MORALI I MUSLIMANIT ME PRINDËRIT DHE VËLLEZËRIT E TIJ

0
239

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimet qofshin vetëm për Allahun. Paqja dhe shpëtimet qofshin mbi të dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij, si dhe mbi të gjithë pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nga morali që duhet të ketë muslimani ndaj prindërve të tij, sidomos kërkuesit e dijes, është obligimi që të zbatojmë ajetin në të cilin Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: ‘Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël’.” Isra, 24.

Përpara prindërve duhet të rrimë me edukatë, të mos i flasim ashpër. Duhet patjetër t’i zbatojmë urdhrat e tyre, të cilat janë të lejuara e të mos i themi atyre oh, uh, siç ka urdhëruar Allahu i Lartësuar: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese).” Isra, 23.

Për fat të keq, sot, gjen shumë prej njerëzve që e kanë harruar edukatën me prindërit e nuk sillen aspak mirë, nuk i përshëndesin me selam, vetëm se kur ikin në ndonjë udhëtim të largët. Është detyrë për ne që t’i puthim ballin, duart e tyre mëngjes e mbrëmje. Madje edhe këmbët e kjo nuk është aspak turp, duke e ditur se nëna të ka mbajtur nëntë muaj në bark me mundime, të ka dhënë gji për dy vjet, ndërsa babai është përpjekur për të siguruar ushqimin tënd gjithçka për ty.

Kujdes, dhimbja e tyre duhet të jetë edhe dhimbja jonë, hidhërimi i tyre duhet të jetë edhe hidhërimi ynë. Kujdes, sepse Allahu i Lartësuar do të na marrë në llogari për të gjitha këto.

Një person udhëtoi nga Jemeni për tek profeti (alejhi selam) një muaj në këmbë dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, kam ardhur për të luftuar në xhihad dhe kam lënë prindërit e mi vetëm.” Profeti (alejhi selam) tha: “Si i ke lënë ata?” Tha: “I kam lënë duke qarë.” Profeti (alejhi selam) tha: “Bëji ata për të qeshur siç i bëre ata për të qarë.”

Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t’i respektojmë prindërit edhe nëse nuk janë muslimanë, ndërsa Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Bindja duhet të jetë në ato gjëra që na e ka lejuar Allahu i Lartësuar dhe nuk ka bindje nëse kundërshtohet Krijuesi.”

Një person erdhi tek i dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, kush është njeriu që meriton më shumë respektin tim?” Profeti (alejhi selam) tha pasi e personi pyeti tri herë: “Nëna jote.” Dhe pas pyetjes ë katërt tha: “Babi yt.” Pra, Profeti (alejhi selam) i vendosi më shumë të drejta nënës, pastaj babait.

Gjithashtu, Profeti (alejhi selam) na ka lajmëruar: “Nga veprat më të mira tek Allahu janë që të besojmë në Allahun, t’i bindemi të Dërguarit të Tij, të falim namazin në kohën e duhur, të respektojmë prindërit.”

Le të mundohemi që të hapim sa më shpejt një faqe të re në jetën me prindërit tanë dhe kjo është edukatë. Pyetini ata për të afërmit e tyre, mos dilni nga shtëpia pa i përqafuar e puthur duart edhe ballin. Edhe kur të futemi në shtëpi, le t’i pyesim ata se a kanë ndonjë punë, urdhër apo çështje.

Nga morali që duhet të ketë muslimani kundrejt vëllezërve të tij muslimanë është ajo që ka përmendur i Dërguari i Allahut (alejhi selam) duke i renditur në disa pika:

“Kur të fton vëllai yt duhet t’i përgjigjesh ftesës së tij; kur të jetë sëmurë ta vizitosh atë; kur të japë selam t’ia kthesh selamin; kur të teshtijë dhe ai e falënderon Allahun duke thënë: ‘Elhamdulilah’ të bësh dua duke i thënë: ‘Jerhamukallah’; dhe në qoftë se vdes t’ia përcjellësh xhenazen.”

Nëse do t’i hidhnim një vështrim të shkurtër jetës së Profetit (alejhi selam) do të shihnim se ai i ka pas ndihmuar gjithmonë fukarenjtë apo nevojtarët, ka pas mbajtur peshën atij që nuk mund ta mbante, i ka përshëndetur besimtarët, muslimanët, gratë e muslimanve, madje edhe fëmijët kur i ka parë i ka dhënë selam. Ai gjithmonë i respektonte njerëzit.

Nga të gjithë këto shembuj, muslimani e shton edhe më shumë dashurinë dhe përforcon moralin, i cili është pika më vendimtare për dashurinë ndërmjet njeri-tjetrit dhe vëllazërisë në Islam.

Përgatiti: Erion Sulo

Burimijetes.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here