Ja ç’ndodh pasi hiqni dorën nga cigarja?

Ja ç’ndodh pasi hiqni dorën nga cigarja?

Shkencëtarët kanë identifikuar rreth 4.000 kimikate në tymin e duhanit dhe në mesin e tyre rreth 50 patogjenë të kancerëve të ndryshëm. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se për shkak të pirjes së duhanit çdo gjashtë sekonda vdes një person në botë.

Është vlerësuar se një në dy duhanpirësit vdesin nga sëmundjet e shkaktuara nga pirja e duhanit: Nga kanceri, sëmundje kronike obstruktive pulmonare, ataku kardiak, sulmi në tru dhe të tjera. Nëse lini pirjen e duhanit, trupi do të fillojë të shërohet pothuajse menjëherë pas cigares së fundit.

Çfarë ndodh në të vërtetë:

20 minuta pas cigares së fundit, shtypja e gjakut dhe pulsi kthehen në gjendjen normale, kurse qarkullimi në gjymtyrë përmirësohet duke furnizuar ato me gjak më të pasur me oksigjen. Kurse 8 orë pas cigares së fundit, oksidi i karbonit eliminohet plotësisht nga organizmi dhe zëvendësohet me oksigjenin, i cili iu nevojitet qelizave për të kryer funksionin normal.

24 orë pas cigares së fundit, zvogëlohet rreziku i sulmit kardiak, pasi që pulsi dhe shtypja e gjakut kthehen në gjendjen normale.

48 orë pas cigares së fundit, mbaresat nervore që ishin “të sëmura”, fillojnë të riaktivizohen duke rikthyer shqisat e aromës dhe shijes.

2 javë deri 3 muaj pas cigares së fundit, qarkullimi vazhdon të përmirësohet dhe filloni të merrni frymë më lehtë. Mushkëritë prodhojnë më pak mukozë dhe funksionojnë më mirë. Rritet aftësia për pjesëmarrje në aktivitetet sportive pasi që keni më pak probleme gjatë frymëmarrjes.

1-9 muaj pas lënies së duhanit, filloni të vëreni se kolliteni më pak. Kongjestioni i sinuseve zvogëlohet, kurse lodhja dhe vështirësitë gjatë frymëmarrjes pothuajse nuk vërehen. Mushkëritë fillojnë të funksionojnë gati njësoj sikurse në kohën kur nuk keni përdorur duhanin.

1 vit pas lënies së cigares, rreziku i sulmit në zemër zvogëlohet për 50 për qind. Në periudhën në mes të 5 deri 15 vite nga ndërprerja e pirjes së duhanit, rreziku nga sulmi në tru është i njëjtë sikurse edhe te jopërdoruesit e duhanit.

10 vite pas ndërprerjes së duhanit, rreziku i kancerit të mushkërive dukshëm zvogëlohet. Zvogëlohet edhe rreziku nga kancerët e llojeve të ndryshme; kanceri i gojës, fytit, ezofagut, fshikëzës, veshkave dhe pankreasit. Edhe pse nuk keni përdorur duhanin për 10 vite, rreziku i prekjes nga kanceri i mushkërive është më i madh në krahasim me ata të cilët kurrë nuk e kanë përdorur duhanin.

Pse është aq vështirë të ndërpritet konsumimi i duhanit?

Pse, edhe përkundër të gjithave që i dimë për duhanin, prapë vazhdojmë konsumimin e tij. Arsyeja është nikotina e cila shkakton varësi, dhe ajo është arsyeja kryesore që keni filluar konsumimin e duhanit. Nikotina është një bashkim organik që gjendet në fletët e disa llojeve të bimëve, por më së shumti konsumohet me anë të duhanit. Edhe pse nikotina në vetvete nuk është kancerogjen, në mënyrë indirekte i pamundëson trupit të luftojë qelizat potencialisht kancerogjene.

Kur mundohemi të ndërpresim konsumimin e duhanit, reagon truri duke krijuar simptoma që na bëjnë të ndihemi keq duke na nxitur të konsumojmë nikotinë. Për shumicën e duhanpirësve, mënyra e papritur e lënies së cigares nuk është e mundur. Procesi i shërimit është i vështirë dhe i pakëndshëm. Terapia e zëvendësimit të nikotinës është treguar e suksesshme dhe ka ndihmuar shumë njerëz për të hequr dorë nga ky ves jo i shëndetshëm.