Kështu e përshkruan elita e botës profetin Muhamed

0
493

Profeti Muhamed është një nga personalitetet më madhështorë që ka fituar vëmendjen dhe vlerësimin e dijetarëve, historianëve, biografëve, shkrimtarëve, jo vetëm të kohës së tij , por gjithashtu edhe të atyre në ditët e sotme, jo vetëm në Lindje, por edhe në mbarë botën. Biografia e Profetit Muhamed nuk është thjesht biografia e një individi, por edhe e një feje të predikuar nga ai; është vizioni i një epoke të re, të epokës islamike.

Shumë mendime kanë ekzistuar dhe njerëzit kanë bërë kërkime të vazhdueshme për të mësuar të vërtetën, vlerat, dhe rolin që ka luajtur Profeti Muhamed në historinë njerëzore. Disa dijetarë, veçanërisht ata që janë kthyer nga shtetet myslimane, sollën në Europë një mendim që ndikoi në evolimin e mendimit europian rreth Islamit dhe Profetit Muhamed. Gjëra të tilla mundësuan që njerëzit e tyre të vinin re dritën e fesë Islame. Biografia e tij e plotë është vërtetuar dhe ka qarkulluar ndër dijetarë nga e gjithë bota, duke filluar që kur ai ishte gjallë dhe duke vazhduar deri më sot. Le të shohim se çfarë kanë thënë disa njerëz të famshëm rreth Muhamedit ( paqja dhe bekimi qofshin mbi të) nëpër shekuj.

Një nga shembujt e parë që ne do citojmë është nga Encyclopedia Britannica, e cila citon:
(Në lidhje me Muhamedin) “… një numër i madh detajesh në burimet e hershme tregon se ai ishte një njeri i ndershëm dhe i drejtë, i cili kishte fituar respektin dhe besuesshmërinë e të tjerëve , të cilët ishin po ashtu të ndershëm dhe të drejtë.” [Volumi i 12-të]

Tjetër vlerësim për Muhamedin, paqja qoftë mbi të, gjendet në veprën e njohur të Michael H. Hart. Ai thotë që personi më me ndikim në të gjithë historinë ishte Muhamedi, me Jezusin të dytin. Shikoni se si shprehet ai: “Zgjedhja ime e Muhamedit për të kryesuar listën e personave më me ndikim në botë mund të surprizojë disa lexues dhe mund të vihet në pikëpyetje nga të tjerë, por ai ishte i vetmi njeri në histori që ishte i suksesshëm në mënyrë absolute në nivelin fetar dhe në atë laik.” [Michael H. Hart, 100: A Ranking of the Most Influential persons in History, New York: faqja 33.]

Sipas Kur’anit, Profeti Muhamed ishte shembulli më i shkëlqyer për të gjithë njerëzimin. Madje edhe historianë jomuslimanë e konsiderojnë atë si një nga personalitetet më të suksesshmëm në histori. Lexoni çfarë shkruajti R. Bosworth-Smith në “Mohammed & Mohammedanism” në vitin 1946: “Kryetar i shtetit, po ashtu edhe i Kishës, ai ishte Çezar dhe Papë në të njëjtën kohë; por, ai ishte një papë pa pretendimet e një pape, dhe Çezar pa legjionet e Caesar-it, pa një ushtri të përhershme, pa një truprojë, pa një pallat, pa të ardhura fikse. Nëse një njeri do të kishte të drejtën të thoshte se ka drejtuar nga një e Drejtë Hyjnore, ky do të ishte Muhamedi, pasi ai e kishte të gjithë fuqinë pa instrumenta dhe pa mbështetjen e tyre. Ai nuk ishte i interesuar të vishej me pushtet. Thjeshtësia e jetës së tij private ishte në përputhje me jetën e tij publike.”

Le të shohim se si K.S. Ramakrishna Rao, një profesor filozofie indian (hinduist), në libërthin e tij “Muhammad the Prophet of Islam” e quan atë “shembulli perfekt për njerëzimin”. Ai e shpjegon mendimin e tij duke thënë: “Personaliteti i Muhamedit është më i vështiri për t’u kapur në të gjithë vërtetësinë e tij. Vetëm po të hedh një vështrim, çfarë skenash piktureske të njëpasnjëshme paraqiten. Muhamedi si Profet. Muhamedi si luftëtar; Muhamedi biznesmen; Muhamedi burrë shteti; Muhamedi orator; Muhamedi reformator; Muhamedi strehues i jetimëve; Muhamedi mbrojtësi i skllavëve; Muhamedi emancipuesi i grave; Muhamedi gjykatës; Muhamedi njeriu i shenjtë. Në tërësi të këtyre roleve të mrekullueshme, në të gjitha këto aspekte të veprimtarive njerëzore, ai është si një hero.”

“Doja të njihja njeriun më të mirë, i cili ka ndikim të padiskutueshëm në zemrat e milionave njerëzve…”, kështu shprehet Mahatma Gandhi në “Young India”. “Isha shumë i bindur që nuk ishte shpata që fitoi një vend për Islamin në ato ditë në skemën e jetës. Ishte thjeshtësia e paepur, kujdesi i madh për zotimet e tij, përkushtimi i madh ndaj shokëve dhe ndjekësve të tij, trimëria e tij, guximi i tij, besimi i tij absolut në Zot dhe në misionin e tij. Kur mbarova volumin e dytë ( të biografisë së Profetit), më erdhi keq që nuk kishte më për të lexuar për jetën madhështore të tij.”

Në lidhje me aspektin e barazisë përpara Zotit në Islam, poetja e famshme e Indisë, Sarojini Naidu thotë: “Ishte feja e parë që predikonte dhe praktikonte demokracinë; pasi në xhami, kur kryhet thirrja për tu falur dhe adhuruesit janë mbledhur së bashku, demokracia e Islamit shprehet pesë herë në ditë kur fshatari dhe mbreti gjunjëzohen pranë-pranë dhe deklarojnë: ‘Vetëm Zoti është më Madhështori’… Përsëri habitem nga ky bashkim i pandashëm i Islamit që e bën njeriun instiktivisht një vëlla.” [S. Naidu, Ideals of Islam, vide Speeches & Writings, Madras, 1918, fq. 169]

Sipas fjalëve të profesor Hurgronje: “Liga e kombeve e themeluar nga profeti i Islamit vendos parimin e bashkimit ndërkombëtar dhe vëllazërinë njerëzore në një themel universal të atillë për të ndriçuar kombet e tjera.” Ai vazhdon, “Është e vërtetë që asnjë komb në botë nuk mund të krahasohet me atë se çfarë ka bërë Islami për realizimin e idesë së Ligës së Kombeve.”

Edward Gibbon, një historian i madh, në punën e tij të famshme “History of the Saracen Empires”:
‘BESOJ NË NJË ZOT DHE SE MUHAMEDI ËSHTË NJË I DËRGUAR I ZOTIT’, është thënia e thjeshtë dhe e pandryshueshme në Islam. Imazhi i Zotit asnjëherë nuk është shndërruar në një statujë idhulli; nderimi i Profetit asnjëherë nuk i ka kaluar përmasat e virtyteve njerëzore; dhe parimet e tij e kanë kufizuar falendërimin dhe nderimin nga ana e dishepujve të tij brenda kufive të arsyes dhe fesë.”

E. Wolfgang Goethe, ndoshta poeti më i madh europian, ka shkruar për Profetin Muhamed:
‘Ai është një Profet dhe jo një poet dhe prandaj Kur’ani i tij duhet të shihet si Ligj Hyjnor dhe jo si një libër nga një qenie njerëzore, i bërë për edukim dhe zbavitje.’ [Noten und Abhandlungen zum Weststlichen Dvan, WA I, 7, 32]

Bernard Show në librin e tij për Muhamedin thotë: “ Gjithmonë e kam vlerësuar shumë besimin e Muhammad-it, thjesht për forcën e tij të jashtëzakonshme. Mendimi im është se Islami është besimi i vetëm i aftë për të drejtuar në mënyrë të suksesshme ndryshimet e shumta në jetë. Jam i bindur se nëse një person i njëjtë do të ishte përballur me problemet e sotme, ai do t’i kishte zgjidhur ato me sukses, duke i sjellur njerëzimit paqe dhe lumturinë e nevojshme. Parashikoj që besimi i Muhamedit do të pranohet në Europën e së nesërmes, siç ka filluar të pranohet në Europën e sotshme. [“The Genuine Islam” Singapore, Vol. 1, Nr. 8, 1936]

Napoleon Bonaparte thotë: “Mojsiu e shpalli fenë e Zotit te populli i tij. Jezusi te bota romake, ndërsa, Muhamedi te e gjithë bota. Arabia ishte një shtet pagan. 600 vjet pas Jezusit, Muhamedi i prezantoi botës besimin në një Zot të vetëm, I Cili është Zoti i Ibrahimit, Mojsiut, dhe i Jezusit.” [Bonaparte et Islam, Paris, 1914, fq.125]

R.V.C. Bodley thotë: “Veçantia e shfaqjes së Muhamedit në historinë e feve qëndron në faktin se ai ishte i frymëzuar rreth gjithçkaje dhe nuk e emërtoi veten si shenjtor apo ëngjëll. Ai kishte cilësi tërësisht njerëzore. Përveç personalitetit të tij të lartë njerëzor, asgjë nuk e dallonte atë nga myslimanët e tjerë.” [The Messenger, London 1946, fq.338]

Si përfundim, Lamartine, një shkrimtar dhe politikan francez, ka thënë për Profetin: “Nëse madhështia e qëllimit, thjeshtësia e të menduarit dhe rezultatet e arritura janë tre kriteret e gjenialitetit njrëzor, kush do të guxonte të krahasonte dikë tjetër në historinë njerëzore me Muhamedin? Muhamedi ishte rrëzuesi i zotave të rremë, themelues i një ideje të re me anë të fjalës, filozof, orator, mësues, burrë shteti, luftëtar i një çështjeje të madhe, predikues i një besimi të arsyeshëm dhe të adhurimit pa fotografi, themelues i 20 perandorive territoriale dhe të një shpirtëroreje. Ai ishte Muhamedi. Duke marrë parasysh të gjitha kriteret që duhen për të matur madhështinë njerëzore, njeriu me të drejtë mund të pyesi: A ekziston ndonjë njeri më madhështor se ai?” [Lamartine, HISTOIRE DE LA TURQUIE, Paris, 1854, Vol. II, fq. 276-277.]

Përktheu: Suela Bunguri