Kush i ka këto katër cilësi është hiporkrit

0
198

Transmetohet nga Abdullah bin Amri se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Kush i ka këto katër cilësi është hipokrit i thekur,ndërsa kush ka një cilësi prej tyre ka në vete një pjesë nga hipokrizia derisa ta braktisë atë, (ato janë):kur i lihet dicka në mirëbesim, ai e tradhton, kur flet gënjen, kur bën marrëveshje e thyen(e tradhton) atë, dhe kur është në konflikt i tejkalon kufinjtë(e drejtësisë)”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi)
Hipokrizia është sëmundje e rëndë, rrezik madhor ndaj islamit dhe muslimanëve. Ky ves, është cilësi e përcmuar e atyre njerëzve të cilët e shfaqën islamin për mashtrim dhe intrigë, në mënyrë që të arrijnë interesa materiale dhe që të ruajnë vetet e tyre gjallë.
Allahu i ka mallkuar hipokritët, i ka përcmuar ata dhe i ka kërcënuar me dënim të dhimbshëm në shtresën e fundit të zjarrit të xhehenemit. Cilësitë e tyre të përcmuara na i ka treguar Allahu në sure të shumta të Kuranit, si psh në suren Bekarah, Nisa, Teubeh, Muxhadileh, Hashr, Munafikun, e gjithë kjo që besimtarët t`i njohin hipokritët dhe të ruhen prej sherrit të tyre, nga intrigat dhe poshtërsitë e tyre.
Profeti salallahu alejhi ue selem në këtë hadith bëri të qartë katër cilësi dhe shenja të dukshme dhe lehtësisht të dallueshme.

Cilësia e parë: Mashtrimi dhe tradhëtia e mirëbesimit. Sa ves i ulët dhe sa e shëmtuar është që dikush të të mirëbesojë në lidhje me pasurinë, nderin, apo një të drejtë nga të drejtat e tij, ndërsa ti e tradhëton. Përkufizimi i amanetit është shumë i gjerë, duke përfshirë cdo gjë që i lihet njeriut në mirëbesim, saqë realisht përfshin të gjithë aspektet e fesë. Cdo gjë që profetët përcollën, nga besimi dhe dispozitat, janë amanet tek dijetarët, ndaj nëse dijetarët neglizhojnë në komunikimin, përcjelljen dhe përhapjen e saj, do konsiderohet mashtrim që meriton mallkimin e Allahut dhe zemërimin e Tij. Allahu thotë: “ Ata që fshehin faktet dhe udhëzimin që Ne kemi zbritur, pasiqë ia kemi sqaruar atë njerëzve në Libër, këta i mallkon Allahu dhe i mallkojnë mallkuesit” (Bekarah 159)
Ndaj ata që bartin diturinë e kanë detyrë ta përhapin diturinë që solli vula e profetëve, duke qenë nga kulminacioni i amaneteve, ndërsa fshehja apo neglizhimi në këtë drejtim është nga tradhtitë më të rënda. Allahu thotë: “ O ju të cilët keni besuar mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin, duke tradhtuar amanetet tuaja, duke qenë të vetëdijshëm” (Enfal 27)

Cilësia e dytë: Gënjeshtra në thënie dhe bisedë. Ky është themeli i hipokrizisë dhe është nga veset më të ulëta. Të gjithë popujt dhe fetë e respektojnë ciltërsinë dhe vërtetësinë, si dhe e urrejnë gënjeshtrën, e përcmojnë gëjeshtarin. Ndaj kushtoji rëndësi që të jesh në rradhët e të ciltërve në thënie dhe në vepra. Largohu nga gënjeshtra dhe gënjeshtarët sepse ky ves është cilësi e njerëzve më të ulët që ekzistojnë, të cilët janë hipokritët, sic tregon ky hadith. Analizoje gjendjen e tyre dhe do shohësh se feja e tyre është e ndërtuar mbi gënjeshtrën. Shih se si Allahu i ka demaskuar dhe i ka zbuluar të fshehtat e tyre, thotë i Lartësuari: “ (Përkujto) Kur të erdhën hipokritët dhe thanë: Dëshmojmë se ti je i Dërguari i Allahut. Allahu e di se ti je i Dërguari i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë. Ata i përdorin betimet e tyre si mbrojtje, ndërkohë që pengonin nga rruga e Allahut. Sa e keqe është ajo që veprojnë” (Munafikun 1-2)

Cilësia e tretë: Thyerja e premtimeve, shkelja e besës dhe e marrëveshjeve, mospërmbajtja ndaj kontratave, tradhtia. Duke qenë nga veset më të ulëta dhe më të shëmtuara. Mjafton për të kuptuar sherrin e këtij vesi, fakti që prej tij rrjedh sëmundja e hipokrizisë, thotë i Lartësuari: “ Allahu i ndëshkoi me hipokrizi në zemrat e tyre deri në Ditën kur do e takojnë Atë, kjo për shkak se e thyen premtimin dhe besën që i kishin dhënë Allahut dhe për shkak se gënjenin” (Teubeh 77)
Ndaj ruaju që të mos biesh në këtë ves të shëmtuar, kushtoji rëndësi dhe përkushtim mbajtjes së premtimit, respektimit të marrëveshjes, ashtuqë të jesh nga njerëzit e pjekur: “ Ata të cilët përmbushin besën e Allahut dhe nuk e thyejnë marrëveshjen” (Rad 20)

– Cilësia e katërt: Tejkalimi i kufinjve kur ndodhet në konflikt, mos qëndrimi brenda kontureve të së drejtës dhe vërtetës. Ky është një mëkat i madh dhe gabim i rrezikshëm, që e shtyn njeriun drejt pasojave tejet të dëmshme, si psh cënimi i nderit dhe i pasurisë, mohimi i të drejtave të të tjerëve, akuzimi i njerëzve padrejtësisht, armiqësimi me thirrësit e së vërtetës, pengimi i njerëzve nga udhëzimi, e vërteta, orientimi i tyre në shtigjet e humbjes dhe sjelljeve të ulëta. Sa e sa ndere janë cënuar, sa e sa gjakra janë derdhur dhe sa pasuri janë grabitur, për shkak të tejkalimit të kufinjve të hipokritëve në konflikte të ndryshme?! Sa e sa njerëz që kanë dashur të ndjekin të vërtetën dhe rrugën e udhëzimit por janë shmangur për shkak të hipokritëve?!

Përktheu: Shuajb Rexha

Shejhu i nderuar: Rabia bin Hadij el Medkhalij
Marrë nga: Mudhekiratul hadithi fil akideti uel itiba fq 62

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here