NDALU DHE MERR MËSIM

0
213

Vdekja është një realitet tmerrësisht i ashpër, e cila do të përfshijë çdo gjallesë, dhe të cilës askush nuk i reziston dot. Ajo përsëritet në çdo moment dhe me të përballet çdokush pa përjashtim. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Secili njeri do ta shijojë vdekjen, e pastaj do të ktheheni te Ne.” (El-Ankebut 57). Ajo është përfundimi i jetës, kështu që të gjithë do të vdesin, por destinacionet ndryshojnë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Një grup për në xhennet, kurse një grup për në zjarr.” (Esh-Shura 7). Vdekja përmbanë mësim, përkujtim dhe vërejtje, dhe mjafton si përkujtues. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vdekja mjafton si këshillues.” Vdekja është gjëja më e tmerrshme, puna më e kobshme dhe një gotë, shija e së cilës është e neveritshme. Ajo është ndodhia më destruktive për qenien dhe më shkatërruesja e qetësisë dhe dëshirave.

Por, fatkeqësisht, ne e kemi harruar atë apo shtiremi sikur e kemi harruar. E urrejmë përmendjen e saj apo takimin me të edhe pse jemi të bindur se ajo do të ndodhë pa mëdyshje. E çuditshme është se njeriu e sheh vdekjen se si i përfshinë moshatarët dhe fqinjët e tij, por megjithatë nuk çanë kokën fare dhe nuk përgatitet për të. Zemra e atij që është dhënë pas dynjasë, që është i mashtruar me të dhe që i dëshiron dëfrimet e saj është e shkujdesur nga përkujtimi i vdekjes, dhe kur përmendet, ai e urren atë. E kush nuk e përkujton atë sot, ajo do ta befasojë nesër, dhe do ta gjejë të shkujdesur dhe të zënë me punë të tjera.

Malik ibën Dinari thotë: “Sikur njerëzit të dinë se çfarë i pret nesër, nuk do të kënaqeshin me këtë jetë kurrë.”

Myslimani që sot ka frikë, nesër do të ketë siguri për shkak të mësimit që ka marrë nga këshillat dhe veprave të mira që ka bërë. Por, fatkeqësisht, shumë njerëz e harxhojnë jetën e tyre në gjëra për të cilat nuk janë krijuar, e pastaj kur u vjen vdekja papritmas, bërtet: “O Zoti im, më kthe.” (El-Mu’minun 99). E a thua përse kërkon të kthehet në dynja? Këtë e tregon ajeti në vijim ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “që të bëj vepra të mira e ta kompenzoj atë që lëshova!” (El-Mu’minun 100). Ku je ti me veten për sa i përket kësaj dite, o i shkujdesur? A nuk përgatitesh për këtë ditë me punë, duke pasur në dispozicion mundësinë dhe shëndetin, dhe meleku i vdekjes akoma nuk të ka ardhur?!

Atë që e shohim në varreza është mësimi më i madh për ne. Ai që sot e bartë xhenazen, nesër do të bartet nga tjetërkush. Ai që sot kthehet nga varrezat në shtëpinë e tij, nesër të tjerët do të kthehen dhe do ta lënë të vetëm si peng i punëve të tij. Nëse ka bërë mirë, do të gjejë mirë, e nëse ka bërë sherr, do të gjejë sherr.

Lukmani i tha të birit të tij: “Ti nuk e di se kur do të të vijë më e hidhura. Prandaj përgatitu për të para se të të befasojë.”

Disa selefë kanë thënë: “Dije se sikur robi të mos kishte pasur në jetën e tij asnjë vështirësi, asnjë brengë dhe asnjë dënim përveç agonisë së vdekjes, do ta meritonte që jeta e tij të ngushtohej, gëzimi i tij të pakësohej, të largohej nga mëkatet dhe neglizhenca, si dhe të mendonte thellë dhe të përgatitej seriozisht për të.” Ne e dimë se pas vdekjes do të përballemi me varrin dhe errësirën e tij, siratin dhe hollësinë e tij dhe me llogarinë dhe ashpërsinë e saj. Vështirësi e vështirësi, madhësinë e të cilave nuk e di kush pos All-llahut.

Varri

Varri është shtëpia e parë e ahiretit. Si është halli jonë kur ne jemi të shkujdesur për ndërtimin e saj, kemi shembur themelet e saj, ndërsa mes nesh dhe varrit nuk ka gjë tjetër veçse fjala: Filani vdiq. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Varri është më i tmerrshëm se çdo pamje tjetër që kam parë.” Po ashtu ka thënë: “Varri është shtëpia e parë e ahiretit. Kush shpëton prej tij, ajo që pason është më e lehtë. E kush nuk shpëton prej tij, ajo që pason është më e ashpër.”

Vallahi, vetëm një shikim i vetëm serioz në këtë varr, do të të japë pasqyrën reale të kësaj jete. Pas krenarisë dhe pasurisë, pas urdhrave dhe ndalesave, pas shërbëtorëve dhe autoritetit, pas pallateve dhe shtëpive, a ky është përfundimi i birit të Ademit në këtë gropë të ngushtë e të errët?!

Vëlla i dashur:

Shikoi të vdekurit dhe gjendjen e tyre, ngase vallahi edhe ti do të përballesh me atë që ata u përballën dhe do të kalosh nëpër atë që ata kaluan. Merr mësim dhe përgatitu, mos u shkujdes dhe mos harro përfundimin tënd. A e ke menduar ndonjëherë veten në vend të këtij të varrosuri. Vallahi, është begati e madhe që All-llahu i ka bërë të tjerët mësim për ty, e nuk të ka bërë ty mësim për të tjerët, dhe të ka dhënë mundësinë të llogaritësh veten dhe të përgatitesh për vdekjen. Përse nuk e shfrytëzon këtë mundësi duke qenë se akoma ke kohë në dispozicion. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Për një shpërblim të këtillë le të veprojnë vepruesit.” (Es-Saffat 61). Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të vendoset xhenazja në tabut dhe e bartin atë njerëzit mbi supet e tyre, nëse është përsoni i mirë thotë: Shpejtoni… shpejtoni… E nëse është i keq, u thotë familjarëve: O i mjeri unë, ku po më çoni? Zërin e tij e dëgjon çdokush përveç njeriut. E sikur ta dëgjonte do t’i binte të fikët.” (Shënon Buhariu). Përfytyroje veten, o rob i All-llahut, sikur janë duke të të bartur mbi supe. Në cilën prej këtyre dy gjendjeve dëshiron të jesh?

Po ashtu, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të dinit atë që unë di, do të qeshnit pakëz e do të qanit shumë dhe nuk do të kënaqeshit me gratë tuaja në shtrat. Do të dilnit nëpër kodrina duke qarë me zë dhe do të hedhnit dheun mbi kokat tuaja.” Këto fjalë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ua drejtoi sahabëve radijAll-llahu anhum, e si është puna yte o i shkujdesur, që dëfrehesh, luan, këndon dhe i mëkaton All-llahut mëngjes e mbrëmje, sillesh sikur para teje nuk ka as vdekje, as varr, as ringjallje dhe sikur ti nuk do të përballesh me këto vështirësi të mëdha. Vallahi, sa zemërgur dhe sa mendjelehtë që je! Prandaj, ki kujdes o i mjerë, nëse ke logjikë dhe kupton.

Në një transmetim nga tabiinët thuhet se njeriu mëkatar dhe i prishur kur vendoset në varr, toka i thotë atij: Vallahi, ti derisa ecje mbi shpinën time ke qenë ndër njerëzit më të urryer tek unë, ndërsa sot ke ardhur në barkun tim dhe do të shohësh se ç’do të bëj me ty nga mllefi që kam për ty. Prandaj, përfytyroje veten, o rob i All-llahut, në këtë varr të egër e të errët, duke t’u t’u thënë këto fjalë. Atëbotë, nuk të sjell dobi as pendimi, as britma, as qarja, as vajtimi.

Në një transmetim nga pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thuhet se kur i vdekuri vendoset në varr, atij i vijnë dy melaike të cilët e pyesin për Zotin, fenë dhe pejgamberin e tij. Nse ka qenë prej atyre që kanë bërë mëkate, nuk do t’i mundësohet të përgjigjet, dhe me këtë rast varri do t’i ngushtohet saqë brinjët do t’i hynë njëra në tjetrën, do t’i mëshohet me një çekiç, me të cilin nëse i mëshohjet një kodre, do ta thyente. Pastaj i hapet një dritare në anën e zjarrit të xhehennemit, nëpërmjet së cilës do ta shohë vendin e tij në xhehennem. Nëpërmjet dritares do t’i vijë nxehtësia e xhehennemit dhe kështu do të mbetet në varrin e tij duke u dënuar, varësisht nga veprat e tij. E nëse i vdekuri ka qenë prej atyre që e ka adhuruar All-llahun dhe vepërmirë, atëherë All-llahu ia mundëson të përgjigjet, ia zgjeron dhe ia ndriçon varrin, ia hap një dritare nga e cila do ta shohë vendin e tij në xhennet dhe varri i shtrohet me gjelbërim deri në ditën e kiametit.

O rob i All-llahut? Cilën prej këtyre dy vendeve e dëshiron? Dhe cila prej këtyre dyjave është më e lehtë për ty: adhurimi ndaj All-llahut apo ato vështirësi me të cilat do të përballesh?! Vallahi, adhurimi ndaj All-llahut është shumë më i lehtë sesa ajo me të cilën do të përballesh pas vdekjes. E ç’të pengon prej kësaj dhe çfarë pret?

Vëlla i dashur:

A e ke menduar ndonjëherë momentin e ndarjes dhe shikimin e fundit të kësaj dynjaje para se të drejtohesh për ahiret dhe të përballesh me vështirësitë e tij. Pra, ka mundësi të jesh në vapën e zjarrit, në ujë të valuar dhe në djegien e xhehennemit. Prandaj fillo që tani të veprosh vepra që do të të shpëtojnë, me lejen e All-llahut, nga këto gjëra të vështira meqë ke kohë në dispozicion dhe ke munësi të bësh atë, në mënyrë që të dalësh nga kjo botë i qetë dhe i gëzuar që do të takohesh me Zotin tënd dhe me atë çfarë Ai ka përgatitur për ty prej begative të përhershme.

All-llahu na e mundësoftë të gjithëve të shkojmë pas asaj që All-llahu e do dhe është i kënaqur.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here