Barazia gjinore)
Transmetohet se Ebi Hurejre ka thënë: Thotë Profeti alejhis selam: “Çdo foshnje lind me natyrë të pastër, prindërit janë ata që e bëjnë çifut, të krishterë apo zjarrputist. Si shembulli i kafshës kur e lind të voglin e saj a mos vallë shikoni tek ai vesh të prerë?! Transmeton Muslimi, Buhariu. Hadithi është sahih.
Hadithi i Profetit alejhis selam ka për qëllim përbashkësinë e përkatësisë fetare ndërnjerëzore e cila në origjinën e saj [përkatësia fetare], është një, e kulluar nga çdo shfaqje e ngjashme jo identike me të, është një aftësi nëse mund ta quajmë kështu, e cila potencialisht i dhurohet natyrës humane për ta njohur botën dhe përshtatur veten asaj sipas ligjeve fetare. Themi potencialisht për shkak të devijimit të mëpasshëm që përmendet në hadith, sipas të cilit potencialiteti fetar shndërrohet në një tjetër potencialitet që jo çuditërisht ka për tendencë të mohojë të parin, mohim i cili ndodh mbi bazën e një intuite, të asaj që jemi në realitet e të atyre që duam të bëhemi për shkak të arsyeve nga më të njohurat e më të panjohurat, të cilat mund të jenë sociale, ekonomike, gjinore, racore, por edhe psikologjike, individuale. Duke e marre si të mirëqenë faktin që thelbin tonë e përkufizon Islami, sipas ajetit kuranor:“Ai edhe më parë, e edhe ky Kuran ju quajti muslimanë”. Haxh, 78. Pra, duke pohuar dëshminë e besimit themi që këtë besim deçizivisht nuk e përcaktojnë ritet aq sa e përcakton besimi i saktë në Zotin e vërtetë, e kjo për të vërtetuar koherencën e muslimanëve para dhe pas shpalljes së Kuranit e jo për të mohuar kategorikisht ritet e Islamit, ashtu siç në mënyrë të paditur ndodh me të gjithë ata që injorojnë ritet e kultet, duke u mjaftuar me besimin tek Zoti.* Kjo është një nga mënyrat që përcaktojnë diversitetin njerëzor, i cili në marrëdhënie me ajetin kuranor:“O ju njerëz vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkullidhe një femre, ju bëme popuj e fise në mënyrë që të njiheni ndërmjet jush.” Huxhurat, 13., dhe hadithin e Profetit alejhis selam: “Të gjithë ju lindni me natyrë të pastër islame, por prindërit ju kthejnë në çifut, kristianë…”, duket sikur ka një qëndrim “kontradiktor” i cili formulohet nga dëshira për përbashkësi fetare të hadithit, kuptuar nga krenaria e dukshme në pjesën e parë të tij, për diçka që mund të ishte, dhe keqardhja për atë që s’mund të jetë, shprehur në pjesën e dytë të tij, i cili në fakt është analog me ajetin kuranor:“Ne ju bëmë ju popuj e fise në mënyrë që të njiheni me njeri-tjetrin.” Pra “kontradiksioni” shfaqet në momentin kur diversiteti trajtohet si evident dhe i pretenduar njëkohësisht, por edhe i pamundur, pamundësi të cilën në fakt e shpjegon paracaktimi, pra dëshira dhe vullneti i Zotit. Sa kohë që dija jonë është sa një pikë uji krahasuar me dijen e Zotit, absurdi i kontradiksionit patjetër që nuk duhet të na shkaktojë qëndrim habie, por pranie, normaliteti, sipas të cilit perfeksioni mbetet gjithnjë një tentativë, dhe kjo për disa arsye: së pari, sepse vetëm Zoti është perfekt, së dyti për t’u provuar se cili prej nesh është më vepër miri dhe së treti për të qenë në vete me mungesat tona dëshmi e perfeksionit të Zotit, e asaj që s’mund të jemi, por paralelisht e asaj së cilës mund t’i afrohemi ta prekim.
Duke e ndalur parantezën këtu, pa dashur të hyjmë tek pjesa e ndjeshmërisë së të trajtuarit të gjerave, do përpiqemi t’i kthejmë përgjigje pyetjeve që zbërthejnë temën tonë:
A është e mundur barazia brenda kuadrit të diversitetit të çdo lloji?
Çfarë kuptojmë me barazi e si duhet përkufizuar ajo në raport me aftësitë dhe larmitë e jetës njerëzore që nga njëra anë është individuale (që përjashton format identike) dhe nga ana tjetër sociale (që përthith format e ngjashme).
A është i nevojshëm diversiteti dhe në ç’mënyrë bëhet ai promotor njohës e zbërthyes i vlerave tona qoftë negative apo pozitive?
Duke e nisur me pyetjen e parë përmendim ajetin kuranor: “Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” Ahzab, 35. Ky është një ajet i cili ka zbritur posaçërisht për gratë (Ummi Seleme, bashkëshorte e Pejgamberit paska thënë: “O i Dërguari i Zotit, unë po dëgjoj se po përmenden burrat në Kuran e jo edhe gratë!” Si shkak i kësaj historie është shpallur dhe ajeti në fjale.), për t’i treguar jo vetëm atyre, por të gjithëve se në marrëdhënie me Zotin vepra e mirë shpërblehet njëlloj qoftë ky burrë apo grua, për t’i treguar atyre se përpara Tij të gjithë janë të barabartë, ndërsa në marrëdhëniet ndërnjerëzore sigurisht që burri qëndron një gradë më lartë në aspektin e përgjegjshmërisë kundrejt familjes së tij për të cilën do të flasim pak më vonë. Vazhdojmë vërtetimin e barazisë me thënien e Ibn Atait: “Aishja është më e mira se të gjithë njohësit e fikut, ka qënë me e ditur dhe në krahasim me ata që e kanë rrethuar, gjykimi i saj ka qënë më i miri.” Ibn Haxher, El Isabe. Ajeti kuranor dhe thënia e Ibn Atait dëshmojnë qartë se barazia është e mundur pavarësisht dallimit me të madh ndërnjerëzor, ai gjinor. Duke e marrë si pikë referimi këtë dallim, duke e konsideruar si rrethin më të madh që brendashkruan të gjithë nivelet e përshkallëzuara të të gjithë llojeve të barazive nga ai gjinor e me radhë, pohojmë se barazia është e mundur të arrihet në çdo nivel diversiteti, mjaft të realizohet brenda atij që po e konsiderojmë si më të madhin dhe mjaft që të jetë qëllim në vetvete.
Për të përkufizuar barazinë sipas ajetit kuranor dhe thënies se Ibn Atait bëmë një parantezë të pyetjes se çfarë kuptojmë me barazi, për të qenë sa më origjinale dhe për t’i paraprirë në fakt një thënieje laike e cila e përkufizon shumë qartë e përmbledhtazi konceptin barazi sipas së cilës: “Barazi nuk domethënë diametër i barabartë, barazi domethënë e drejta e gjithsecilit për t’u zhvilluar sipas diametrit të tij.” Prej këtu dalim tek pjesa e tretë e pyetjes së parë rreth formave identike dhe formave të ngjashme, pra jetës individuale dhe asaj sociale, e drejta e individit dhe përgjegjësia për të tjerët, si e drejtë që parimisht përjashton lakminë për të qenë identike me të tjerët, përveçse me veten dhe për të qenë të përgjegjshëm si të tjerët, nga ku konstatojmë se dëshira për të qenë identike me të tjerët, na detyron të mohojmë veten, si shkaku nga ku nis devijimi i natyrës së pastër islame për të cilën flet pjesa e parë e hadithit që përmendëm në fillim dhe se të qenurit të përgjegjshëm për jetën në komunitet është pika e kthimit që kalon në po të njëjtat hapa nga ku kalon edhe dëshira për të qenë identike, vetëm se kahu i lëvizjes është i ndryshëm. Kjo shpjegon se në ç’mënyrë potencialiteti i përmendur në fillim të esesë shndërrohet në një tjetër potencialitet që jo çuditërisht kemi thënë ka për tendencë të mohojë të parin, pikërisht për shkak të drejtimeve të ndryshme të lëvizjes së forcës humane që sado e fortë, e zgjuar dhe e lumtur të jetë, pozitivitetin e saj e përcakton drejtimi që do të marrë. Brenda këtyre kuptimeve marrin vlerë shprehje të tilla që favorizojnë varfanjakun besimtar kundrejt pasanikut kryeneç jobesimtar e të tjera të ngjashme. Duke konstatuar në këtë mënyrë që sistemi i vlerave përligjet vetëm prej Zotit si e drejtë ekskluzive e më të Zgjuarit, do përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes se a është e mundur barazia dhe në ç’mënyrë arrihet ajo brenda kuadrit të diversitetit gjinor, racor, ekonomik, kulturor, social etj, për ta zhvendosur esenë në një nivel më konkret të ligjërimit, për të parë se si realisht funksionojnë në parim të gjithë gjërat e thëna më lartë.
Barazia gjinore është një nga ekuilibrat më të rëndësishëm që në mënyrë të drejtpërdrejtë përcakton standardin e jetesës. Është një ekuilibër për shkak të rregullave që bart dhe manifeston, e s’ka se si të jetë ndryshe, kur aktorët që e përbejnë janë burri dhe gruaja, pra në tërësi është njeriu. Jo pa qëllim përmendim termin njeri si emërues të përbashkët të të dy gjinive që sado larg diferencialisht të jenë, apo t’i duken njeri-tjetrit (sepse kjo diferencë dhe masa e saj varen nga fakti se sa në të vërtetë njohim rrolet tona, kë marrim si pikë referimi për ta bërë këtë, dhe sa e respektojmë ne këtë rrolin e tjetrit.) gjithsesi janë nga i njëjti lloj, për të cilin thotë Allahu në Kuran: “Dhe nga faktet (e madhërisë) e Tij është që për të mirën tuaj Ai krijoi nga vete lloji juaj palën,(gratë) ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.” Rrum, 21.
Thotë Allahu në Kuran: “Ne ju krijuam ju nga një pikë uji e më pas u shtuan burra e gra shumë”. Se ku ka qenë e bartur kjo pike uji përpara se Zoti të krijonte burrin e gruan këtë e di vetëm Ai në dijen e të cilit është gjithçka. Por ne dimë qartë që pas këtij krijimi gjithësia u ndërtua pikërisht prej kësaj pike uji të cilën gratë nuk e posedojnë si diçka të veten, por që i jepet. E ndoshta nga këtu nis dhe rëndësia pak më e madhe që Zoti i ka dhënë burrave jo në marrëdhënie me Të, por me njerëzit. Këtë e dëshmojnë ajete kuranore dhe hadithe të ndryshme që bëjnë fjalë për to. Thotë Allahu në Kuran:“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre.” Nisa, 34.
Këtë rëndësi, që në fakt është çështje përparësie që e vendos njërën palë, pra mashkullin në një të njëqindtën e sekondës para femrës nuk është trajtuar si e tillë nga asnjëra prej palëve, ku ajo e meshkujve, fjala vjen, në kohën e para islamit maskilizmin e vet e ka kulmuar me varrosjen e vajzave të gjalla të porsalindura në shoqërinë arabe apo dhe në shoqëri të tjera ku ajo është trajtuar si një qenie pa domethënie në vetvete si një send që funksionon për të tjerët. Ndërsa në kohët moderne stafeta i kalon femrave ku ajo përveçse po kërkon të jetë e barabartë, po mundohet gjithashtu të kthejë sistemin e hershem matriarkal të jetës primitive ku ligjin e bënte gruaja (mama) duke mos e marrë në konsideratë faktin se sa më e emancipuar është bërë, aq më shumë është rritur kurba e ndjeshmërisë së saj, si shkak i kapërcimeve anormale që ka bërë ajo tek vetja dhe që po vetë i vuan në kurrizin e saj. Me kapërcime anormale do të kuptojmë çdo përpjekje që del jashtë kapacitetit të saj fizik, psikologjik, hormonal, kapacitet i cili funksionalisht dhe potencialisht është më pak dinamik se ai i burrave, por jo në aspektin e të kuptuarit të gjërave se sa në aspektet vendim-marrëse. Kështu natyrshëm pa asnjë subjektivizëm apo feminizëm të qëllimtë, pohojmë që jeta çdo ditë dëshmon se ka gra inteligjente e burra të zakonshëm, gra të devotshme e burra neglizhentë, gra punëtore e burra dembelë dhe anasjelltas, sigurisht. Në këtë aspekt i rikthehemi dhe një herë asaj që thamë pak më lartë mbi përqindjen e përparësisë së mashkullit themi që kjo përqindje është shume e rëndësishme deri në momentin kur bëhet më e rëndësishme se sa duhet. Kjo ndodh atëherë kur ajo përdoret si instrument, kur keqpërdoret dhe kur kthehet qëllim në vetvete. Këto forma e zbehin figurën e mashkullit i cili vepron kështu sa herë që kërkon të fshehë dobësitë e veta duke harruar që përpara se të jetë mashkull është njeri dhe si të tillë ne kemi pikat tona ku takohemi e ndahemi, sigurisht. Në sajë të dualitetit gjinor, por jo vetëm, formohet larmia dhe ndryshueshmëria që përben dualitetin si kusht i domosdoshëm pa të cilin ai nuk do të ekzistonte. Në këtë këndvështrim është e çuditshme të flitet për barazi gjinore në aspektin e atyre cilësive të cilat në fakt duhet të na dallojnë e jo të na identifikojnë me njeri–tjetrin, sepse përndryshe ç’kuptim dhe ndryshim do të kishte mes të qenurit burrë e grua. Barazia në fe legjitimohet vetëm brenda kushtit ku secila prej palëve të levizë brenda natyrës së vet dhe jo duke këmbyer rrolet dhe funksionet. Të jesh grua e të funksionosh si burrë dhe anasjelltas është një fenomen i përhapur që po e dëmton rendë shoqërinë sot.
Por, a ka barazi në Islam? Po, në aspektin parimor, po. Ne i përmendëm edhe më parë ajetet dhe hadithet që flasin për këtë gjë. Se sa realisht funksionojnë kjo nuk është pjesë e qëllimit tonë parashtrues.
Tani i kthehemi pyetjes së tretë se a është i nevojshëm diversiteti dhe në ç’mënyrë bëhet ai promotor njohës e zbërthyes i vlerave tona, qofshin ato negative apo pozitive, për ta lidhur me idenë kryesore të esesë: lindim të barabartë marrim rrugëtime të ndryshme. Në fakt ardhja në jetë është një proces që përgjithësisht i ndodh të gjithëve thuajse njëlloj, që do të thotë se mundësia për të qenë të ndryshëm mund të na dallojë qysh atëherë. Fjala është për të gjitha mungesat fizike apo mendore që ndajnë fëmijët e shëndetshëm nga fëmijët me probleme. Megjithatë ne do të përqendrohemi tek sensi i përgjithshëm i këtij procesi nga ku nis maratona e jetës së çdo njeriu. Në perceptimin tim si muslimane jeta është një maratone finishin e së cilës, të suksesshëm ose jo, e përcaktojnë forcat individuale dukja e së cilave përcaktohet nga vendi që zë unë në shoqëri në raport me të tjerët. Në këtë kuptim të tjerët janë shumë të rëndësishëm, në fakt, jo vetëm për të na treguar por dhe për të na provuar se sa vlejmë. Ky është një vizion që jo detyrimisht vlen për të gjithë ata qe s’e mendojnë kështu. Ka individë që suksesin e finishit të tyre e lidhin me arritjet ekonomike, të tjerë me arritjet në fushat e shkencës, të artit etj. Pra, vizionin për jetën e përcaktojnë dëshirat tona, aftësitë tona, zemra jonë, familja, shoqëria, vendi ku jetojmë, arsimimi, kultura, pra të gjitha këto shërbejnë si shkak për të marrë një qëndrim të caktuar ndaj botës që na rrethon. Në fakt janë instinktet dhe mënyra se si orientohen ato nga të gjitha shkaqet e përmendura më lartë, që në të vërtetë, përcaktojnë vizionin, pasi qëllimi i ekzistencës së njeriut ka të bëjë me përjetimin e kënaqësisë dhe gjetjen e lumturisë në dallim; pra, nga vizioni që feja ofron për njerëzit që është pikërisht gjetja e qetësisë shpirtërore duke mos e ngatërruar me atë të lumturisë që si gjendje provokon ndjenjën e ekzaltimit të palakmuar nga feja, për shkak të funksionit çorientues të saj mbi të menduarit. Përjetimi i kënaqësisë dhe gjetja e paqes shpirtërore është ndarja thelbësore që përcakton orientimet tona, pasi normalisht ekzistojnë nëndaje pafund brenda tyre që lidhen me mënyrën e trajtimit të fesë dhe laicizmit.
Rrugëtimet e ndryshme brenda vizionit fetar
Qëndrimi i fesë ndaj jetës absolutisht nuk është një qëndrim komunist sipas të cilit ideologjia dhe prona janë pjesë e imponuar e përbashkët e komunitetit e as qëndrim modern sipas të cilit komunitetin e përbejnë individë të shkëputur nga njeri-tjetri marrëdhënia e të cilëve bazohet mbi interesat e përbashkëta që do të thotë se njohja me tjetrin nënkupton përmbushje interesash, pragu i të cilave përjashton marrëdhëniet afektive. Në Islam bashkohen hapësira dhe mundësia për të vepruar dhe menduar ndryshe duke respektuar e njohur të drejtat e rregullat në komunitet, që do të thotë se feja është një dimension mjaft i gjerë ku gjithsecili gjen pasqyrën e tij autentike për të parë veten. Për të qenë i suksesshëm në fe nuk ka rendësi profesioni, arsimimi, kultura, mosha, kohëzgjatja e jetës, numri i fëmijëve, gjinia, raca, vendi ku jeton etj, por rëndësi i kushtohet marrëdhënies me Zotin, dashurisë ndaj Tij, besnikërisë, njohjes së Tij, dhe ç’është më e rëndësishmja e të rëndësishmeve: të qenurit eulija (i dashuri) i Tij. Lind pyetja: a ekziston një probabilitet i shpërndarë kudo njëlloj tek të gjithë llojet e njerëzve për të qenë i dashuri i Zotit apo ekziston një i tillë që favorizon grupe të caktuara njerëzish? Potencialisht të gjithë mund të jenë të dashurit e Zotit, por realisht ka të tillë që janë të zgjedhur, sepse përndryshe nuk do të ekzistonte termi eulija. Por, me plot gojën, mund të themi se për të qenë të tille nuk është e nevojshme për të qenë patjetër dijetarë apo të pasur, sepse verdiktin e jep sinqeriteti, nijeti i pastër, që do të thotë se probabiliteti është i shpërndarë tek dija dhe nijeti i pastër, që vë në të njëjtin nivel dijetarin me zdrukthëtarin në Sytë e Zotit. E parë në këtë sens, asnjë prind të mos shqetësohet që patjetër fëmija i tyre “të bëhet dikushi në jetë”, por të shqetësohet që të mos i ofrojë modele jete të cilat kapërcejnë mundësitë e tij, që nuk e lejojnë të njohë veten e për pasojë të mos dijë të kuptojë dallimin mes së vlefshmes e të pavlefshmes e në këtë mënyrë të jetë: po e përmbledh me një fjale: i tjetërsuar. Pra, edhe ne fe ekziston një hierarki rendësish që varen nga trajtimi i vlerave të përbashkëta. Është interesant dhe lehtësues fakti që Islami ul në të njëjtën sofër të riun me të vjetrin, të varfrin me të pasurin, të bukurin me më pak të bukurin, secili me eksperiencat e veta, për të dëshmuar plotësinë e fesë, për t’i shkrirë rrugëtimet në një të përbashkët në rrugëtimin drejt Allahut, Zotit të botëve që na bëri njerëz të thjeshtë jo sepse jemi më pak të rëndësishëm se të tjerët, por sepse të kenaqurit me caktimin e Tij është më e rëndësishme se rëndësia që të jep pozita: që na beri të ditur jo për të treguar se jemi më të zgjuarit, por për të na treguar se dituria vlen për të kuptuar se sa të përulur jemi në sytë e Tij, që na bëri të varfër jo për të na munduar por për të na mësuar me durimin, që na bëri të pasur jo për të qenë ne “Zoti” i të tjerëve, por për të dëshmuar se vetëm Ai është i Pasuri i të pasurve, që na bëri të bardhë jo për t’u krenuar me shkëlqimin tonë, por për të na treguar se dhe nata me yje shkëlqen njëlloj, që na bëri të bukur jo për t’u dalluar nga të tjerët, por për të dëshmuar mjeshtërinë e krijimit të Tij, që na beri burra e gra jo për të zhvlerësuar rëndësinë e tjetrit, por për të na treguar se ne pa njeri-tjetrin jemi pa status dhe për të na treguar me këtë se Ai nuk ka nevojë për askënd për të dëshmuar Veten e Tij.
B. Zadeja
Burimijetes.com