Një studim tridhjetëvjeçar konstaton se duhanpirësit janë më jetëshkurtër dhe u ekspozohen më tepër sëmundjeve

0
228

4,9 milionë njerëz vdesin çdo vit prej pasojave të konsumimit të duhanit. Këto të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se pirja e duhanit është shkaku më i shpeshtë i vdekjeve, i cili mund të mënjanohet. Çdo ditë shohim studime mjekësore rreth ndikimeve negative të duhanit te duhanpirësi. Ky studim ka përfshirë 45 mijë njerëz dhe konstaton se duhani çon në sëmundje të rrezikshme…
Islami e ndalon duhanin. Këtë e vërtetojnë shumica absolute e dijetarëve muslimanë, mirëpo disa duhanpirës e kundërshtojnë këtë me faktin se duhani nuk është përmendur në Kuran e as në Sunet. Do të orvatemi të cekim një cikël studimesh shkencore rreth rrezikshmërisë së këtij fenomeni dhe ndikimit negativ për individin dhe shoqërinë me synim që të bindet çdo duhanpirës dhe ta braktisë këtë ves të keq.
Ekzistojnë indikacione të forta rreth lidhjes së duhanit me përqindjen e të vdekurve. Në këtë përfundim ka arritur një studim shkencor norvegjez i cili ka zgjatur më shumë se 30 vite dhe ka përfshirë rreth 45 mijë burrë e gra. Studimi ka konstatuar se jokonsumuesit e duhanit jetojnë një periudhë më të gjatë sesa konsumuesit e tij dhe ata më pak i ekspozohen sëmundjeve të zemrës.
Studimi norvegjez, i cili ka filluar në vitin 1974, ka arritur në përfundimin se ata që nuk konsumojnë duhan jetojnë një periudhë më të gjatë sesa duhanpirësit dhe njëkohësisht rastet e goditjes me sëmundjet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut tek ata janë më të pakta. Rezultatet e këtij studimi janë paraqitur gjatë sesionit vjetor të organizatës së studimit të sëmundjeve të zemrës në Stokholm.
Sipas studimit, 45 % e duhanpirësve të “etshëm” gjatë periudhës së studimit kanë vdekur, por vetëm 18 % e joduhanpirësve. 33 % e grave duhanpirëse gjatë studimit kanë vdekur, në krahasim me 13 % të atyre që nuk konsumonin duhan. Studimi gjithashtu ka vlerësuar se kush konsumon më shumë 20 cigare në ditë konsiderohet “duhanpirës i etshëm”.
Studimi gjithashtu ka konstatuar se 21 % e duhanpirësve që ka përfshirë studimi janë goditur nga infarkte të zemrës, përderisa nga joduhanpirësit janë goditur 10 %. Haakon Meyer, profesor në Universitetin e Oslos, thotë: “Rezultatet e studimit sqarojnë “ndikimet e fuqishme të duhanit në përqindjen e vdekjes” Gjithashtu Meyer shton duke thënë: “Gjatë 30 viteve kanë vdekur përafërsisht 2/3 e pjesëmarrësve të duhanpirësve në studim kanë vdekur dhe gjysma e femrave duhanpirëse. Mosha e pjesëmarrësve kur studimi ka nisur sillej 35 deri 49 vjet dhe 13 mijë prej tyre kanë vdekur.

Fuqia e Islamit në trajtimin e këtij fenomeni

Shikoni botën perëndimore dhe ligjet e saj se si ngatërrohen çdo ditë dhe nuk arrijnë ta shërojnë këtë fenomen, përderisa Islami e ka shëruar këtë fenomen qysh në fillim të paraqitjes së tij. Islami e ka ndaluar dëmin sipas rregullës së artë “nuk ka dëm e as dëmtim reciprok”. Duhani konsiderohet dëm për duhanpirësin, shoqërinë dhe për ambientin.
Gjithashtu konsumimi i duhanit konsiderohet prej llojeve të narkotikëve të cilët ia humbin njeriun kontrollin e plotë mbi veten. Islami ndalon çdo gjë që çon në çrregullim psikik. Duhani konsiderohet vetëvrasje e ngadalshme dhe mbytje e vetes. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet Allahu është i Mëshirshëm me ju.” (Nisa, 29). Duhani është nga lloji i shkatërrimit të vetes. Allahu i Madhërishëm thotë: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira; Allahu me të vërtet i do bamirësit” (Bekare, 195)
Kësisoj, mësimet e Kuranit dhe të Sunetit janë të mjaftueshme për besimtarin që t’i zbatojë urdhrat e Allahut dhe të largohet nga duhani, gjersa vërejmë shkencëtarët perëndimorë paralajmërojnë dhe shpenzojnë miliarda por pa sukses. Prandaj, Islami është fe e cila thërret në dobinë e njerëzimit dhe drejt lumturisë së saj.

Hapat praktikë për braktisjen e duhanit

1- Ndryshimi konsiderohet prej planeve më të rëndësishme për braktisjen e duhanit. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete” (Rad, 11). Ti duhet të ndryshosh pikëpamjen tënde rreth duhanit, ta konsiderosh epidemi dhe sëmundje nga e cila duhet të çlirohesh.
2- Lutja me sinqeritet. Allahu thotë: “Nëse nga Allahu të godet ndonjë fatkeqësi, atëherë askush përveç Tij nuk mund të të shpëtojë. E, nëse të dhuron ndonjë mirësi, dije se vetëm Ai është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Enam, 17). Nga kjo fatkeqësi askush nuk mund të të shpëtojë përveç Allahut të Lartësuar.
3- Orvatu të largohesh nga duhanpirësit sa më shumë, me përpjekjen e braktisjes së tij përfundimisht dhe përsëriti përpjekjet ngase disa përpjekje mund të dështojnë, kështu që patjetër duhet vazhdimësi përpjekjesh. Mos thuaj u përpoqa dhe dështova, por thuaj do të vazhdoj derisa Allahu ta largojë këtë të keqe nga unë.
4- Varësia thjesht është një iluzion! Mos imagjino se nuk ke mundësi ta braktisësh këtë ves të keq. Madje, gjëja më e lehtë është braktisja e duhanit, por me mbështetjen tek Allahu, me nisjen e leximit të Kuranit, me meditimi nga leximi i tij dhe gjithnjë të kujtuarit e hadithit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, “Kush lë diçka për hir të Allahut, Ai ia kompenson atij me diçka më të mirë se ajo.”
Në fund, ky hadith madhështor ka qenë shkak për krijimin e ndryshimit të madh në jetën besimtarëve, përse nuk e bën shkak për ndryshimin e jetës tënde dhe ta braktisësh këtë duhan vrasës?

Përgatiti: Almedin Ejupi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here