Allahun e falënderoj që na krijoi në formën më të mirë, që nguliti tek ne besimin e pastër dhe e zbukuroi atë me qartësimin e plotë duke krijuar gjuhën, përmes së cilës njeriu tregon brendinë e tij.
Përshëndetjet e përzemërta ia dërgoj Profetit, familjes së tij, shokëve besnikë dhe të gjithë atyre që pasuan dhe pasojnë me ndershmëri rrugën e tij deri në takimin me Allahun, Krijuesin e qiejve, të tokës dhe të çdo gjëje!
Gjuha është mjet për pajtim dhe ndarje, gjuha është mirësi nga më të mëdhatë. Atë e përmend edhe Allahu në Kur’an si të tillë: “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë…” [El Beled: 8-9]
Gjuha ka funksione pozitive dhe negative, ashtu siç e shfrytëzon njeriu, ashtu edhe shprehet. Gjuha flet mirë por edhe keq, atë Allahu e ka lënë në nënshtrim të njeriut, bile për këtë shkak Allahu e krijoi të vetmen pjesë të trupit të tërën nga mishi, e cila lakohet në të gjitha drejtimet.
Njeriu me të mund të hidhërojë njerëzit e popujt, prej saj shkaktohen përçarje dhe probleme, por ajo di të bëhet shkak edhe për të pajtuar njerëzit.
Fatkeqësisht shumë muslimanë gjuhët e tyre i kanë lëshuar duke u dhënë lirinë e shprehjes, dikush duke e drejtuar drejt gënjeshtrës, dikush tjetër në shpifje e dikush tjetër në sharje dhe ofendime, por harrojnë se llogaria ndaj tyre do jetë shumë e ashpër dhe e rëndë.
Heshtja është shpëtim në shumicën e rasteve, është krenari, është cilësi e të devotshmëve, është burrëri. Kush hesht, do shpëtojë.
Vëlla dhe motër e nderuar!
Gjuha është rreziku i madh që të kanoset dhe nuk ka shpëtim tjetër prej saj pos heshtjes, prandaj edhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush hesht, ka shpëtuar.” (Transmeton Ahmedi, Albani e ka cilësuar të vërtetë.) Gjithashtu, Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, të flasë mirë ose të heshtë!” (Muttefekun alejhi.)
Ukbe ibën Amiri radijAllahu anhu thotë: “I kam thënë të Dërguarit: -O i Dërguari i Allahut, cili është shpëtimi? Ka thënë: “Ruaje gjuhën, le të të mjaftojë shtëpia jote dhe qaj për mëkatin tënd.” (Transmetojnë Ahmedi dhe Tirmidhiu, Albani e ka cilësuar të saktë.)
Muadh ibën Xhebeli radijAllahu anhu transmeton se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i ka thënë: “Do vazhdosh të jesh i qetë, i sigurt derisa je duke heshtur. Në momentin kur flet, atëherë të shkruhet ose në favor tëndin ose kundër teje.” (Transmeton Tabaraniu, Albani e ka cilësuar të vërtetë.)
Dikush nga selefët e parë të mirë ka thënë: “Ndale gjuhën, pos kur ke për qëllim të tregosh një të vërtetë apo të përgënjeshtrosh një të kotë, të shpërndash një urtësi apo të falënderosh për një mirësi. Disa nga mëkatet e mëdha janë ato që burojnë nga gjuha dhe të folurit për fenë e Allahut pa dituri. Rreziku më i madh që gjuha shkakton është të mohuarit e Allahut, pastaj të folurit për fenë e Allahut pa dituri.”
Dëmet e gjuhës
Dëmet e gjuhës fatkeqësisht janë të shumta dhe të pranishme te shumica e njerëzve. Njëra prej tyre është të folurit për gjërat që nuk i takojnë.
Kjo dukuri është e përhapur shumë tek njerëzit, edhe pse për këtë na ka paralajmëruar Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Prej Islamit të mirë të njeriut është lënia e asaj që nuk i intereson.” (Hadithi është i mirë (hasen), Tirmidhiu dhe të tjerët). Gjithashtu Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Njerëzit më me shumë mëkate janë ata të cilët flasin për atë që nuk u intereson.”
Fjalë apo bisedë që nuk të intereson llogaritet: a) të flasësh fjalë që nëse hesht, nuk merr mëkat, nuk dëmtohesh qoftë shpirtërisht apo ekonomikisht; b) të pyesësh dikë për gjërat që nuk të interesojnë apo c) të pyesësh për një çështje për të cilën nuk ke nevojë. Shkaku i këtij dëmi është kujdesi i njeriut për të ditur atë për të cilën nuk ka nevojë apo lëshimi në të folur në formë miqësie, ose mbushja e kohës me thashetheme të padobishme.
Shërimi i saj është ta dijë njeriu se vdekja është para tij dhe se ai është përgjegjës për çdo fjalë, ta dijë se frymëmarrjet janë kapital i tij. Gjuha e tij është rrjetë që pritet dhe me të kap hyritë e xhennetit, sa më shumë të heshtë nga gjërat që nuk i interesojnë derisa të mësohet gjuha e tij në lënien e asaj që nuk i intereson.
Zhytja në të kotën
Ajo është të folurit në mëkate, si të folurit për çështjet e grave, për tubimet e alkoolit dhe vendet e të prishurve, të folurit për mbrojtjen e bidateve dhe grupimeve të prishura. Për të gjitha këto nuk lejohet të folurit rreth tyre, ndërsa Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Njeriu flet ndonjë fjalë me të cilën e kënaq Allahun dhe nuk mendon që ajo të arrijë atë që ka arritur, e për hir të asaj fjale Allahu ia shkruan atij njeriu kënaqësinë e Tij deri Ditën e Kiametit. Po ashtu, ai ndodh të flasë fjalë që e hidhëron Allahun, nuk mendon se ajo arrin atë që mund ta arrijë, mirëpo për atë fjalë Allahu ia shkruan atij hidhërimin e Tij deri Ditën e Kiametit.” (Tirmidhiu, nr. 2319, dhe IbënMaxheh, nr. 3969, Albani e cilëson të mirë.)
Ndërsa Muadhi radijAllahu anhu e pyeti Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “O i Dërguar i Zotit, a do të merremi në llogari për ato që flasim?” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem atëherë i tha: “Të pastë nëna, o Muadh! A thua njerëzit hidhen në zjarr me fytyra të tyre për diçka tjetër pos për shkak të gjuhëve të tyre?!” (Transmetojnë Tirmidhiu, Ibën Maxheh. Albani e cilësoi të vërtetë.)
Polemikat dhe ngatërresat e shumta
Të gjitha këto janë të ndaluara. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. E kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” [El Bekare: 204-205]. Po ashtu thotë: “Diskutoni me ithtarët e librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë.” [El Ankebut: 46]
Aishja radijAllahu anha tregon se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Njerëzit më të urryer tek Allahu janë polemizuesit e ashpër dhe ata që nuk lëshojnë pe në armiqësi.” (Buhariu dhe Muslimi.)
Çdo musliman duhet ta ruajë gjuhën e vet nga polemikat dhe ngatërresat e shumta, ngase janë gjëra që ngushtojnë gjokset, krijojnë hidhërimin e zilinë në shpirt.
Sharja, fyerja, mallkimi dhe fjalët e ndyra të gjuhës
E gjithë kjo është e urryer dhe e ndaluar. Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Besimtari nuk është fyes, mallkues, vulgar, i pahijshëm e as fjalëndyrë.” (Ahmedi, Albani e ka cilësuar të vërtetë.)
Fatkeqësisht këto gjëra janë të përhapura shumë tek të rinjtë tanë, e që në formë tjetër po largohen nga leximi dhe studimi, sepse sikur të ishin marrë me lexim dhe studim, nuk do kishin pasur kohë të merreshin me këto gjëra që fatkeqësisht janë viruse shkatërruese të veprave dhe fjalëve të mira të çdokujt që i ka.
Gënjeshtra, burim i gjuhës së pakontrolluar
Gënjeshtra është ajka e çdo të keqeje dhe burim i çdo gjëje të pahijshme, për shkak të fundit të keq dhe rezultateve të këqija të saj, është mëkati më i kobshëm, cilësi nga cilësitë e dyfytyrësisë. Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “Vërtet, gënjeshtra trillojnë vetëm ata që nuk u besojnë shpalljeve të Allahut; pikërisht ata janë gënjeshtarët e vërtetë.” [En-Nahl: 105]
Ruajtja e gjuhës është çdo e mirë
Imam Ahmedi përcjell se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Nuk plotësohet besimi i njeriut derisa nuk përmirësohet zemra e tij, por zemra nuk mund të përmirësohet derisa gjuha nuk kontrollohet.” [3/198]
Nga Ibën Umeri radijAllahu anhu përmendet se e ka dëgjuar Profetin sal-lAllahu alejhi ve selam duke thënë: “Mos flisni shumë fjalë në të cilat nuk përmendet Allahu, sepse fjalët e tilla zemrën e vdesin, e më së largu Allahut në Ditën e Gjykimit janë zemrat e vdekura.” (Tirmidhiu, nr. 2411, dhe Bejhekiu në ‘Shuabul iman’ [4/245] me sened të mirë.)
Umeri ibën Hatabi radijAllahu anhu në një urtësi të tij përmend: “Kush flet shumë, gabon shumë; kush gabon shumë, ai mëkaton shumë. E kush mëkaton shumë, për të zjarri është vendi i denjë.” (Taberani në “Eusat”, nr. 2259, dhe Bejhekiu në “Shuabul iman”, 4/257.)
Njeri i mençur është ai i cili merr mësim nga të tjerët se si shpëtuan. Le të shikojë drejt atyre të cilët shpëtuan nga ky lloj epshi e jo t’i shikojë ata që pësuan nga ky epsh.
Shembuj nga të parët tanë rreth ruajtjes së gjuhës
Ebu Bekri radijAllahu anhu ka thënë: “Kjo (gjuha) është shkak për çdo të keqe që më vjen.”
Hasen Basriu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Prej shenjave të largimit të Allahut nga robi është kur e sheh një njeri të flasë për gjërat që nuk janë në interes të tij.”
Ndërsa dikush tjetër thotë: “Njeriu vazhdon të flasë për gjërat që nuk janë në interes të tij derisa Allahu ta nënçmojë para të tjerëve.”
Përmendet nga dijetarët se kur donin të flisnin diçka, fillimisht mendonin rreth asaj fjale se a do jetë në dëm apo në dobi të tyre: nëse ishte në dobi, e nxirrnin, por nëse ishte e kundërta, ndaleshin dhe nuk e nxirrnin. Arsyeja ishte se njeriu derisa nuk e ka nxjerrë fjalën nga goja e tij, e ka nën sundim atë fjalë, kurse pasi ta nxjerrë, atëherë ai bëhet rob i fjalës së vet.
Lukmani i mençur i thoshte djalit të tij: “Nëse të folurit është prej argjendi, atëherë heshtja është prej ari.”
Kujdes musliman dhe muslimane sepse plaga e gjuhës është më e rëndë se e armës! Arma shkakton plagë të rënda, por ato shërohen, kurse plagët e shkaktuara nga gjuha futen thellë në zemër dhe nuk shërohen kurrë.
Kujdes musliman dhe muslimane për të folurit tënd pa dije për Allahun, fenë e tij dhe muslimanët në përgjithësi!
Trend i ri i jetës së muslimanit të ditëve të sotme është të merret me gjërat që nuk i takojnë, harron gjërat që Allahu ka kërkuar nga ai duke u marrë me të tjera për të cilat vetë dijetarët e mëdhenj kanë frikë të flasin.
E gjithë kjo vjen si rezultat i injorancës së madhe, pakujdesisë, frikës së paktë dhe epsheve të dikujt që dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes.
Allahu na ruajttë dhe na përmirësoftë gjendjet tona!
Bazuar në broshurën “Emsik alejke lisaneke”.
Përshtati: Unejs MURATI
Revista “KËSHILLA”