Në këtë univers çdo gjë është në dobi dhe shërbim të njeriut. Po të mos ishte kështu, atëherë si mund të jetonte njeriu. Ky ekuilibër gjendet edhe në sistemin e Islamit, që urtia dhe vullneti i Allahut i parapriu për të qenë sistem dhe program jetese për këtë krijesë të përsosur. Megjithatë ka faktorë të ndryshëm që e rebelojnë njeriun karshi këtij sistemi dhe programi jetese. E sidomos, kur është në pyetje praktika e dispozitave dhe e ligjeve, që parasheh Feja, sepse këtu kërkohet një përkushtim dhe seriozitet më i madh. Kjo vjen si rezultat i botëkuptimit të krijuar nga shumë njerëz, se ngarkesat në Islam me të cilat njeriu është i detyruar, cenojnë të drejtat e lirisë dhe zgjedhjes së lirë. Disa të tjerë shkojnë aq larg, duke menduar se një gjë e tillë është e paarritshme. Një reflektim i tillë ka ndikuar edhe tek shumë muslimanë, ku ka shkaktuar një zbehje të Islamit praktik.
Një ndër objektivat dhe bazat e legjislacionit Islam është moskrijimi i vështirësisë dhe alternativa e lehtësimit që ai legjislacion ka çdo herë. Islami i përmbahet rregullit për të gjetur mesataren në të gjitha çështjet e jetës. Ai ka si synim të vetin çdo herë lehtësimin në çdo aspekt. Këtë e dëshmon Kurani, Suneti dhe logjika e shëndoshë. Nëse hapim Kuranin që nga fillimi e deri në fund do të hasim vetëm 500 ajete ku kanë të bëjnë me dispozitat praktike islame. Ndërsa pjesa tjetër përfshin, informata dhe besim. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.”
Kurani sjell shembuj për lehtësimin. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush detyrohet nga uria (të hajë nga të ndaluarat), duke mos anuar dhe duke mos pasur qëllim mëkatin, Allahu fal shumë dhe është mëshirues.” Po ashtu: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” Allahu i Madhëruar e përshkruan mesazhin e Pejgamberit, se erdhi mëshirë për njerëzimin. Rrezet e kësaj mëshire rrezatuan mbi umetin e Pejgamberit me lehtësimet, që solli ky Pejgamber. Muhamedi salallahu alejhi ue selam ka thënë: “Vërtet, Allahu ka dëshirë që të pranohen lehtësimet e Tij, ashtu siç urren kundërshtimin ndaj Tij.”
Fillimisht para se të sjellim disa modele lehtësimi, që solli Pejgamberi salallahu alejhi ue selem për umetin e tij, ne do të përmendim disa rregulla mbi parimin e “ruhsas – lehtësimit”.
Përkufizimi i “ruhsas”:
Termi “ruhsa” në aspektin gjuhësor ka kuptimin e lehtësimit. Në aspektin terminologjik nënkupton: Dispozitë e legjitimuar për shkak të arsyes të lehtësimit të atij, që është i ngarkuar me atë dispozitë. Kushtet e “ruhsas”:
a) Ekzistimi i arsyes. b) Verifikimi i motivit. c) Vendi se ku duhet të përdoret “ruhsa”. d) Respektimi i rregullave të përcaktuar mbi te. Përkufizimi i “ruhsas” tek fukahatë: Të punosh me “ruhsan” sipas fukahave është: Të pasuarit e asaj, që është më e lehta nga të gjitha thëniet e tyre. Kjo është e lejuar në sheriat me rregullat që vijojnë:
Nuk lejohet pasimi i “ ruhsas”, lehtësimit të medhhebeve, duke pasuar epshin, ngase një gjë e tillë të çon në zhveshjen e ngarkesave fetare, por ajo lejohet duke pasur në konsideratë rregullat që vijojnë:
- Thëniet e fukahave që lejojnë “ruhsan”, lehtësimin të jenë të pranuara në Sheriat e mos jenë të cilësuara, si thënie të veçuara (shadh).
- Të ketë nevojë për lehtësimin për ta mënjanuar vështirësinë, pa marrë parasysh nëse kjo ka të bëjë me shoqërinë në përgjithësi apo individin.
- Të vepruarit me lehtësimin, mos të jetë shkak i ndonjë thënie, që merret për të arritur ndonjë qëllim të paligjshëm.
- Ai që punon me te, të ndiejë rehati shpirtërore.
- Ai që punon me lehtësimin mos të jetë i detyruar që të punojë me të, por të jetë i lirë në zgjedhje.
Sulejman Temimi thotë: “Nëse merr nga lehtësimet e çdo dijetari tek ti është i gjithë sherri”.
Euzai thotë: “Ai që merr nga gjërat e veçuara (shadh) të dijetarëve, del nga Islami.”
Disa modele lehtësimi që solli Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të:
PASTËRTIA: • Tejemumi është specifikë e umetit të Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Tejemumi është një nga adhurimet me të cilat është dalluar umeti i Muhamedi salallahu alejhi ue selem nga umetet e mëhershme. Xhabiri na përcjell, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra, të cilat nuk i ka pasur asnjë Pejgamber tjetër para meje: …(ndër to) më është bërë e tërë toka xhami dhe pastrim…”. Kjo do të thotë se muslimani e ka të lejuar ta falë namazin në çdo vend në tokë, kurse umetet e mëparshme mund të faleshin vetëm nëpër faltoret e përcaktuara që ndërtonin. Pastaj edhe toka për muslimanin është pastrim, që do të thotë se me të mund të pastrohet, dhe këtu është fjala për tejemumin.
-Na përcillet nga Imran ibën Husajni, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, pa një burrë të veçuar, i cili nuk u fal me njerëzit dhe i tha: -O filan! Ç’të pengoi të faleshe me njerëzit? O i Dërguari i Allahut! Unë isha xhunub, -tha ai, – dhe nuk kishte ujë (që të lahesha). Muhamedi salallahu alejhi ue selem i thotë: -Atëherë mësyja dheut të nga toka, sepse ai të mjafton.
• Mes`hu mbi mestet është lehtësim i lejuar, i cili vërtetohet me konsensusin e muslimanëve.
– Na përcillet se Mugire ibën Shube, radijallahu anhu ka thënë: “Një natë, kur isha me Resulullahun salallahu alejhi ue selem në udhëtim, unë po i hidhja ujë për të marrë abdes e ai lau fytyrën, duart deri në bërryl, fërkoi kokën e pastaj desha t’ia heq mestet e tij (nga këmbët), e ai salallahu alejhi ue selem më tha: “Lëri, ngase i kam mbathur të pastra”, dhe mori mes’h.”
NAMAZI: • Njëri ndër lehtësimet që solli Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja qoftë mbi te, është edhe shkurtimi i namazeve farz në udhëtim nga katër rekate në dy: – Buhariu në përmbledhjen e koleksionit të tij shënon, se Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte dalë nga Kufa dhe shkurtoi namazin e ai i shihte vendbanimet. Ndërkaq me rastin e hyrjes i është thënë se kjo është Kufa ai u tha: “Derisa të hymë në të”. Po ashtu i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e ka falur namazin e drekës katër rekatë në Medinë, ndërkaq ikindinë në vendin e quajtur Dhul Hulejfe dy rekate.
AGJËRIMI: – Nga lehtësimet që solli Pejgamberi salallahu alejhi ue selem është edhe lejimi për të ngrënë dhe pirë gjatë udhëtimit në ditët e Ramazanit. Ky është një lehtësim i pëlqyer, duke u bazuar në hadithin e Muhamedit salallahu alejhi ue selem: “Nuk është prej mirësisë së plotë agjërimi në udhëtim.” Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Hamza ibën Omer el Eslemi i ka
thënë Muhamedit salallahu alejhi ue selem: “A të agjëroj në udhëtim?” Ai e kishte zakon të agjëronte shumë dhe Muhamedi salallahu alejhi ue selem i tha: “Nëse dëshiron, agjëro e nëse dëshiron, mos agjëro.” I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk është me vend që ju të agjëroni kur të jeni në udhëtim.” Lutja jonë e fundit është: Lavdia i qoftë Allahut, Sunduesit të botëve!