A lejohet të punosh në strukturat e një shteti jo mysliman?
Duke qenë se jo pak prej myslimanëve në botë jetojnë në vende ku nuk gjykohet me islam e mes tyre edhe myslimanët shqiptarë të vendit tonë, shpesh herë ngrihet kjo pyetje e cila ka nevojë për një përgjigje të detajuar nga dijetarë të njohur të islamit. Unë nuk dua të zë vendin e atyre që u takon fjala por përderisa pashë diçka në librat e sheikh-ul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje desha të sjell këtu fjalët e tij për të ndihmuar sado pak në këtë përgjigje për këdo që është i interesuar për të.
Sheikh-ul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- duke folur për një çështje shumë të njohur në fikh madje dhe bazë në dhënien e fetvave e cila është: [Kur bashkohen dy të dobishme dhe nuk mundet të arrihen të dyja i jepet përparësi asaj më të dobishmes dhe kur bashkohen dy të këqija dhe nuk mund të shmangen të dyja i jepet përparësi asaj më të dëmshmes], thotë:
“Sipas këtij rregulli është edhe marrja nga ana e Jusufit -alejhi selam- postin e përgjegjësit dhe administruesit të depove të prodhimeve bujqësore nga mbreti i Egjiptit madje ishte kërkesa e tij që ai (mbreti) ta caktonte përgjegjës të depove ndërkohë që ai (mbreti) dhe populli i tij ishin jomyslimanë (kuffar) siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:
[Juve u erdhi Jusufi më përpara dhe ju vazhduat në dyshim në lidhje me atë që ju solli (udhëzimet e Allahut)] suretu Gafir: 34
dhe gjithashtu fjala e Allahut: [O, dy shokët e mi të burgut! A disa zota të ndryshëm janë më të mirë apo Allahu i vetëm dhe ngadhënjyes * Ata që adhuroni nuk janë veçse emra të emërtuar nga ju dhe baballarët tuaj] suretu Jusuf: 39-40.
Kështu dhe dihet se ata si jobesimtarë që ishin patjetër duhet të kenë pasur ndonjë adet apo zakon në marrjen e pasurisë dhe ndarjen e saj: punëtoreve të mbretit, familjes së tij, ushtarëve të tij dhe pastaj popullit të tij ndryshe nga praktika e profetëve dhe drejtësia e tyre dhe Jusufi nuk kishte mundësi të bënte çdo gjë që donte dhe e shihte të drejtë nga feja e Allahut sepse ai popull nuk iu përgjigj thirrjes së tij por bëri atë që kishte mundësi të bënte prej drejtësisë dhe bamirësisë dhe fitoi nga sundimtari nderim për besimtarët e familjes së tij aq sa nuk do ta kishte fituar pa e bërë atë punë dhe e gjitha kjo futet te fjala e Allahut [Prandaj kijeni frikë Allahun aq sa kini mundësi] suretu Et-Teghabun: 16” Shih librin Mexhmu-ul-fetaua 20: 56-57 .
Sheikhu-ul-islam Ibn Tejmije në vazhdim të fjalëve të tij shpjegon më tej rregullin e lartpërmendur dhe thotë: “Kur vijnë dy detyra që nuk mund të bashkohet mes tyre dhe i jepet përparësi asaj më të rëndësishmes atëherë ajo tjetra në këto rrethana nuk është detyrë dhe as lënësi i saj për të bërë atë më të rëndësishmen nuk quhet në të vërtetë lënës i detyrës.
Gjithashtu kur vijnë dy të ndaluara dhe nuk mund të lihet ajo që është më e madhe se tjetra veçse duke bërë atë më të voglën atëherë nuk është në të vërtetë veprimi i së voglës në këto rrethana i ndaluar edhe pse ajo e para quhet lënie detyre dhe kjo e dyta veprim i së ndaluarës nga ana e përgjithshme dhe kjo gjë nuk përbën problem. Në këto raste thuhet lënie e detyrës me arsye dhe veprim i së ndaluarës për një dobi më të madhe apo për domosdoshmëri apo për të larguar atë që është më e ndaluar” Shih librin Mexhmu-ul-fetaua 20: 57 .
Pastaj sheikh-ul-islam Ibn Tejmije shpjegon se sa e nevojshme është të bëhet ky dallim në kohën kur dobësohet pushteti i islamit:
“Porta e ndeshjes (përplasjes) mes detyrave dhe të ndaluarave është portë shumë e gjerë sidomos në kohet apo vendet ku janë dobësuar gjurmët profetike dhe hilafeti profetik sepse këto çështje janë të shpeshta: sa më shumë të dobësohen ato aq më shumë shtohen këto çështje. Prezenca e këtyre çështjeve është shkak për sprovë mes ymetit sepse kur përzihen të mirat me të këqijat (që rrjedhin nga kryerja e një pune) bihet në dilemë:
1- Disa mund të shikojnë vetëm tek të mirat dhe u japin përparësi atyre edhe nëse puna përmban të këqija të mëdha.
2- Disa mund të shikojnë vetëm te të këqijat dhe i japin përparësi atyre në gjykim edhe nëse lënë të mira të mëdha (që mund të ketë ajo punë nëse bëhet).
3- Dhe ata që janë të mesëm dhe shikojnë te të dyja anët (këtu për qëllim ka ata të cilët kur bashkohen në një punë edhe të mira edhe të këqija i marrin parasysh të dyja anët dhe peshojnë mes tyre pastaj i japin përparësi asaj që rëndon më shumë).
Mund të mos jetë e qartë për ta (për njerëzit) apo për shumicën prej tyre masa e dobisë apo e dëmit dhe i japin përparësi anës tjetër ose mund të jetë e qartë por nuk gjejnë njeri që i ndihmon ata në veprimin e të mirave dhe lënien e të këqijave sepse epshet shoqërojnë mendimet (d.m.th. dëshirat ndikojnë në mendime për të zgjedhur atë që do dhe jo atë që duhet) prandaj dhe ka ardhur në hadith: [Allahu e do shikimin e mprehtë kur vijnë të dyshimtat dhe logjikën e plotë kur shfaqen dëshirat] (shënim: hadithi është jo i saktë nga ana e zinxhirit të transmetimit por me tekst kuptimplotë dhe i pranueshëm dhe prandaj sheikhu -ul-islam Ibn Tejmije e le të hapur duke thënë: siç ka ardhur në hadith, pa ia referuar askujt)”. Shih librin Mexhmu-ul-fetaua 20: 57-58.
Shumë të sakta janë këto fjalë të thëna nga sheikh-ul-islam Ibn Tejmije dhe nuk dalin veçse nga një dijetar me eksperiencë kryesisht në fikh dhe bazat e tij dhe ne sipas asaj që shohim arrijmë në përfundimin se lejohet të punosh në strukturat e shtetit jomusliman me dy kushte:
1- Nëse mbajtja e atyre posteve është në të mirë të myslimanëve dhe bashkësisë së tyre nga njëra anë siç ishte dhe për Jusufin dhe familjen e tij besimtare dhe nga ana tjetër të nxjerrë në pah vlerat e besimit si besnikëria dhe drejtësia siç u panë prej Jusufit -alejhi selam- gjë kjo që i bëri beni Israilët të jetojnë në Egjipt të respektuar dhe të nderuar për një kohë të gjatë derisa kjo u prish me ardhjen në pushtet të faraonit të kohës së Musës -alejhi selam-.
2- Të punojë në punë të lejuara në origjinë sipas sheriatit tonë sepse edhe Jusufi -alejhi selam- kërkoi të punonte te depot e prodhimeve bujqësore dhe të ishte përgjegjësi i saj dhe pastaj nuk përbën problem nëse bën ndonjë të ndaluar të vogël për hir të një mire më të madhe në peshore siç e supozonte sheikh-ul-islam Ibn Tejmije në lidhje me shpërndarjen.
Së fundi çështja -siç u pa nga fjalët e sheikhut të islamit Ibn Tejmijes (Allahu e mëshiroftë)- është e ndërtuar mbi bazën përcaktimit të dëmit dhe dobisë dhe pastaj ti japësh përparësi asaj që është më e rëndë në peshore. Ky është një fikh (kuptim) i hollë dhe që ka nevojë për një mendje të mprehtë dhe njeri me përvojë në dije dhe ska dyshim se këto janë te njerëzit e ditur sikurse ishin dhe te Jusufi -alejhi selam- prandaj dhe kushdo që i paraqiten raste të tilla duhet ti përcaktojë mirë ato dhe të jetë në kontakt me njerëzit e dijes për këshilla nëse nuk është vetë prej tyre sepse kjo fushë është fushë e rrezikshme sa edhe vet sheikh-ul-islam kur flet për dobitë e pakufizuara (El-Mesalih El-Mursele) thotë: “Ky kapitull është shumë i madh (me rendesi te madhe) dhe duhet ti kushtohet rëndësi (rendesia e duhur) sepse nëpërmjet tij ka ndodhur në fe lëkundje të mëdha sepse shumë prej prijësve, dijetarëve dhe adhuruesve i kanë parë disa punë si të dobishme dhe i kanë vepruar mbi këtë bazë ndërkohë që prej tyre mund të ketë të ndaluara në fe dhe nuk e kanë ditur…. ” Shih librin Mexhmu-ul-fetaua 11 : 343.
Shkroi Dr Abdullah Nabolli