Klonimi njerëzor dhe përfitimi nga inxhinieria gjenetike

0
556

Klonimi njerëzor dhe përfitimi nga inxhinieria gjenetike

Klonimi Njerëzor

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e tij të dhjetë në qytetin e Xhides, të Mbretërisë së Arabisë Saudite, në datat 23-28 Sefer 1418 h. që korrespondon me 28 Qershor – 3 Korrik 1997 e.s., pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura rreth temës së klonimit njerëzor, si dhe hulumtimet dhe sugjerimet e dala nga konferenca mjekësore-fetare e nëntë, e organizuar nga Organizata Islame e Shkencave Mjekësore, në bashkëpunim me Akademinë dhe institucione të tjera, në Caza Blanka të Mbretërisë Marokene, në datat 9-12 Sefer 1418 h. që korrespondon me datat 14-17 Qershor 1997 e.s. dhe pasi dëgjoi diskutimet që u zhvilluan rreth temës, ku morën pjesë dijetarë dhe mjekë, erdhi në këto konkluzione:

Hyrje

Allahu e ka krijuar njeriun në formën më të bukur dhe e ka nderuar atë, Ai në Librin e Tij thotë: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (17:70) Zoti e ka zbukuruar njeriun me intelektin që i ka dhuruar dhe e ka nderuar me përgjegjësinë që i ka ngarkuar, duke e bërë atë kalif në tokë, që ai të jetoj dhe ta civilizojë atë. Allahu e ka nderuar njeriun duke i mbartur atij mesazhin e Tij hyjnor, mesazh i cili përputhet me natyrën e lindur të tij, madje ajo është vetë natyra e tij, sepse Ai thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (30:30) Feja islame ka qenë gjithmonë e vëmendshme për të ruajtur natyrën e pastër të lindur njerëzore, duke mbrojtur pesë objektivat madhore të Islamit: fenë, jetën, arsyen, familjen dhe pasurinë. Islami i mbron këto objektiva madhore nga ndryshimi dëmtues, qoftë ky shkak ose pasojë. Kjo provohet edhe nga hadithi i shenjtë që përcjell Kurtubiu nga Kadi Ismail, ku Allahu në të thotë: “Unë i kam krijuar të gjithë robërit e Mi, të drejtë, por se janë shejtanët ata që i larguan ata nga feja e tyre… duke i urdhëruar ata të ndryshojnë krijimin Tim.” (el-Kurtubi fi Tefsir: 5/389)

Zoti i mësoi njeriut atë që ai nuk e dinte dhe e urdhëroi atë të hulumtojë, vështrojë, meditojë dhe përsiasë, duke iu drejtuar atij në mjaft ajete me këto fjalë:

“A nuk vështrojnë?!”

“A nuk shikojnë?!”

“A nuk sheh njeriu se si Ne e krijuam atë prej pikës së farës, …?!”

“Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.”

“Natyrisht, edhe kjo është shenjë e vërtetë për ata që arsyetojnë.”

“Me të vërtetë, në të gjitha këto ka këshilla për ata që janë të mençur.”

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka).”

Islami nuk vendos mure dhe as kufizime në lirinë e hulumtimit shkencor, sepse një veprimtari e tillë është njohje e veprës së Zotit në krijimin e Tij. Por veç kësaj, Islami nuk e lë portën e aplikimeve, që vijnë si rezultat i përfundimeve shkencore, të hapur për çdo njeri, pa kaluar më parë nën filtrin e kritereve islame, ku siten të lejuarat dhe refuzohen të ndaluarat. Jo çdo aplikim lejohet, për thjesht faktin se ai mund bëhet, por çdo aplikim duhet patjetër të jetë i dobishëm dhe në interes të njerëzve. Çdo dije duhet të ruaj fisnikërinë e njeriut, pozitën e tij dhe qëllimin për të cilin ai është krijuar, ndaj ky aspekt nuk mund të bëhet hapësirë eksperimenti. Për këtë dhe nuk lejohet të cenohet qenia e individit njerëzor, veçoria dhe veçantia e tij; nuk lejohet cenimi i stabilitetit të strukturës sociale ose tronditja e marrëdhënieve fisnore, prejardhja, strukturat familjare të njohura dhe të trashëguara gjatë gjithë historisë njerëzore, e që janë zhvilluar nën hijen e ligjeve dhe normave të Zotit.

Një nga arritjet e sotme të shkencës bashkëkohore, është edhe klonimi, i cili ka marrë një vëmendje të madhe mediatike në mbarë botën. Natyrisht që kjo ngjarje ka nevojë për një sqarim dhe gjykim fetar, nga ana e specialistëve muslimanë të kësaj fushe dhe dijetarët islam.

Klonimi:

Dihet që ligji i Allahut në krijimin e njeriut është që krijesa njerëzore të lind nga takimi mes vezores (femërore) dhe spermatozoidit (mashkullor) ku çdo njeri prej tyre mbart gjysmën e materialit kromozonal të fetusit të ardhshëm. Pas takimit mes tyre dhe formimit të zigotës së përbashkët, që përfshin materialin nga të dy prindërit, krijohet paketa e plotë gjenetike, e cila ka më pas aftësinë të ndahet dhe shumohet. Pas mbjelljes së saj në mitrën e nënën ajo rritet dhe zhvillohet si krijesë e plotë, me vullnetin e Zotit. Procesi i shumimit nis me një qelizë, e cila ndahet në dy, në katër, tetë… e kështu me radhë, derisa të arrijë në fazën ndarjes së qartë të organeve dhe specifikimit të tyre. Nëse një nga qelizat e ngjizura ndahet në dysh, në dy pjesë të ngjashme, para etapës së specifikimit dhe veçimit, atëherë kemi ardhjen në jetë të një çifti binjakësh, të ngjashëm. Ky proces është bërë e mundur të zhvillohet në mënyrë artificiale edhe te kafshët, duke sjellë në jetë një çift binjakësh kafshësh, të ngjashëm. Nuk është raportuar deri më sot (1997) se diçka e tillë është bërë edhe me njerëzit. Kjo është një nga llojet e klonimit, sepse një veprim i tillë sjellë në jetë një kopje të ngjashme. Ky proces quhet klonim me ndarje. Ndërkohë, ka edhe rrugë të tjera klonimi të të gjithë krijesës, dhe kjo zhvillohet duke marrë paketën e plotë gjenetike nga një bërthamë e qelizave të trupit dhe duke e vendosur atë në një qelizë veze, së cilës i është hequr bërthama. Nga kjo ngjizje krijohet një realitet gjenetik i plotë, i cili në të njëjtën kohë posedon aftësinë të shtohet. Nëse paketë mbillet në mitrën e nënës, ajo rritet si një krijesë e plotë, me vullnetin e Zotit. Ky lloj klonimi njihet me emrin “transport bërthamor” ose “zëvendësim bërthamor i qelizës vezore”. Ky është edhe rasti kur përdoret termi “klonim”, kur ai nuk specifikohet, si në rastin e deles “Dolly”. Në realitet kjo krijesë e re nuk është një kopje e plotë e origjinalit, sepse veza nënë, të cilës i ishte hequr bërthama, vazhdon të mbartë mbetje bërthamore në pjesën që rrethon bërthamën e hequr. Këto mbetje kanë një efekt të dukshëm në deformimin e cilësive që u morën nga qeliza trupore. Nuk ka të dhëna deri më sot (1997) se një proces i tillë është zhvilluar te qeniet njerëzore.

Nisur nga kjo që u tha më sipër mund të themi se klonimi është: lindja e një qenie të gjallë ose më shumë, duke zhvendosur bërthamën e një qelize trupore brenda qelizës vezore, së cilës i është hequr bërthama, ose ndarja më dysh e vezës së pllenuar para etapës së ndarjes dhe veçimit të organeve dhe indeve.

Duket qartë që këto praktika nuk mund të quhen krijim, qoftë edhe i pjesshëm, Zoti thotë në Kuran: “Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u ngjan i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari”. (13:16)

Dhe thotë: “A e keni parë farën që e hidhni? A jeni ju që e krijoni atë apo Ne jemi krijuesit? Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë që t’ju ndryshojmë trajtën dhe t’ju krijojmë ashtu si nuk e dini. Sigurisht, ju e dini krijimin e parë (prej një pike fare), atëherë përse nuk mendoni?!” (56:58-62)

Dhe thotë: “A nuk sheh njeriu se si Ne e krijuam atë prej pikës së farës, e megjithatë ai bëhet kundërshtar i hapët?! Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: “Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?” Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë; Ai që prej drurit të njomë bëri për ju zjarrin, të cilin e përdorni për të ndezur”. Vallë, a nuk është i Zoti Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, t’i rikrijojë ato? Po! Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshmi! Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.” (36:77-82)

Dhe thotë: “Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!” (23:12-14)

Kështu që nisur nga hulumtimet e kryera, diskutimet dhe parimet islame që u shpalosën në Këshillin e Akademisë, u vendos si më poshtë:

Së pari: Ndalohet (haram) klonimi njerëzor sipas mënyrave të përmendura më sipër, ose çdo mënyre tjetër, që shpie në lindjen e qenieve njerëzore (me këtë mënyrë).

Së dyti: Nëse ndodh që nuk respektohet gjykimi islam i më sipërm (pika e parë), pasojat e këtyre rasteve kërkojnë gjykim fetar specifik të detajuar.

Së treti: Nuk lejohet (haram) në asnjë rast përfshirja e një pale të tretë, në mes marrëdhënies burrë-grua, qoftë kjo duke dhuruar mitrën, vezën, spermën ose qelizën trupore për klonim.

Së katërti: lejohet fetarisht përdorimi i teknologjisë së klonimit dhe i inxhinierisë gjenetike nëse kemi të bëjmë me bakteret, insektet, bimët dhe kafshët, në kufijtë e kritereve fetare, që përmbushin interesat dhe shmangin dëmet.

Së pesti: u bëjmë thirrje shteteve muslimane, të vendosin ligje dhe rregulla të detyruara të zbatohen, të cilat u mbyllin të gjitha portat, e drejtpërdrejta ose të të tërthorta, të gjitha qarqeve lokale ose të huaja, fondacioneve studimore e specialistëve të huaj, për t’i shndërruar vendet muslimane në hapësira eksperimentesh të klonimit njerëzor, apo të përhapjes së kësaj ideje në to.

Së gjashti: Akademia Ndërkombëtare të Fikhut Islam në bashkëpunim me Organizatën Islame të Shkencave Mjekësore duhet të ndjekin çdo të re shkencore që del rreth çështjes së klonimit, duke përcaktuar edhe termat konkrete të tij, duke organizuar seminare dhe takime të domosdoshme për të sqaruar dispozitat islame që lidhen me këtë çështje.

Së shtati: ftojmë në themelimin e komisioneve të specializuara, ku përfshihen specialistë të fushës dhe dijetarë të fesë, për të përcaktuar kriteret morale në lëmin e kërkimit në shkencat biologjike, që ato të jenë bazë në vendet muslimane.

Së teti: ftojmë në ngritjen dhe mbështetjen e instituteve dhe fondacioneve shkencore që zhvillojnë hulumtime në fushën e shkencave biologjike dhe inxhinierisë gjenetike, duke përjashtuar këtu fushën e klonimit njerëzor, dhe duke i vendosur këto qendra kërkimi mbi baza të qarta fetare. Bota islame nuk duhet të ngelet në këtë drejtim peng e të tjerëve.

Së nënti: duhet të rrënjoset se të rejat shkencore duhet të trajtohen sipas këndvështrimit islam, për këtë ftojmë mjetet e informimit publik që të marrin parasysh vështrimin fetar në trajtimin e këtyre çështjeve, dhe të shmangin përdorimin e tyre për gjëra që bien desh me besimin. Opinioni publik duhet të ndërgjegjësohet se ai duhet të sigurohet para se të marrë një qëndrim të caktuar në lidhje me çështje të tilla, duke iu përgjigjur në këtë rast fjalës së Allahut që thotë: “Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo).” (4:83)

Allahu e di më së miri!

Burimi: http://www.iifa-aifi.org/2013.html

Rreth përftimit nga inxhinieria gjenetike

Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam, organ i Ligës së Botës Islame, në sesionin e pesëmbëdhjetë të tij, i mbledhur në Mekën e nderuar, në datën 11 Rexhep 1419 h. që korrespondon me 31 Tetor 1997 e.s. pasi mori në shqyrtim temën rreth përftimit të muslimanëve nga inxhinieria gjenetike, temë kjo që zë sot një vend të rëndësishëm mes disiplinave bashkëkohore dhe rreth së cilës ngrihen edhe pyetje të shumta, iu bë e qartë se: Inxhinieria gjenetike merret me studimin e gjeneve, ndërtimin e tyre si dhe ndërhyrjen në to duke hequr –për shkak të ndonjë sëmundje-, shtuar apo vendosur pranë njëra-tjetrës, në mënyrë që të ndryshohen karakteristikat gjenetike të qenies së gjallë.

Akademia pasi shqyrtoi, studioi, diskutoi dhe konsultoi edhe vendimet e marra më parë nga institucione të tjera akademike, rreth asaj se çfarë është shkruar rreth kësaj teme, vendosi si më poshtë:

Së pari: Konfirmon vendimin e marrë nga Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam, organ i Organizatës së Konferencës Islamike, rreth temës së klonimit me nr. 100/2/d/10 në sesionin e saj të dhjetë të mbajtur në Xhide më datat 23-28 Sefer 1418 h.

Së dyti: Lejohet përfitimi nga inxhinieria gjenetike në fushën e parandalimit të sëmundjeve si dhe në kurimin e tyre, ose në zvogëlimin e dëmit që ato shkaktojnë, me kusht që nga këto ndërhyrje të mos shkaktohet një dëm më i madh.

Së treti: Nuk lejohet përdorimi i asnjë prej mjeteve dhe praktikave që përdor inxhinieria gjenetike, nëse ato përdoren për qëllime të liga, armiqësore si dhe çdo gjëje tjetër që ndalohet nga feja.

Së katërti: Nuk lejohet përdorimi i asnjë prej mjeteve dhe praktikave që përdor inxhinieria gjenetike, nëse përdoren për të manipuluar qenien njerëzore, karakterin e tij individual, apo me pretendimin e përmirësimit të racës njerëzore duke ndërhyrë në gjenet e tij.

Së pesti: Nuk lejohet asnjë studim, trajtim ose analizë gjenetike në lidhje me një individ të caktuar, vetëm në rast domosdoshmërie dhe pas një vlerësimi të përpiktë rreth rrezikut dhe dobive të mundshme që sjellin këto praktika, si dhe pas një aktmarrëveshje ligjore miratimi, duke ruajtur sekretin e të dhënave personale për çdo njeri dhe duke respektuar të gjitha dispozitat sheriatike islame, që mbrojnë dhe respektojnë dinjitetin njerëzor.

Së gjashti: Lejohet përdorimi i mjeteve dhe praktikave që përdor inxhinieria gjenetike në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, me kusht që të merren të gjitha masat preventive për të parandaluar çdo dëm të mundshëm, qoftë edhe në një periudhë afatgjatë, te njeriu, kafsha, ose mjedisi.

Së shtati: Akademia u bën thirrje kompanive dhe fabrikave të prodhimit dhe përpunimit të ushqimit dhe medikamenteve mjekësore etj. të cilat përfitojnë nga inxhinieria gjenetike që të bëjnë të qartë dhe publikojnë përbërjen e këtyre produkteve, në mënyrë që përdorimi i tyre të bëhet me koshiencë të plotë si dhe për tu ruajtur nga çdo gjë që dëmton apo ndalohet fetarisht.

Së teti: Akademi u sugjeron mjekëve dhe laborantëve të kenë parasysh në punën e tyre gjithmonë frikën ndaj Zotit, të ndiejnë vështrimin e Tij dhe të largohen çdo veprimi apo praktike që dëmton individin, shoqërinë dhe mjedisin.

Paqja dhe bekimet qofshin për Profetin Muhamed, familjen dhe miqtë e tij; Lavdërimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.

Burimi: http://www.themwl.org/Fatwa/default.aspx?d=1&cidi=143&l=AR&cid=12