Netët e mira në kalendarin islam (saktësim dhe analizë).

0
1074

Netët e mira në kalendarin islam (saktësim dhe analizë).
Sa më shumë që afrohemi nga Ramazani aq më shumë shtohen dhe pyetjet e njerëzve në lidhje me netët e mira dhe kjo gjë ka nevojë për një studim të detajuar për të saktësuar vërtetësinë e këtyre netëve, çfarë punësh bëhen gjatë tyre dhe a festohen këto netë apo jo?
Atëherë themi se netët e mira të përmendura në kalendarin mysliman janë katër: Nata e Regaibit, nata e Israsë dhe Miraxhit, nata e Beraetit dhe nata e Kadrit.
1- Nata e Ragaibit, nata e xhumasë së parë të muajit Rexhep.
Një hadith i shpikur përmendet shpesh herë për mirësinë e kësaj nate: “Kush agjëron të enjten e parë të muajit Rexhep dhe pastaj fal mes akshamit dhe jacisë 12 rekate …, i falen të gjitha gjynahet edhe nëse i ka sa shkuma e detit, numri i grimcave të rërës, pesha e maleve, numri i gjetheve dhe ndërmjetëson ditën e kiametit për shtatëqind veta prej të afërmëve të tij për të cilët është bërë detyrë zjarri.” El-Hafidh El-Iraki thotë: Hadith i shpikur.
Pra, mirësia e kësaj nate është e shpikur dmth: pa bazë në fenë e Allahut dhe ja çfarë thotë dijetari i madh nga Andaluzia Ebu Bekr Et-Turtushi (i vdekur në vitin 520 H) në librin e tij “Shpikjet dhe Bidatet”:
“Një burrë me emrin Ebu Muhamed El-Makdisi nga xhamia e Aksasë më ka treguar: Përsa i përket namazit të Ragaibit nuk është shpikur te ne në xhaminë e Aksasë veçse pas vitit 480 të hixhretit dhe nuk e kemi pas parë dhe as dëgjuar para kësaj kohe”.
2- Nata e Israsë dhe Miraxhit.
Kanë rënë dakord të gjithë dijetarët e ymetit se Israja dhe miraxhi janë të vërteta. Të dyja kanë ndodhur brenda një nate: Israja, udhëtimi i profetit alejhi selam nga Qabja për në xhaminë e Aksasë dhe Miraxhi, udhëtimi i profeti alejhi selam nga xhamia e Aksasë për në qiejt e lartë. Këtë udhëtim e kanë transmetuar shumë sahabë, por dijetarët kanë mospërputhje mendimesh në lidhje me vitin dhe muajin kur ka ndodhur siç tregon Imam Ibn Kethiri:
“Ibn Is’haku mendon se ka qenë në vitin e 10 pas dërgimit të tij që i bie të ketë qenë 3 vjet para se të emigronte në Medine.
Imam Ez-Zuhri e disa dijetarë të tjerë mendojnë se ka qenë 1 vit para se të mbërrinte në Medine.
Imam Es-Sudi mendon se ka qenë 1 vit e katër muaj para se të mbërrinte në Medine.
Ndërsa në lidhje me muajin, thuhet se ka qenë në muajin Rabiul-Euel, thuhet në Dhil-Kade dhe thuhet se ka qenë në Rexhep natën e 27 të tij.”
Data më e njohur në lidhje me këtë natë është nata e 27 e muajit Rexhep siç dhe e shënon kalendari ynë mirëpo fakti që ka kundërshtim në lidhje me të do të thotë se nuk ka mirësi në festimin e saj sepse po të kishte pasur mirësi do të ishte ruajtur nga myslimanët brez pas brezi.
3- Nata e Beraetit, nata e gjysmës së muajit Shaban (nata e pesëmbëdhjetë).
Profeti alejhi selam thotë: “Allahu i madhëruar u shfaqet krijesave të tij natën e gjysmës së muajit Shaban dhe i falë ata përveç mushrikut dhe atij që i mban mëri tjetrit.” Hadithi transmetohet nga Muadh bin Xhebel, Ebu Thalebe El-Khushenij, Abdullah bin Amr, Ebu Musa El-Esharij dhe Ebu Hurejra radiallahu anhum dhe e saktëson Sheikh Albani.
Nuk ka namaz të veçantë në këtë natë sikurse bëhet në disa vende se kjo nuk ka argument dhe as është njohur veçse nga gjysma e shekullit të pestë të hixhretit.
Ebu Bekr Et-Turtushi –Allahu e mëshiroftë- në librin e tij “Shpikjet dhe Bidatet” shënon se ky namaz është shpikur në xhaminë e Aksasë në vitin 448 H:
“Më ka treguar Ebu Muhamed El-Makdisi se në vitin 448 H erdhi te ne në xhaminë e Aksasë një burrë nga Nabulusi (vend në Palestinë) i cili njihej me emrin Ibn Ebil-Hamra dhe kishte një zë të bukur në leximin e Kuranit. Ai u ngrit dhe u fal në xhaminë e Aksasë natën e gjysmës së Shabanit dhe atij i bashkohet një burrë e pas një i tretë, i katërt dhe kur mbaroi, ishin bërë një grup i madh.
Pastaj kur erdhi viti tjetër u falën me të një grup i madh njerëzish dhe u përhap në xhami. Kështu u përhap namazi në xhaminë e Aksasë dhe shtëpitë e njerëzve dhe u bë si synet deri në ditët tona. Ebu Bekr Et-Turtushi i thotë: Të kam parë duke e falur këtë namaz me xhemat? Ebu Muhamed El-Makdisi I thotë: po, dhe unë i kërkoj falje Allahut për këtë (punë).”
4- Nata e Kadrit.
Për vlerën e natës së kadrit dëshmojnë katër gjëra:
1- Zbritja e Kuranit siç thotë Allahu i madhëruar: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) natën e Kadrit” Suretu El-Kadr: 1.
2- Punët e mira në këtë natë shumëfishohen sa e bëjnë atë më të mirë se një mijë muaj siç thotë Allahu në Kuran: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” Suretu El-Kadr: 3.
3- Zbresin Melaiket dhe Xhibrili me caktimet e vitit siç thotë Allahu në Kuran: “Në të zbresin melaiket dhe shpirti (Xhibrili) me caktimin e çdo gjëje.” Suretu El-Kadr: 4.
4- Kush e kalon atë natë me namaz i falen të gjitha gjynahet e kaluara siç thotë profeti alejhi selam: “Kush e kalon në namaz natën e Kadrit duke besuar në shpërblimin e Allahut dhe duke e llogaritur atë, i falen gjynahet e kaluara.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Kur është kjo natë?
Një gjë dihet e sigurtë që nata e kadrit është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit siç thotë Ebu Said El-Khudri se profeti alejhi selam ka thënë: “O ju njerëz, më është qartësuar nata e kadrit dhe unë kur dola t’ju njoftoj më erdhën dy burra duke u zënë me njeri-tjetrin dhe me ta ishte shejtani dhe kështu e harrova atë. Prandaj kërkojeni atë në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit” E transmeton Muslimi.
Gjithashtu profeti alejhi selam ka njoftuar se ajo është në netët teke siç tregon Aisha radiallahu anha se profeti alejhi selam ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Caktimi i këtyre netëve teke ka ardhur në dy mënyra:
1- Duke iu referuar netëve që kanë kaluar dhe i bie të jetë njëra nga këto netë: 21, 23, 25, 27, 29.
2- Duke iu referuar netëve që kanë mbetur siç ka ardhur në disa hadithe prej tyre hadithi i Ibn Abasit -radiallahu anhu- i cili tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit kur të kenë mbetur nëntë ditë apo shtatë ditë apo pesë ditë” e transmeton Buhariu.
Kjo mënyrë llogaritje ka qenë zakon te arabet sepse ata kur i afroheshin fundit të muajit llogarisnin ditët e mbetura dhe nëse muaji është me 30 ditë atëherë nëntë netë mbesin kur kalojnë 21 netë dhe nata e 22 është nata teke dhe po ashtu pesë netë mbesin kur kalojnë 25 netë dhe nata e 26 është nata teke e kështu me radhë deri në fund të muajit. Pra, çdo natë çifte sipas mënyrës së parë kthehet në natë teke sipas mënyrës së dytë mirëpo nëse muaji është me 29 ditë atëherë netët teke sipas mënyrës së parë barazohen me netët e teke sipas mënyrës së dytë.
Njëri prej sahabëve i cili është Ubej bin Kab -radiallahu anhu- e ka përcaktuar me ditë të veçantë dhe është betuar se është nata 27 e Ramazanit. E transmeton Muslimi. Kjo thënie është thënie sahabiu e cila edhe pse ka peshën e saj nuk ka sigurinë e fjalës profetike.
Atëherë bazuar në këtë sqarim themi se më e mira gjë në lidhje me natën e Kadrit është kërkimi i saj në të gjithë 10 netët e fundit të Ramazanit se vetëm kështu ka siguri të plotë dhe prandaj profeti alejhi selam e ka ndërruar ngujimin e tij në Ramazan nga dhjetëditëshi i mesit të tij në dhjetëditëshin e fundit siç ka ardhur në hadithin e Ebu Saidi El-Khudri sipas transmetimit të Buhariut dhe fakti që profeti -alejhi selam- e ka harruar atë natë ka qenë për një qëllim të caktuar nga Allahu në mënyrë që myslimanët ti kushtojnë rëndësi të gjithë këtij dhjetëditëshi sepse shpërblimet e mëdha arrihen me përpjekje të madha.
Përfundimi.
Pas sqarimit të lartpërmendur arrijmë në përfundimin se:
1- Nata e ragaibit nuk ka bazë fare në sheriat dhe e gjitha është e trilluar, edhe nata edhe adhurimi në të.
2- Nata e Israsë dhe e Miraxhit është e vërtetë por nuk dihet me saktësi se kur ka ndodhur as viti dhe as muaji.
3- Nata e Beraetit është e vërtetë dhe dihet se kur është por adhurimi në të nuk ka bazë në fenë e Allahut.
4- Nata e Kadrit është nata me saktësinë më të madhe në fe dhe vlera e saj nuk mohohet nga askush, po ashtu edhe adhurimi në të veçse kërkimi i saj në të gjithë dhjetëditëshin e fundit ka siguri të plotë në arritjen e bereqetit të saj. Gjithashtu edhe ai që e kërkon atë veçanërisht në natën e 27 nuk kritikohet se ka për bazë fjalën e Ubej bin Kab radiallahu anhu.
A lejohet festimi i këtyre netëve që dihen me ushqime e sidomos ëmbëlsira siç bëjnë njerëzit?
Përgjigja: Nata e Beraetit është për të rregulluar marrëdhëniet e besimit me Allahun dhe marrëdhëniet morale me njerëzit kurse nata e kadrit është për adhurim. Pra, këto netë nuk janë për festim siç bëjnë njerëzit dhe për këtë thotë Ebu Bekr Et-Turtushi: Prej bidateve është bashkimi i njerëzve në Andalozi për të blerë ëmbëlsira natën e 27 të Ramazanit.

Dr Abdullah Nabolli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here