Lidhur me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Allahu kurrsesi nuk iu mundëson jobesimtarëve mbizotërim të plotë mbi besimtarët” (Kuran, Nisa: 141)

0
502

Lidhur me komentimin e këtij ajeti te dijetarët gjejmë pesë mendime:

1. Transmeton Jesi el Hadremi, i cili thotë: “Isha tek Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe e pyeti njëri nga të pranishmit: -O prijësi i besimtarëve, a e ke dëgjuar fjalën e Allahut: “… Allahu kurrsesi nuk iu mundëson jobesimtarëve mbizotërim të plotë mbi besimtarët”? Si kuptohet ky ajet, kur dihet se ata na luftojnë dhe triumfojnë ndonjëherë?
Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Kuptimi i tij është për Ditën e Kiametit (Ditën e Gjykimit).”
Të njëjtin mendim ka edhe Ibni Abasi, i cili tha: “Kjo është Ditën e Kiametit.” Thotë Ibn Atije: “Kështu thonë të gjithë komentuesit.”
Ibni el Arabiu thotë: “Ky mendim është i dobët sepse nuk i mbetet kuptim ajetit, pasi ky ajet vjen pas fjalës së Allahut të Lartësuar: “E nëse jobesimtarëve u takon ndonjë fitim, ata thonë: “A nuk mbizotëruam ne mbi ju (por nuk deshëm të mposhtim) dhe penguam prej jush besimtarët!” Allahu do të gjykojë mes jush Ditën e Gjykimit… ”
Kjo tregon pra se gjykimi do të bëhet Ditën e Kiametit, kurse në këtë botë jobesimtarët triumfojnë disa herë dhe humbin disa herë, ashtu siç e kërkon urtësia e Tij, i lartësuar është Ai. Pas këtij ajeti vijon fjala e Fuqiplotit: “Allahu kurrsesi nuk iu mundëson jobesimtarëve mbizotërim të plotë mbi besimtarët” dhe sipas mendimit të parë nuk i mbetet kurrfarë kuptimi këtij ajeti, pasi i bie vetëm përsëritje ajetesh pa rezultuar ndonjë kuptim i ri.”

2. Allahu i Lartësuar nuk ua mundëson atyre që t’i asgjësojnë muslimanët tërësisht, t’ua humbin gjurmët atyre dhe t’i shfarosin ata, ashtu siç ka theksuar hadithi i Resulullahut salallahu alejhi ue selem, që thotë: “Kam kërkuar nga Zoti im që të mos e shkatërrojë menjëherë (umetin tim) dhe të mos i mundësojë armikut ta mposhtë dhe ta asgjësojë atë, përpos asaj që ndodh në mes tyre. Dhe se Zoti im më tha: “O Muhamed, nëse unë gjykoj për diçka, atëherë s’ka kush që mund të kthejë atë gjykim dhe se Unë ia dhuroj umetit tonë mosshkatërrimin e tij përnjëherë dhe pamundësinë e pushtimit nga armiku, që t’i mundësojë asgjësimin e tij, edhe nëse mblidhen ata nga anembanë toka, përpos asaj që ndodh mes tyre, ku do të shkatërrojnë disa nga ata një pjesë të tyre dhe do të robërojnë një pjesë tjetër.” Shënon Muslimi në Sahihun e tij.

3. Nëse umeti thërret për tek e keqja dhe largon nga e mira si dhe nuk pendohet, në këtë rast pushtimi është si rezultat i veprave të tyre, ashtu siç e përmend Allahu i Lartësuar: “Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija)…” (Shura, 30)
Ibn el Arabiu mbështet këtë mendim.
Shtoi: Vetë fjala e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “…përpos asaj që ndodh mes tyre, ku do të shkatërrojnë disa nga ata një pjesë të tyre dhe do të robërojnë një pjesë tjetër”, se një gjë e tillë është vërtetuar në praktikë mes muslimanëve në këtë kohë, derisa u është mundësuar jobesimtarëve t’i pushtojnë vendet e muslimanëve dhe saqë nuk ka mbetur nga Islami përpos pak. E lusim Allahun e lartësuar të na përfshijë me faljen dhe ndihmën e Tij!

4. Allahu nuk ua mundëson një gjë të tillë sipas sheriatit (ligjit islam) dhe nëse ndodh ajo, nuk përkon me dëshirën e Tij sheriatike.

5. Nuk ua mundëson të triumfojnë në argumentime logjike dhe as sheriatike.

Husejn Serraxh
Përktheu: Fatmir Raçi
16.5.2008