Kujtimi i artë

0
243

Kujtimi të kthen në kohë mbrapa, por ngjallë vuajtje të reja. Kur loti del, dora i afrohet syrit, se mallin e zemrës s’mund ta mbajë në fshehtësi pa e vërejtur të tjerët. I menduari kurrë s’e thotë tërë atë që e di, edhe pse di më shumë se sa ajo që mendon. E njeriu pa vuajtur në terr, nuk kënaqet në dritë, ngase pa shkuar dimri, s’çelin lulet e pranverës. Ndaj, zemra që pastrohet në enën e besimit, i vije turp më shumë nga vetja se nga shikimi i tjetrit. Kur fjalët i le të pathëna, i kupton veç ti, e kur i shqipton, i kuptojnë edhe të tjerët. O i Dërguar! Zemra e përvëluar më rri buzë ujit ku kujtimi për Ty i jep flakë në vend që ta shuajë zjarrin! Ajo që del nga mendja bëhet pjesë e mendimit, por loti që del nga syri nuk është më pjesë e syrit. Kur qëllimi bëhet prej nga dhimbja vjen, e kupton cakun ku shkon, e gjurmën e parë në rrugë, të kujton në dikë që hapëroi para teje. Dije se dhimbja të mbyll në vete e s’ke fjalë ta thuash, atë që e kërkon syri veç me zemër mund ta duash. Kujtimi të përmallon e mallin nuk ta largon, se një zemër e verbëruar nga dashuria veç të dashurin e shikon. Jeta fillon me ndarje, e loti e merr kuptimin kur del prej syri. Tani, po nuk qe dhimbja, njeriu s’do ia dinte vlerën shëndetit dhe të mos jetë durimi, njeriu do ta humb shpërblimin e dhimbjes. O i Dërguar! Kujtimi në Ty, më nxit më shumë Të të kujtojë, se largimi Yt nga kjo botë, të gjallë e mbanë zemrën time për botën tjetër! Sa më shumë të dijë njeriu, aq më shumë heshtë, e sa më i lumtur të jetë, aq më i mbyllur bëhet.

Kur qëllimi yt bëhet e vërteta, në zemër nuk ka vend për të keqën. Lulja mbinë nga uji, e palma lotoi nga ndarja, e së bashku me vyshkjen, pafundësia mori çdo gjë. Dihet se ura i bashkon dy brigje që i ndan lumi, e aty ku përshtypje lë fjala, zemrën e zgjon kujtimi. Dija e zbukuron veprën, e njeriun e zbukuron dija, për këtë, ajo që shkruhet, mbetet, ajo që mbahet mend, harrohet. Barku që e ndjen urinë, i kërkon kafshatat, e gjuha që e përjeton etjen, nuk i pështynë bunarit. O i Dërguar! Emri Yt përmendet, Ti mungon, zemra e etur sot për dashurinë ndaj Teje e shpreh mallin në mungesë, që nesër, në prezencën Tënde ta shuajë mallin te lumi i Keutherit! Besimi në jetë është sprovë për jetën, ku buzëqeshja shprehet në vend të vuajtjes, kurse durimi në heshtje e mban përshpëritjen e zemrës. Kur përmallohesh duke menduar, të lotojnë sytë pa e parë, sepse për atë që mërzitesh, për atë edhe mendon. E kur vuan ta ndërtosh karakterin, e skalit durimin për t’u ballafaquar me sprovën. Aty ku s’kuptohesh, më e mirë është ndarja, ndërsa bashkimi më i mirë është aty ku kuptohesh me heshtje. Ndaj, zemra që pikëllohet me heshtje, nuk qetësohet me fjalë… Thuaje një fjalë që le përshtypje, jo një përshtypje që s’thuhet me fjalë!

Blerim MuhaxheriBurimi: www.islamifejaevertete.com

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here