Kam lakmi ndaj gjinisë së njëjtë?!

Kam lakmi ndaj gjinisë së njëjtë?!

Pyetja: E kam një problem shumë të madh. Prej turpit nuk di edhe si t`ia filloj. Jetoj  jashtë Kosovës dhe jam shumë larg. Kur kam qenë shumë i vogël një djalë më i madh se unë më ka prekur shumë keq. Që atëherë jam bërë homoseksual dhe deri para 4 viteve kam pasur kontakte intime me meshkuj. Shyqyr prej Allahut, jam martuar dhe i kam lënë ato mëkate, elhamdulilah. Shumë shpejt kam filluar të falem, por për ato punë që i kam bërë kam shumë frikë. Bashkëshortja ime falet dhe e dua shumë. Problemi është se më shkojnë sytë ende edhe te meshkujt.

Ju lutem më tregoni çfarë të bëj për t’i harruar e për t’i larguar ato ndjenja të trishtuara? Kam frikë për Ditën e Gjykimit. Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigja: Vëlla i nderuar! Dije se homoseksualizmi është një nga veprat më të shëmtuara që ekzistojnë, një cilësi shumë e keqe, gjë që e bën të vdesë turpi, e asgjëson moralin, e shkatërron zemrën, është një invazion ndaj natyrshmërisë, që Zoti i Lartësuar e ka krijuar, është një krim nga i cili janë të pastër edhe kafshët.

Vëlla i nderuar! Dije se praktikuesi i kësaj vepre është i mallkuar në tokë, në qiell, është i mallkuar nga Allahu i Lartësuar me gjuhën e të Dërguarit të Tij, ku Resulullahu,sal-lallahu alejhi ue selem thotë: “Qoftë i mallkuar ai që bën veprën e popullit të Lutit, qoftë i mallkuar ai që bën veprën e popullit të Lutit, qoftë i mallkuar ai që bën veprën e popullit të Lutit!” (Nesaiu).

Problemi nga i cili ankoheni ju me të vërtetë është një problem shumë serioz, problem që e tejkalon të gjithë natyrshmërinë. Por ajo që e shton të keqen edhe më shumë është edhe çështja se në kohën tonë në disa shoqëri është bërë fenomen më i shpeshtë dhe për fat të keq edhe muslimanët po ndikohen nga ata. Prandaj ne do të mundohemi ta trajtojmë këtë çështje në dy aspekte të rëndësishme.

1.    Homoseksualizmi është vepër e shëmtuar dhe e keqe.

Kurani flet në disa vende për këtë vepër të shëmtuar. Kjo çështje përmendet më shumë kur flitet për profetin Lut, alejhi selam, pasi te populli i tij ishte i përhapur ky ves i shëmtuar.

Populli i Lutit banonte në qytetin e Sodomas dhe rrethinat e tij, gjatë rrugës për në Sham, në vendin ku sot ndodhet Deti i Vdekur. Ishte një popull jobesimtar, populli më i shfrenuar në mesin e njerëzve. Sipas shumë historianëve ata ishin të parët që e praktikuan këtë punë të shëmtuar.

Ibën Kajimi, kur flet për popullin e Lutit, alejhi selam thotë: “Përmendet nga shumë prej dijetarëve të umetit dhe shumë nga ata transmetojnë se ka konsensus (ixhma), se nuk ekziston nga të gjitha mëkatet gjë më të shëmtuar se homoseksualizmi. Ky mëkat e ka vendin menjëherë pas kufrit (mosbesimit), e ndoshta e tejkalon edhe mëkatin e vrasjes. Për këtë vepër do të sqarojmë më poshtë, inshallah.

Ata kanë thënë: Allahu i Lartësuar nuk e sprovoi me këtë mëkat të madh dikë para popullit të Lutit alejhi selam, prandaj i dënoi me një dënim që nuk kishte dënuar më herët ndonjë popull. Në dënimin e tyre Ai (Allahu) bashkoi disa forma të torturave: shkatërrimin e tyre, rrotulloi shtëpitë e tyre mbi ta, i përmbysi në tokë, u lëshoi gurë nga qielli, verbimin e tyre, i dënoi ata dhe e bëri këtë dënim të vazhdueshëm dhe i torturoi ata me një torturë që nuk i ka paraprirë ndonjë populli më herët. E tërë kjo për shkak të madhësisë së mëkatit që kishin bërë dhe dëmeve të shumta të këtij krimi, ku bënë që toka të tundet (luhatet) nga të gjitha anët nga kjo vepër e shëmtuar (kur praktikohet). Edhe engjëjt ikin në qiejt e lartë kur ndodhë kjo, nga frika e zbritjes së dënimit mbi ata që e bëjnë këtë fëlliqësirë. Toka vlon para Zotit të saj dhe kërkon strehim tek Ai, kurse malet  duan të lëvizin nga vendet e tyre.”

Në Kuran vërtetohet se e shëmtuar është kjo vepër, ku thuhet se këtë vepër nuk e ka bërë askush nga njerëzit më herët:”Përse bëni paturpësi të tilla, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush.” (Araf, 80). Pastaj i shton vërtetimin se sa shumë e fëlliqur është, ku sqarohet forma e kësaj vepre me atë që rrëqethen zemrat, vriten veshët e ajo është: “…u afroheni burrave duke i lënë gratë. Po ju jeni popull i shfrenuar.” (Araf, 81)

Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon se homoseksualizmi është ndryshim i natyrshmërisë njerëzore, me të cilën Ai i krijoi njerëzit. E kanë kthyer në të kundërtën atë që Allahu e ndërtoi në natyrën e njerëzve, prandaj Ai ua përmbysi vendbanimet e tyre dhe lëshoi mbi ta gurë, siç thotë: “Kur erdhi urdhri ynë, Ne i përmbysëm të gjitha ato(fshatrat e tyre) duke kthyer çdo gjë nga lart-poshtë, dhe mbi ta reshëm gurë të fortë pa ndalim.” (Hud, 84).

Në fund tregon përmasat e kësaj të keqeje, ku gjykoi mbi ata, se janë popull që i tejkaluan të gjitha kufijtë, ku thotë: “Ju jeni popull i shfrenuar.” (Araf, 81). Prandaj Allahu i Lartësuar thotë për këtë punë, se është e ndyrë, kur flet për Lutin alejhi selam, se si e shpëtoi atë nga dënimi që e përfshiu popullin e tij, ku thotë: “…Prandaj edhe e shpëtuam prej atij fshati (vendbanimi) që bënte punë të ndyra…” (Enbija, 74). Pastaj i cilëson ata, se janë popull i dëmshëm dhe fasikë, kur thotë: “…Ata ishin popull i dëmshëm.” (Enbija, 74). Pastaj i quan të prishur me gjuhën e pejgamberit të Tij, ku thotë: “Ai (Luti) tha: O Zoti im! Më ndihmo kundër popullit të prishur!”(Ankebut, 30). Pastaj i quan se janë popull mizor në dialogun që bëhet ndërmjet Ibrahimit alejhi selam dhe engjëjve, të cilët ishin dërguar te populli i Lutit për t’i shkatërruar ata. Allahu i Lartësuar thotë: “E kur të dërguarit tanë (engjëjt) i erdhën me myzhde Ibrahimit, i thanë: “Ne jemi shkatërrues të banorëve të këtij qyteti, sepse banorët e tij janë mizorë.” (Ankebut, 31).

Vëlla i nderuar! Ki parasysh domethënien e këtyre ajeteve dhe ajeteve të tjera të shumta që flasin rreth kësaj pune të shëmtuar. Dëshira dhe urtësia e Allahut deshi që fshatrat dhe qytetet  e popullit të Lutit të mbesin deri sot, e ky është vendi që quhet Deti i Vdekur dhe ky është mesazhi për ne. Allahu i Lartësuar thotë: “Në atë ngjarje, me të vërtetë ka argumente për ata që mendojnë.”(Hixhër, 75). Pastaj thotë:“Dhe se ato (vendbanime të shkatërruara) ende janë të dukshme pranë rrugës.”(Hixhër, 75) Imam Sheukani thotë: “Fjala është për fshatrat e popullit të Lutit, gjegjësisht pranë rrugës, e kjo është rruga që të dërgon prej Medinës në Sham, dhe me të vërtetë udhëtari duke kaluar nëpër këtë rrugë kalon pranë këtyre fshatrave.”

Edhe zbulimet e fundit arkeologjike e vërtetojnë një gjë të tillë, se andej ka gërmadha të një populli, që janë shkatërruar.

Mendoj se mjafton kjo të kuptojmë, se sa e shëmtuar është kjo vepër.

2. Disa këshilla dhe sqarime të nevojshme për ty:

1. Mundohu që të forcosh imanin tënd dhe që ai gjithmonë të vazhdojë të shtohet, për shkak se ai kur është në rritje e sipër, atëherë mbjell lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Vërtet imani (besimi) në Allahun e Lartësuar është pengesa më e fortë nga rënia në mëkate. A nuk thotë Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem: “Nuk bën zina zinaqari e që në ato momente të bërjes së zinasë të jetë besimtarë.” (Buhariu dhe Muslimi). Dijetarët, kur e qartësojnë këtë hadith, tregojnë se këtu nuk është si qëllim mohimi i thelbit të imanit, për shkak se muslimani nuk del nga kjo vetëm me veprimin e zinasë, por është si qëllim mohimi se imani i tij nuk është si duhet.

Ajo që nënkuptojmë nga ky hadith është se njeriu që e ka imanin e plotë; nëse edhe ai mundohet ta shtojë vazhdimisht atë, atëherë ai nuk do ta lejojë vetën të bjerë në mëkate të këtilla. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion(vesvese) nga djalli, ata përkujtojnë (Allahun) dhe atëherë shohin (të vërtetën).” (Araf, 201)

2. Kur të vijnë vesveset e shejtanit për këtë vepër të shëmtuar, atëherë përkujto, se të gjitha pjesët e trupit do të dëshmojnë kundër teje për këtë mëkat të keq. A nuk je i vetëdijshëm se kjo fuqi, ky aktivitet që ke është begati e Allahut dhe çfarë falënderimi do të ishte ai, kur ti e kthen atë në mëkat dhe kundërshton urdhrat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “E ditën kur armiqtë e Allahut tubohen për në zjarr (xhehenem)dhe ata janë të rrethuar. E derisa i afrohen atij (zjarrit), kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit e tyre, të parit e tyre dhe lëkurat e tyre për çdo gjë që ata kanë punuar. Ata lëkurave të tyre u thonë: “Përse dëshmuat kundër nesh?” Ato thonë: “Allahu që çdo sendi ia ka dhënë të folurin na e dha edhe neve, e Ai është që u krijoi juve herën e parë dhe vetëm tek Ai do të ktheheni.” (Fusilet, 19-21)

3. Mos u trego liberal ndaj vetes dhe mos lejo që syri yt të shikojë në gjëra të ndaluara, duke filluar nga revistat e fëlliqura dhe fotot lakuriq, të veçuarit me ndonjë mashkull, gjëra që ndikojnë në inicimin e mëkateve të tilla, e më e rrezikshmja nga të gjitha këto janë ekranet televizive, apo interneti.

Gjithashtu ti duhet të dish, se përderisa ti ia lehtëson vetes këto vepra, i jep shejtanit shansin që ai të ta zbukuroj këtë vepër të shëmtuar dhe ai nuk arrin sukses, por vetëm kur ti tërhiqesh dhe tregohesh liberal qoftë edhe një herë.

4. Aktivizoje veten gjithmonë me gjëra që janë në dobinë tënde, qoftë ajo dobi të jetë për këtë botë apo për botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “E kur ta kryesh(obligimin), atë botë mundohu me adhurim (Allahut).” Që do të thotë se kur njeriu përfundon ndonjë punë që i takon kësaj bote, atëherë përqendrohu në ndonjë punë të ahiretit, si përkujtimi i Allahut (dhikri), leximi i Kuranit, kërkimi i diturisë, dëgjimi i kasetave etj.

5. Kur të përfundosh një adhurim (ibadet) fillo me tjetrin dhe kur të përfundosh një punë të kësaj bote fillo me të tjetrën dhe kështu me radhë, për shkak se natyrshmëria e njeriut është që nëse nuk e fut ti atë në aktivitete të dobishme, atëherë ajo do të aktivizohet vetë në punë të kota dhe të dëmshme. Prandaj mos i jep vetes kohë dhe shans, që të mund të mendosh për këtë të shëmtuar

6. Krahaso ndërmjet asaj “kënaqësie” që gjen nga kjo vepër e shëmtuar, pastaj pendimi që  pason, shqetësimi që të sundon, indiferencës dhe në fund: ku të dërgon ajo dhe gjatësisë së dënimit që do të përfshijë ty Ditën e Gjykimit. A mendon se një njeri i mençur ia lejon vetes, që të bëjë një ndërrim të kësaj “kënaqësie” imagjinare me të gjitha ato që pasojnë pas saj. Prandaj të përkujtoj me thënien e Ibën Kajimit: “Nuk ka dobi nga ajo kënaqësi fundi i së cilës do të jetë zjarri.”

7. Pika, e cila pason është shumë e rëndësishme, prandaj kërkojmë nga ti ta kesh parasysh. Ajo është, se shejtani është përbetuar që me të gjitha mundësitë e tij do të mundohet ta devijojë njeriun. Ne dimë se kurthet e shejtanit janë shumë të dobëta, siç thotë Allahu i Lartësuar: “S’ka dyshim se intriga e djallit është e dobët.” (Nisa, 76), prandaj ai e sulmon njeriun që ta mposhtë, duke u përqendruar në pikat e dobëta që ai ka. Dhe të gjithë njerëzit kanë pika të dobëta, prandaj ai që është i dobët, p.sh. në mendjemadhësi, pra e ka pikë të dobët lavdërimin e vetes, shejtani depërton tek ai nga kjo pikë. Ai që është i dobët në pirjen e alkoolit dhe e ka pasion pirjen, atëherë shejtani depërton tek ai me këtë vepër e kështu me radhë.

Kurse ti që je i dobët në pikën të cilën përmende dhe nga e cila ankohesh, dije se shejtani është i përqendruar tek ti dhe të gjitha kurthet t’i ngre në këtë pikë, pasi aty ekziston mundësia më e madhe që ti të thyhesh dhe ai të arrijë të triumfojë në betejën e tij me ty. Prandaj bëhu ti më i mençur se ai e mos ia lejo vetes, që ti të biesh në kurthet që ai t’i ka vendosur dhe të bëhesh aplikues apo zbatues i planifikimeve të tij. Tejkaloji të gjitha këto dhe radhite veten në grupin e atyre, që vetë shejtani i ka përjashtuar, se nuk do të ketë mundësi t’i devijojë, kur tha: “Ai (shejtani) tha: “Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu.” (Sad, 82-83).

Mendoj se kjo është çështja më e rëndësishme që duhet të kuptosh, jo vetëm ti, por të gjithë ata që dëshirojnë t’i shpëtojnë mashtrimeve të shejtanit.

8. Mos i lejo vetes që të vetmohesh, për shkak se vetmia të nxit që t’i mendosh veprat e tilla.

9. Më e rëndësishmja nga tërë kjo që u tha është lutja e sinqertë dhe kërkimi i ndihmës prej Allahut të Lartësuar, që të ta largoj nga ti këtë gjë të shëmtuar, prandaj ki parasysh kohët dhe format e preferuara të lutjeve, si gjatë sexhdeve, në namazet e natës, gjatë agjërimit, gjatë udhëtimit etj.