfarë është ai? Hoxha, që njihej për zgjuarsinë dhe inteligjencën e tij, ia ktheu: “A ke dëshirë ta shohësh e ta njohësh gogolin?” Personi pohoi. Hoxha vazhdoi: “Hiqe frikën e Allahut nga zemra jote dhe turpin nga fytyra jote, do të bëhesh ti vetë gogol!”

Në shënimet e tij mbi edukatën dhe moralin e myslimanit, Shejh Muhamed el-Gazali, ndër të tjera thekson se: “Turpi është shenjë e sinqertë e natyrës së njeriut. Ai zbulon vlerën e besimit dhe masën e edukatës së tij… Islami i ka porositur bijtë e tij të jenë të turpshëm… Ebu Said el-Khudri r.a. tregon se: “Resulullahu a.s. ishte më i turpshëm se vajza e re në dhomën e saj dhe, kur nuk e pëlqente diçka, e kuptonim nga fytyra e tij”[4] … Dhe kur njeriu e humb turpin e tij, ai humb edhe besën e tij dhe kthehet në një egërsirë…”[5]

Në përkufizimet e ndryshme që i janë bërë turpit, ndër të tjera është thënë se ai është: “Ndalimi përpara krejt gjërave që mendja i sheh si të pështira, që shija i refuzon, si dhe mospëlqimi i çdo gjëje që nuk e pëlqen as Krijuesi, as krijesa.”[6]

“Shenjë e turpit të njeriut me njerëzit është edhe respektimi i të drejtave të tjetrit dhe vlerësimi i mirësisë së tij. Fëmija me më të madhin dhe nxënësi me mësuesit e tij, duhet të sillen me edukatë dhe respekt, duke mos e ngritur zërin mbi zërin e tyre, duke mos ecur përpara tyre. Në hadith thuhet: “Jini modestë ndaj atyre që ju mësojnë.”[7]…”[8]

Të dashur besimtarë,

Mesazhi i kësaj jave lidhet pikërisht me turpin dhe domosdoshmërinë e rikthimit të shoqërisë shqiptare te ky moral, që duket se dita-ditës po perëndon nga shumë mjedise, shtëpi, individë e institucione.

Kur njeriu nuk e ka më frikë Zotin, nuk ka as turp, nuk ka më as besë, nuk ka më as mëshirë, nuk ka më as njerzillëk, dalëngadalë largohet dhe del nga kornizat që përkufizojnë një njeri normal, me virtyte e vlera, me besim e vullnet të mirë për të ndërtuar, jo për të shkatërruar në jetë.

A e shihni se si ditë pas dite fëmijët dhe të rinjtë po zhvishen nga turpi, duke folur e vepruar sipas një planifikimi të mirëfilltë të armiqve të moralit, besimit dhe njerzillëkut?

A e shihni se si ditë pas dite rinia shqiptare tërhiqet drejt imoralitetit në të folur, në të menduar e në të vepruar? Ku është turpi në shkollat e vendit tonë, ku fëmijët nuk kanë më respekt për mësuesin, për dijen, për lartësimin në shkallët e dijes dhe moralit? Ku është turpi në familje, kur orët më të shumta fëmijët i kalojnë duke ndjekur emisione e filma, pa asnjë lloj kontrolli, fakt që shkakton heqjen e cipës së turpit nga fëmija dhe i riu, në praninë e të cilit prindi sheh çfarë nuk duhet parë, dëgjon çfarë nuk duhet dëgjuar etj?

Ku është turpi në gjuhët e shumë të rinjve dhe fëmijëve të kësaj kohe, në gjuhët e të cilëve qëndrojnë si ushtarë të bindur lloj-lloj fjalësh e sharjes, të cilat është turp t’i dëgjosh jo më t’i përmendësh? Dhe, jam i bindur se të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj pike.

Në këtë pikë më kujtohet sërish një citim i urtë nga faqet e revistës “Zani i Naltë”, ku autori, teksa i referohet degjenerimit të fjalorit të rinisë në vitin 1926, ndër të tjera thekson se: “Të shartë dëfton tri sende, tri sëmundje: 1. Ose njeni që përdorë fjalë të ndyra dhe të liga, është nji njeri i lik me zemër të keqe, pa dhimpshuri dhe naltësi shpirti. 2. Ose ka një edukatë harbute i rritun me njerëz pa arsim dhe pa delikatesë. 3. Ose është indiferent, nuk ve re çë thotë, nuk shquen të mirën nga e keqja, rron si nji drû, si nji dhí e egër, vetëm me lumtërin e nevojës dhe të dëfrimit t’ultë…”[9]

Është e habitshme kur dëgjon në realitetet e sotme, kur prindi e nxit fëmijën e vet të shajë e të përdorë fjalë nga më të pistat, ndërkohë që qeshet me të madhe, ai dhe krejt të pranishmit, kur fëmija i bindet, pa e ditur se çfarë po nxjerr nga goja, por edhe pa e ditur të gjithë së bashku dëmin e madh që i bëhet kësaj krijese, që mëkohet me mungesën e turpit dhe shqyerjen e perdes së tij që në vitet e para të jetës!

Ndërkohë, ne si besimtarë, familjet e fëmijët tanë, shoqëria jonë islame, jemi të ftuar ta posedojmë moralin e turpit në jetë; ai nuk është dobësi, as frikë, as mungesë guximi, përkundrazi, kur të humbet uji i fytyrës, as gjaku nuk të ka më asnjë vlerë.

Hz. Muhamedi a.s. thoshte se: “Turpi nuk sjell vetëm se mirësi”[10], ndërsa në transmetimin tjetër: “Turpi është krejt mirësi”[11]. Ndërsa sahabiu i nderuar Hudhejfe ibnul-Jemani r.a. thoshte: “Nuk ka mirësi në një njeri që nuk ka turp prej njerëzve!”[12]

Në përfundim të kësaj hytbeje,

Transmetohet se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kini turp nga Allahu ashtu si duhet!” Sahabët thanë: “Ja Resulallah, ne kemi turp, elhamdulilah!” Tha: “Nuk është ajo! Të kesh turp nga Allahu ashtu si duhet, do të thotë të ruash kokën dhe çfarë ka kuptuar, të ruash barkun dhe çfarë ka zënë, të kujtosh vdekjen dhe shuarjen. Ai që e do jetën e përtejme, heq dorë nga zbukurimet e kësaj bote. Ai që i bën këto, është turpëruar nga Allahu ashtu si duhet!”[13] [14]

Muhamed B. Sytari

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here