JA PSE DUHET TË DUROJMË

0
579

Durimi si virtyt dhe tipar moral është më se i pëlqyer. Zakonisht, me domethënie të vërtetë, gjendet tek burrat e mëdhenj, të cilët falin kur mund të ndëshkojnë, durojnë kur mund të hakmerren, heshtin kur dinë të flasin, pajtojnë me Allahun kur sprovohen, japin për fe kur edhe vet kanë nevojë…
Megjithatë, ajo që motivon këta njerëz për këtë sigurisht se duhet të jetë madhore. E di se motivet e durimit janë shumë herë më shumë se këto që unë do t’i përmend, por gjatë meditimit dhe hulumtimit, unë vërejta se të gjitha ato motive sillen rreth një boshti me tri segmente kryesore:
1. Allahu duron
Thotë Muhammedi, alejhi’s selam: Askush nuk mund te jetë më i durueshëm sesa Allahu për të keqën që ka dëgjuar për vete; pretendojnë se Ai ka fëmijë ndërsa Ai i furnizon dhe iu jep shëndet (apo mbron nga të këqijat)“. ( )
Ibni Haxher el-Askalani, Allahu e mëshiroftë, në koment të këtij hadithi, në mes tjerash thotë:
„…Shprehja „asber“ në hadith është shkalla sipërore (superlativi) i sabrit (durimit), madje prej emrave të Allahut është edhe es-Sabbur, që ka domethënie se Allahu nuk ua përshpejton mëkatarëve dënimin…jo për tu hakmarrë në botën tjetër por si mëshirë dhe mirësi ndaj tyre (se ndoshta pendohen)…“. ( )
Nga kjo që tha Muhammedi, alejhi’s selam dhe komentoi Ibni Haxheri mund të konkludojmë në gjëra shumë me rëndësi, njëra prej të cilave, e që do të jetë edhe lëndë e kësaj pike, është edhe kjo:
Allahu mëshiron shumë
Thotë Allahu:
61. Sikur All-llahu t’i dënonte njerëzit (zullumqarë) për shkak të mizorisë së tyre, nuk do të linte mbi të (tokë) asnjë gjallesë, por Ai i lë ata për më vonë deri në afatin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë as ta ngutin“.
(en-Nahl, 61)
Ka thënë Imam Taberiu në tefsirin e tij:
„Thotë Allahu, qoftë lartësuar emri i Tij,: Sikur Allahu t’i ndëshkonte mëkatarët për mëkatet e tyre, në tokë nuk do të linte asnjë njeri (dhe krijese tjetër) që ec mbi të, por me mëshirën dhe butësinë e Tij, iu jep afat atyre të padrejtëve dhe nuk ua përshpejton dënimin, deri në kohen e caktuar. E kur të vijë kjo kohë e shkatërrimit të tyre atëherë më as nuk shtyhet çasti që të kenë mundësi afatizimi por as nuk vjen përpara caktimit të vet“. ( )
Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë:
Zoti yt është që falë shumë dhe bën mëshirë të madhe, sikur t’i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t’ua ngutte atyre tash dënimin, por ata kanë momentin e caktuar, e pos Tij nuk do të gjejnë ata strehim“.
(el-Kehf, 58)
Ibni’l Xhevzijje në tefsirin e tij “Zadu’l mesir” në koment të këtij ajeti thotë:
“Allahu është shumë i mëshirshëm me krijesat e Tij meqë nuk ua përshpejton dënimin porse ata kanë momentin e caktuar ku, nëse nuk janë penduar në këtë botë, nuk kanë shpëtim në botën tjetër.”
Ajet tjetër që flet për tematikën tonë është ky:
E sikur All-llahu t’i kapte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë, por Ai i afatizon deri në momentin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, s’ka dyshim se All-llahu i ka parasysh robërit e vet“.
(Fatir, 45)
Shejhu Es-Sa’dijj, Allahu pastë mëshirë mbi të, në koment të këtij ajeti ka thënë:
„Pastaj Allahu përmendi përsosmërinë e butësisë se Tij dhe afatizimin e madh që ua jep mëkatarëve dhe krimineleve e tha: Sikur Allahu të ndëshkonte njerëzit për mëkatet që bëjnë, në tokë, shkak i tyre, nuk do të linte asnjë krijesë, madje as kafshët e pafajshme, por Allahu jep afat e nuk harron kështu që kur të vijë Dita e Llogarisë Allahu ndëshkon-shpërblen sipas asaj që kanë bërë njerëzit; mirë apo keq.“. ( )
Përfundimisht konstatojmë se:
… S’ka dyshim se Zoti yt u falë njerëzve mëkatet e tyre, por s’ka dyshim se Zoti yt është edhe ndëshkues i rreptë“.
(err’Rra’du, 6)
Megjithatë nuk do të kalojmë tutje për pa përmendur edhe shembuj që do të na bindin për vërtetësinë e kësaj që thamë:
– Shirku (politeizmi, idhujtaria, mosbeismi) është një prej mëkateve që pa pendim të sinqertë nuk falet kurrë, dhe derisa nuk falet, d.t.th.: për atë që kryen këtë mëkat është përjetësia në zjarrë. Ja se si është cilësuar shirku:
Padrejtësi e madhe (Llukman, 13), Shpifje e madhe ndaj Allahut (en-Nisa, 48), Humbje-devijim i madh (en-Nisa, 116), Është i privuar kryesi i këtij mëkati nga hyrja në Xhennet (el-Maide, 72), Ai që shpreson të takohet me Allahun nuk guxon assesi ta kryeje këtë mëkat (el-Kehf, 110), Është sikurse të kesh rënë nga majat e larta të qiellit në tokë dhe të të kenë shqyer shpezët e egra (el-Haxh-xh, 31), Është shkelje e së drejtës së Allahut. Muhammedi, alejhi’s selam në një hadith në formë bisede me Muadhin, Allahu qoftë i kënaqur me të, në mes tjerash i thotë: …E drejta e Allahut tek robërit e Tij është që ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos ia përshkruajnë në adhurim askënd…“. ( )
Tani që pe rrezikun e këtij mëkati, më thuaj se kë e shkatërroi Allahun në ummetin e Muhammedit për shkak të pabesimit të tij. Kina ka një popullsi prej mbi një miliardë persona dhe prej tyre 90% nuk besojnë fare në Zot( ). Në Shqipëri, sipas disa statistikave, numri i jobesimtarëve është 16% prej përqindjes së përgjithshme të popullsisë. ( )
– Allahu i Madhëruar në Kur’an, përkitazi me pejgamberët dhe të dashurit e Tij, tha:
E s’ka dyshim se ata janë të cilët e fyejnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar All-llahu në Dunja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm“.
(el-Ahzab, 57)
Mirëpo, ja se çka vepruan me të dërguarit e Allahut. Disa prej tyre i mbytën e për disa shpifën gjëra të rreme. Thotë Allahu:
Ne patëm marrë besë prej beni israilëve, atyre u dërguam pejgamberë, por sa herë që u erdhi atyre ndonjë pejgamber që (me mësime) nuk u pëlqeu epsheve të tyre, ata disa prej tyre i përgënjeshtruan, kurse disa të tjerë i mbytën“.
(el-Maide, 70)
Në ajet e vërejmë shprehjen “…sa herë që… “, e cila na bën të kuptojmë se ngjarja është përsëritur shumë herë apo thënë më mirë çdoherë.
Jehudët nuk mjaftuan me këtë, por, i përshkruan pejgamberët, të cilët Allahu i bëri shëmbëlltyrë për krijesat e Tij me veti, që ndoshta edhe huliganët më të mëdhenj nuk janë të përshkruar me to. T’i lexojme së bashku disa shpifje nga librat e tyre për pejgamberët, të cilat asnjëri prej nesh nuk do t’i pranonte për veten e tij:
NUHU a.s: Dehje, zhveshje dhe mizori.( )
LUTI a.s: Prostitucion me dy vajzat e tij, të cilat madje edhe lindën prej tij.( )
JA’KUBI a.s: Heshtte kur gruaja e tij bënte prostitucion.( )
MUSAI a.s: Mësues i tradhëtisë dhe terrorizmit, kriminel lufte.( )
HARUNI a.s: Tradhëtar i emanetit, ndërtues dhe adhurues i putave.( )
DAVUDI a.s: Lavir, tradhëtar, terrorist dhe kriminel lufte. ( )
Çka mendon sikur Allahu t’i ndëshkonte për këto mëkate a do të mbetej ndonjë njeri prej tyre?!
2. Muhammedi, alejhi’s selam duron
Motivi i dytë që muslimanin e stimulon për durim është jeta e Muhammedit, alejhi’s selam, një jetë përplot sakrifica, mundime, persekutime, ofendime, provokime por asnjëherë e shquar me nguti, mos përmbajtje apo reagim negativ. Tirmidhiu transmeton se Muhammedi, alejhi’s selam ka thënë:
Jam kërcënuar në rrugën e Allahut ashtu siç askush nuk kërcënohet dhe jam persekutuar ashtu siç askush nuk persekutohet. Ka ndodhë të kam përjetuar 30 ditë e net pa patur unë dhe Bilalli asgjë bukë, që e hanë ndonjë i gjallë (krijesë), përveç ndonjë gjëje të paktë që Bilalli mund ta ketë fshehur në nënsqetullën e tij”. ( )
D.t.th.: kanë patur aq pak ushqim saqë iu ka dalur për ta mbajtur vetëm shpirtin gjallë, e jo më shumë.
Se do të përjetonte vështirësi ai ishte njoftuar paraprakisht. Kur u takua për herë të parë me Xhibrilin, ai shkoi i frikësuar tek Hatixheja, e cila e mori dhe e dërgoi tek Vereka b. Neufeli. Vereka i tha: Ah sikur të isha gjallë kur populli yt të largojnë prej vendit tënd! Pse a do të më largojnë me dhunë ata?- pyeti i habitur. Vereka ia ktheu: Po, nuk ka ardhur kurrë asnjë burrë (pejgamber) me çka ke ardhur ti e të mos jetë persekutuar…D.t.th.: qysh nga momentet e para ai vendosi për durim( ).
Se sa shume u persekutua e sa shumë duroi na mëson edhe ky transmetim i Buhariut ku përmendet se Urve b. Zubejri e kishte pyetur Abdullah b. Amr el-Asin për gjëne më të keqe që ia kishin bërë idhujtarët Muhammedit, alejhi’s selam? Ai kishte thënë:
Derisa Muhammedi, alejhi’s selam ishte duke u falur tek Hixhri ( ) i Qabës, erdhi Ukbe b. Ebi Muiti, i cili me rrobën e vet e shtrëngoi Muhammedin, alejhi’s selam në fyt shumë. Erdhi Ebu Bekri dhe e kapi për krahëve dhe e shtyu-largoi nga Pejgamberi, alejhi’s selam e tha: A doni ta mbysni një njeri që thotë se Zoti im është Allahu”.
Një ditë derisa Muhammedi, alejhi’s selam falej në shtëpi Ebu Xhehli me disa të tjerë e shikonin, dhe aty për aty iu lindi një ide famëkeqe që: Kush mund të sjell gjërat e ndyta-pavlera nga thertorja e filan fisit dhe t’ia hedh mbi shpinë Muhammedit kur të bie në sexhde. Shkoi njëri dhe i solli, dhe derisa Muhammedi, alejhi’s selam ishte në sexhde, Ebu Xhehli ia hodhi mbi shpinë dhe qeshnin e mbaheshin njëri për tjetrin nga të qeshurit. Muhammedi, alejhi’s selam ashtu me atë barrë të ndytë qëndroi në sexhde derisa erdhi Fatimeja, vajza e tij, dhe ia largoi prej shpine.
Muhammedin, alejhi’s selam e fyenin edhe në baza misionare. E quanin magjistar, poet, madje Ebu Xheli, duke e konsideruar si gënjeshtar, kishte ardhur një ditë dhe në prezencë të tjerëve kishte thënë: O Zot, nëse misioni i Muhammedit është i vërtetë atëherë na hidh neve gurë prej qiellit ose na sjell ndonjë dënim të dhembshëm…
Talleshin me Muhammedin, alejhi’s selam ndërsa ai duronte. Thotë Allahu:
E kur të shohin ty ata që nuk besuan, nuk të marrin ndryshe vetëm se në tallje (duke thënë): “A ky është ai që përgojon zotat tuaj!” E ata përmendjen e Mëshiruesit (Rrahman) e mohojnë”.
(el-Enbija, 36)
E nënçmonin dhe, siç rrëfen Allahu, i thonin:
E kur të shohin ty, nuk të çmojnë ndryshe, por vetëm në tallje e thonë: “A ky është ai që All-llahu e dërgoi pejgamber?”.
(el-Furkan, 41)
I thane poet, siç na rrëfen Kur’ani:
Ata madje thanë: “(për Kur’anin) ëndrra të përziera, madje thanë se ai (Muhammedi) vetë e trilloi, ai është poet! Le të na sjellë një mrekulli ashtu si u dërguan të mëparshmit (me mrekulli)!”.
(el-Enbija, 5)
Dhe thoshin: “A do t’i braktisim ne zotat tanë për një poet të çmendur?”.
(es-Saffat, 36)
Kjo ishte ajo që e forcoi Muhammedin, alejhi’s selam në misionin e tij dhe iu bëri ballë gjithë atyre persekutimeve fizike e psikike.
E quajtën gënjeshtar dhe magjistar:
…e mosbesimtarët thanë: “Ky është magjistar, rrenës“.
(Sad, 4)
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aisheja se Muhammedi, alejhi’s selam momentin më të rëndë në jetën e tij e kishte përjetuar në Mekke kur nuk kishte gjetur përkrahje nga aksush. Kishte dalur deri tek vendi Karnu’th thealib, vend afër Mekkes( ), dhe në ato momente, thotë Muhammedi, alejhi’s selam, ngrita kokën kur ja një re më bënte hije. Në të ishte Xhibrili, i cili më tha se Allahu dëgjoi fjalët e tyre. Me të ishte edhe meleku i kodrave, i cili më dha selam dhe më tha: O Muhammed, nëse do, unë këto dy kodra ua hedh përmbi. Këtu del në shesh durimi i fortë i Muhammedit, alejhi’s selam, i cili tha:
Jo, unë kam shpresë se Allahu prej tyre do të nxjerr njerëz që e adhurojnë vetëm Atë dhe nuk i bëjnë shok!”.
Muhammedi, alejhi’s selam, ndonjëra vinte në situata të rënda edhe nga disa pasues të tij, të cilët duke mos studiuar mirë gjendjen, nguteshin dhe e rëndonin atë me ndonjë fjalë apo veprim por ai bënte durim. Si model do të mund ta merrnim një rast të transmetuar nga Ibni Mes’udi se Muhammedi, alejhi’s selam ndau një pasuri njerëzve. Një medinas i tha: Muhammedi nuk ka ndare siç do Allahun. I tregova Muhammedit, alejhi’s selam ndërsa fytyra e tij ndryshoi dhe tha:
Allahu e mëshiroftë Musain, u sprovua-shqetësua edhe me më shumë e duroi”. ( )
Muhammedi, alejhi’s selam bënte durim të plote edhe ndaj caktimeve të Allahut të Madhëruar. Kur i vdiq djali, Ibrahimi, ai e tha një gjë, e cila duhet të shërbejë si mësim për çdo besimtar:
Syri loton, zemra pikëllohet por nuk themi përveç asaj që do Allahu jonë. Vërtetë o Ibrahim ne jemi të pikëlluar për ndarjen tënde“.
Durimi i Muhammedit, alejhi’s selam nuk ishte vetëm në ballafaqimin dhe rezistencën ndaj sprovave, jo, ai bënte durim edhe në adhurimin për Allahun. Ai falej aq shumë saqë këmbët i ishin çarë dhe çdoherë barte me vete moton: A të mos jam rob falënderues për Allahun?!
3. Vlera e durimit
Padyshim se kur njeriu të di për një pagë të majme punon më shumë, kur të di për ndonjë shpërblim të veçantë derdh mund më shumë, dhe kur të di për ndonjë gjë, për të cilën Allahu ka premtuar të mira të pakufishme, natyrisht se do të motivohet për to. Në mesin e atyre gjërave, për të mos thënë të rralla, që Allahu shpërblen pakufi për to është edhe durimi. Ja tekste kur’anore dhe hadithe profetike për këtë, të cilat njëherit edhe do ta përmbyllin temën tonë:
Kur’ani lajmëron se shpërblimi i durimtarëve shumëfishohet ndaj shpërblimeve të njerëzve tjerë. Thotë Allahu:
Atyre u jepet shpërblim i dyfishtë për arsye se bënë durim,”.
(el-Kasas, 54),
…ndërsa të durueshmive u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”.
(ez-Zumer, 10)
Ngadhënjimi i durimtarëve me shoqërinë( ) (meijjeh) e Allahut. Thotë Allahu:
…se vërtet All-llahu është me durimtarët”.
(el-Bekare, 153)
Ka thënë Ebu Ali Ed Dekkak:
“Ngadhënjyen durimtarët me krenarinë e dy botëve sepse ata e arritën prej Allahut shoqërinë (meiijen) e Tij”.
Allahu përmblodhi në durimtarët tri gjëra, me të cilat nuk nderoi askënd tjetër, e ato janë: salavati (bekimi) i Allahut mbi ta, mëshira e Tij për ta dhe udhëzimi i Tij për ta. Këto tri cilësi janë te përmendura në këto ajete:
Po ti jepju myzhde durimtarëve. 156. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”! 157. Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”.
(el-Bekare, 155-157)
Allahu e beri durimin ndihme, përgatitje (për ballafaqim me sprova) dhe urdhëroi për të mbrojtur me durim. Thotë Allahu:
Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, ”.
(el-Bekare, 45)
Pra kush nuk ka durim nuk ka as ndihmë.
Allahu lidhi fitoren për durimit dhe devotshmërisë e tha:
Po, nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t’ju vinë tash në këtë moment, Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë prej engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar”.
(Ali Imran, 125)
Allahu lidhi dashurinë e Tij për durimit dhe e caktoi atë për ithtarët e durimit, e tha:
E sa pejgamberë pati që së bashku me të luftuan turma të mëdha besimtarësh dhe për atë që i goditi në rrugën e All-llahut, ata nuk u dobësuan dhe as nuk u përulën. All-llahu i do durimtarët”.
(Ali Imran, 146)
Allahu duke folur për virtytet e hajrit lajmëroi se ato nuk i vjelë askush pos durimtarëve. Këtë e sqaroi në dy vende në librin e Tij, Kur’anin, në suren el-Kasas, respektivisht ne tregimin e Karunit, ku dijetarët iu kishin thënë një grupi njerëzish mendjelehtë, të cilët dëshironin te kenë pasuri sikurse Karuni:
E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç të durueshmëve!”.
(el-Kasas, 80)
Durimi vjen ne shprehje atëherë kur dikush ta bën ndonjë te keqe dhe ti, nga burrëria e madhe, nuk lutesh kundër tyre por ua falë atë. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Abdullah b. Mes’udi i cili thotë:
Durimi është dhurata me e mire qe i jepet njeriu. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Seid el Hudrijji se Pejgamberi, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e bollshme se sa durimi”.
Besimtarit, çka do që i ndodhë është në favor dhe të mirë të tij. Transmeton Muslimi nga Suhejbi se ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s salatu ve’s selam ka thënë:
Çudi me punën e besimtarit, tërë çështja e tij është e mirë për të, dhe kjo nuk i takon askujt përveç besimtarit; nëse e godet diç e mire falënderon dhe kjo është e mirë për të. Po kështu nëse e godet diç e keqe ai bën durim dhe është mirë për të“.
Pra a kemi arsye të mos durojmë?!
Sedat G. ISLAMI