A lejohet veshja e rrobës së kuqe?

0
212

A lejohet veshja e rrobës së kuqe?

Është saktësuar nga profeti alejhi selam ndalimi i tij nga veshja e rrobës së ngjyrosur me usfur (lloj barishtje që jep një ngjyrë të kuqe e përzier me të verdhë).

Ali bin Ebij Talib -radiallahu anhu- thotë: “Më ka ndaluar i dërguari i Allahut -alejhi selam- të vë unazë floriri, të vesh rroba mëndafshi, të lexoj kuran në ruku dhe në sexhde dhe të vesh rroba të ngjyrosura me usfur” e transmeton Muslimi.
Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- thotë: “Më ka parë profeti -alejhi selam- të veshur me dy rroba të ngjyrosura me usfur dhe më tha: Këto janë rrobat e jomuslimaneve, prandaj mos i vish ato” e transmeton Muslimi.

Pra, siç shihet profeti -alejhi selam- ndalon nga veshja e rrobës së ngjyrosur me usfur i cili siç thamë më lart jep një ngjyrë të kuqe të përzier me të verdhë dhe tani lind pyetja: A është për qëllim në këtë ndalim usfuri në veçanti apo e kuqja në përgjithësi?

Kjo është një mesele për të cilën ulematë e islamit kanë rënë në kundërshtim dhe shkak për këtë kanë qenë disa hadithe ku përmenden rrobat e kuqe si këto hadithe:
“Shejtani e do të kuqen, prandaj largojuni të kuqes dhe rrobave të famës” e transmeton Taberani dhe e dobëson sheikh Albani.
“E kuqja është zbukurimi i shejtanit dhe shejtani e do të kuqen” e transmeton Abdurrazaku dhe e dobëson sheikh Albani.
Asnjë prej haditheve ndaluese nuk qëndron për argumentim siç thotë sheikh Albani në librin Sifetus-Salat dhe nuk mbetet tjetër veçse hadithi i ngjyrosjes me usfur.
Mendimi më i saktë në këtë mesele është medhhebi i ehli hadithit siç tregon Tirmidhiu në librin e tij të sunetit se e ndaluar është e kuqja që përfitohet nga ngjyrosja me usfur ndërsa e kuqja që përfitohet nga ngjyrosja me lëndë të tjera nuk ndalohet përderisa nuk është me usfur.
Argument për këtë është se profeti alejhi selam ka veshur rroba të kuqe siç ka ardhur në disa hadithe prej tyre:
El-Berra bin Azib thotë: “Profeti alejhi selam ka qenë njeri mesatar (për nga gjatësia) me shpatulla të gjera dhe me flokë që arrinin deri te të butat e veshëve. E kam parë një herë atë veshur me një rrobe të kuqe dhe nuk kam parë njeri më të bukur se ai” e transmeton Buhariu dhe Muslimi
Ebu Xhuhejfe thotë: “…doli profeti alejhi selam i veshur me një rrobe të kuqe dhe u fal pas një shtize” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Këto hadithe, Ibn El-Kajimi –Allahu e mëshiroftë- është munduar ti komentojë ndryshe nga ç’duket nga ana e jashtme kur ka thënë se këto rroba nuk kanë qenë me të kuqe të plotë por të zeza me vija të kuqe dhe mbi këtë komentim është bazuar kur ka thënë se ndalohet vetëm rrobat tërësisht të kuqe mirëpo ky komentim siç thamë është në kundërshtim me atë që duket nga ana e jashtme e haditheve çka e ka bërë imam Sheukanin ta konsiderojë si komentim të gabuar siç ka bërë më pas edhe sheikh Albani në librin e tij Sifetus-Salat.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here