Krejt trupi më dhemb, jam në ankth!

0
499

Pyetje: Hoxhë i nderuar, ka shumë kohë që nuk ndjehem mirë, kam frikë nga vdekja, ankthi ma ka kapluar tërë trupin, nuk ka vend që nuk po më dhemb, sipas mjekëve jam krejt në regull, se çka mund të kem nuk e di as vet. Nuk mundem aspak të çlirohem nga ky trishtim çdo herë kur më dhemb diçka, më shkon mendja tash po vdes. S’kam forcë dhe dëshirë për të vazhduar. A ka ndonjë dua të Kuranit që duhet lexuar për të më ndihmuar. Zoti ju shperbleftë!
Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin…
Brenga për të ardhmen ose pikëllimi për të kaluarën mund ta sjellë njeriun në gjendje të rëndë shpirtërore. Ajo mund ta sëmurë njeriun më shumë sesa sëmundjet fizike, prandaj njeriu nuk guxon t’ia lejojë vetes të brengoset apo të pikëllohet në skajshmëri, sepse ashtu shkatërron shëndetin dhe ardhmërinë e tij.
Nëse tashmë je duke përjetuar atë gjendje të rëndë, atëherë këshilla ime është kjo:
1. Ki besim të fortë tek Allahu, lute Allahun dhe fale namazin me rregull, atëherë sigurisht ankthi dhe trishtimi kanë për tu larguar ose së paku zvogëluar, ngase zemra dhe gjoksi do të ndjejë kënaqësinë e ibadetit dhe kjo ka ndikimin e madh për dëbimin e shqetësimeve shpirtërore. Allahu ka thënë: “Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, ne do t’u japim një jetë të mirë dhe do t’ua japim shpërblimin më të mirë për atë që kanë vepruar” (Nahël 97).
2. Mos i lejo asnjë problemit dhe asnjë brengeje të prekë zemrën dhe trurin tënd, sadoqë të jenë të mëdha, sepse ti je besimtare tek Allahu e Allahu është i Gjithfuqishëm mbi gjithçka. I Dërguari ka thënë: “Çudi është çështja e besimtarit sepse ajo është vetëm hair, e ashtu nuk është për askënd përveçse për besimtarin. Nëse e godet një e mirë ai është mirënjohës dhe kjo është hair për të e nëse e godet një e keqe ai bën sabër dhe kjo është hair për të” (Muslimi nr. 2999).
3. Te shumë djem të rinj, e sidomos vajza të reja kjo gjendje shpirtërore vjen si pasojë e vonimit të martesës, thellohen në mendime: a thua çfarë fati kam, a do të më dojë, si do të sillet me mua, sa do zgjasë ajo martesë, a thua ka pasur dikë para meje, a do të jetë i/e kënaqur nga unë, si do ta përballoj familjen e tij, a do kem sukses me fëmijët etj…, pyetje të shumta dhe të sikletshme që një vajzë të re apo një djal të ri e shqetësojnë madje e sëmurin, ndërsa ilaçi është martesa sepse në atë mënyrë gjen përgjigjet e duhura dhe e sheh se shumë nga ato pyetje kanë qenë të tepërta dhe të parakohshme. Prandaj, i Dërguari, alejhi salatu ue selam, porosiste: “O të rinj, kush ka mundësi të martohet le të martohet, sepse martesa është mburojë…” të gjithë dijetarët kanë thënë se është mburojë nga gjynahet, por mendoj që kemi të drejtë të besojmë se martesa është mburojë edhe nga shumë sëmundje shpirtërore.
4. Për këto shqetësime, ankthe apo sëmundje ilaçi fetar është Rukja. Kjo nuk nënkupton që menjëherë të hulumtosh për të gjetur një hoxhë që do të bëjë rukje, sepse rukje mund t’i bësh edhe ti vetvetes, nëse ke besim të palëkundur tek Allahu.
Thuaje këtë lutje: ‘ALLAHUMME INNI ABDUKE IBNU ABDIKE IBNU EMETIKE, NASIJETI BIJEDIKE, MADIN FIJE HUKMUKE, ADLUN FIJE KADAUKE, ESELUKE BIKULI ISMIN HUVE LEKE, SEMMEJTE BIHI NEFSEKE, EU ENZELTEHU FI KITABIKE, EU ALEMTEHU EHADEN MIN HALKIKE, EU ISTE’THERTE BIHI FI ILMIL GAJBI INDEKE, EN TEXH’ALEL KURANE RABIA KALBI, UE NURA SADRI, UE XHELAE HUZNI UE DHEHABE HEMMI’ sepse ky është një ndër ilaçet më efikase për zemrën e një besimtari.
5. Pasi t’i zbatosh këto, besoj se do të gjesh ndryshim të kënaqshëm në veten tënde, por nëse nuk vëren aspak ndryshim atëherë konsultohu me ndonjë hoxhë që merret me Rukje sipas Kuranit dhe Sunetit, i cili do të jep sugjerimet e mëtutjeshme.
Allahu të forcoftë në këtë fe, të dhëntë lumturi në këtë botë dhe t’i faltë të gjitha gjynahet!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here