Aid el Karni
Thotë Allahu i lartësuar:
“Kurse zemrat, kur përmendet Allahu, vërtet qetësohen.”
Sinqeriteti është veti e pëlqyer tek Allahu i lartësuar. Zemërgjerësia e bën zemrën të pastër, kurse përvoja është dëshmi. Njeriu shembullor nuk i gënjen të afërmit e tij. Përmendja e Allahut të Madhërishëm, është vepra më me vlerë dhe i sjell zemrës prehje të përhershme.
“Më kujtoni ju Mua, pastaj do t’u kujtoj Unë juve.”
Të përmendurit e Allahut të Madhërishëm është xheneti në tokë, ai që nuk hyn në të nuk do ta shohë Xhenetin në ahiret. Dhikri është strehë dhe shpëtim për shpirtin nga lodhja, vuajtjet, vështirësitë dhe shqetësimet. Ai është shtegu më i thjeshtë dhe më i lehtë për çdo sukses dhe fitore. Ai që vigjilon mbi faqet e Shpalljes e di vlerën e dhikrit, e kush e praktikon çdo ditë, ka ilaç për çdo rast. Prandaj, mos u habit kur të shohësh se sa të qetë janë ata që e përmendin Allahun. Ky është kuptimi i çdo gjëje. Por është mrekulli e vërtetë si jetojnë ata që janë të pakujdesshëm dhe nuk e përmendin Zotin e tyre.
“Janë krijesa, që nuk janë të gjalla dhe që nuk dinë kur do të ringjallen.”
O ti që ankohesh për lodhje, që vajton nga dhembja, frikohesh nga fatkeqësia dhe mbi të cilin janë lëshuar të gjitha vuajtjet e botës, përmende emrin e Tij të shenjtë:
“A di dikë që ta ketë emrin e Tij! ”
Me numrin dhe sasinë e dhikrit që e kryen do të ndriçohen mendimet, do të qetësohet zemra, do të gëzohet shpirti dhe do të prehet ndërgjegjja. Në të përmendurit e Allahut fshihet madhërimi yt ndaj madhështisë së Allahut, besnikëria, besimi dhe mbështetja tek Ai.
Njeriu me dhikër kthehet tek Zoti, mendon mirë për Të dhe pret shpëtim nga Ai. Ndërsa Allahu është afër atyre që e thërrasin dhe dëgjon lutjet e tyre. Vetëm Ai dëgjon lutjet. Andaj dorëzoju Atij me bindje dhe me përulje. Le ta përmend gjuha jote emrin e Tij të bekuar duke i shprehur Atij njëshmëri, madhërim e falënderim, lutje dhe kërkim falje nga Ai. Krahas fuqisë dhe pushtetit të Tij do të arrish lumturi, siguri, gëzim, dritë dhe bindje.
“Allahu u dha shpërblim në këtë botë, kurse në botën tjetër do t’u japë shpërblim më të madh se që e kanë merituar.”