Kallja e cigares: 200 milionë euro në vit lënë kosovarët për duhan

0
543

Nga Bashkim Kastrati

Konsumi i duhanit vazhdon të jetë i lartë nga qytetarët e Kosovës dhe nga ky konsumim kemi dy pasoja kryesore, ato shëndetësore dhe financiare. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave, del se qytetarët harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit për konsum të duhanit. Kurse për një person, mbi bazën e llogaritjeve nëse ai shpenzon një pako cigare në ditë, del se shpenzimet e tij vjetore arrijnë shumën minimale prej 600 euro.

Në Kosovë llogaritet se 1500 deri në 2000 persona çdo vjet vdesin si pasojë e konsumimit të duhanit. E kjo Ministrisë së Shëndetësisë dhe taksapaguesve ju kushton dhjetëra miliona euro për trajtimin e gjendjeve të rënda të shkaktuara nga tymosja e duhanit. Këto statistika janë dhënë gjatë një tryeze të hapur të organizuar nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Zyrën e OBSH-së në Kosovë.

Në hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë, e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Ndërsa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në buxhetin e përgjithshëm të ekonomisë familjare në vitin 2016 alkooli dhe duhani marrin pjesë 4 për qind, apo 308 euro në vit. Në vendbanimet urbane shpenzimet për konsum të alkoolit dhe duhanit qëndrojnë konstant gjatë viteve 2014-2016.

Po sipas të dhënave të ASK-së, te duhanpirësit në vitin 2016, vërehet një rënie e lehtë e konsumimit te meshkujt. Përqindje e duhanpirësve të cilët konsumojnë 11 deri 20 cigare kanë pësuar një ndryshim të vogël gjatë viteve 2015-2016 te meshkujt dhe në total.

Në rënien e konsumit të duhanit në vitin 2016 ka ndikuar edhe ngritja e akcizës për importin e duhanit në Kosovë, e cila ka dhënë efektet e veta. Pra ka pasur rritje të akcizës së duhanit prej 27 euro për një kilogram cigare sa ka qenë në vitin 2012, në 41 euro në vitin 2016. Rënie e importit është vërejtur si dhe ka hapësira të lira pa tym duhani ndonëse ka edhe shkelje. Kjo ka ndikuar që çmimi i duhanit të rritet dhe rrjedhimisht një pjesë e qytetarëve kanë hequr dorë nga konsumimi i duhanit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se më shumë se shtatë milionë njerëz në gjithë botën vdesin çdo vit nga sëmundjet që shkaktohen nga pirja e duhanit. Një pasojë e tillë, përveç dëmeve shëndetësore dhe rrezikimit të jetëve të njerëzve, vlerësohet se shkakton dëme të mëdha edhe për ekonomitë e vendeve të ndryshme.

Ndryshe, në Kosovë Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi në vitin 2013, por që zbatimi i tij, ende vlerësohet se nuk është në nivelin e kënaqshëm. Ky ligj përcakton që duhani nuk duhet të pihet në lokale të mbyllura. Por fatkeqësisht ky ligj nuk ka gjetur zbatim sa duhet pasi që duhani pihet në shumicën e lokaleve të mbyllura në Kosovë. Në muajt e fundit Komuna e Drenasit ka arritur sukses në ndalimin e konsumimit të duhanit në ambientet e brendshme.

Sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.

Sidoqoftë, ndonëse nuk ka statistika të sakta, të dhënat që prezantojnë organet kompetente në Kosovë flasin për rreth 800 raste të reja të kancerit në vit. Numri më i madh i rasteve, i takon kancerit të mushkërive, atij të gjirit dhe lëkurës, i cili sipas ekspertëve shëndetësorë, ndërlidhet shumë me duhanin dhe duhanpirësit. /tesheshi.com/