Islami – Mesazhi universal

0
223

Kuptimi më i përgjithshëm dhe më i saktë i fjalës arabe “teblig” (kumtim) është: përçimi i Islamit te njerëzit në formën më të perceptueshme. Nga kjo pikëpamje, detyrën e përcjelljes së mesazhit islam te njerëzit, për herë të parë dhe në mënyrën më të përsosur, e kreu Pejgamberi a.s., së pari në cilësinë e të Dërguarit të Allahut dhe, së dyti, në cilësinë e themeluesit dhe drejtuesit të shoqërisë së parë islame.

Aktivitetet kumtuese verbale dhe shkresore në nivel individual, shoqëror, administrativ dhe me karakter të gjithëbotshëm, të shoqëruara këto me betejat për vetëmbrojtje dhe me përpjekjet për “lartësimin e fjalës së shenjtë”, përbëjnë njëkohësisht shembujt më të lavdishëm të asaj epoke historike, të cilën ne e njohim si Shekullin e Lumtur. Kuptimi më i sintetizuar i kësaj epoke gjendet i shprehur në thirrjen: Eslim teslem – prano islamin, që të shpëtosh.

Pejgamberia e bashkësisë

Detyra më e rëndësishme që Profeti a.s. la si trashëgimi është kumtimi. Për këtë arsye, që pas largimit të tij nga kjo botë e deri më sot, kalifët në planin administrativ (shtetëror), dijetarët dhe myslimanët në planin individual, vazhdimisht janë përpjekur që këtë trashëgimi ta përçojnë në nivel lokal dhe universal, sipas metodave të mësuara po prej tij. Për më tepër, kumtimi, pas ligjvënies, ekzekutivit dhe gjyqësorit, përbën funksionin e katërt themelor të administratës islame. Ky fakt shërben për t’u kujtuar myslimanëve të sotëm se kumtimi si një përgjegjësi e panënvleftësueshme, duhet të konceptohet dhe aplikohet tashmë në përmasa universale. Një ndërgjegjësim i tillë i myslimanëve për kumtimin lind atë që nga shumë dijetarë myslimanë është quajtur përgjegjësia “pejgamberike e bashkësisë”. Kjo, sepse bashkësia e myslimanëve, përveç atributit të tij si profet, ka trashëguar nga Profeti a.s. të gjitha funksionet e tjera të tij. Interpretimin që ai i bëri Islamit, veçanërisht me mënyrën e vet të të jetuarit, bashkësia e myslimanëve e ka për detyrë ta mbajë të gjallë në shkallë universale gjatë gjithë kohërave dhe t’ua përcjellë atë të tjerëve.

Në këtë mënyrë koncepti “pejgamberia e bashkësisë”, as më shumë e as më pak, kuptohet si rol që duhet të luajnë myslimanët si ambasadorë të jashtëm të islamit.

Shërbimet për ndihma imediate

Mundësitë e pafundme të kumtimit që ofrojnë zhvillimet teknike dhe teknologjike, e bëjnë më se të domosdoshme që përgjegjësia dhe favoret që rrjedhin prej tij, të konceptohen dhe të vihen në jetë në plan universal. Madje, po të merren në konsideratë me kujdes edhe rivalitetet për mbizotërim të kulturave, atëherë kuptohet edhe më shumë se sa serioz dhe delikat është realizimi i kumtimit. Në njëfarë mënyre, detyra e plotësimit të nevojave për Islamin, në rang global dhe për ata që janë të lidhur vetëm me të, pra myslimanët, ka karakterin e shërbimit për ndihma imediate.

Për ringjalljen me Islamin

Përpjekjet e myslimanëve me të gjitha potencialet e tyre intelektuale, shpirtërore dhe materiale në planin individual, institucional dhe administrativ, për realizimin e kumtimit të “pejgamberisë”, nga aspekti i realizimit të objektivit për ringjalljen e botës me Islamin, është i domosdoshëm.

Krejt natyrshëm, pas konceptimit në këtë formë të objektivit dhe detyrës, lind nevoja për:

Të kuptuarit sa më të drejtë të Islamit.
Të konstatuarit sa më të saktë të të vërtetave që na rrethojnë.
Përftimin në mënyrën më efikase të mundshme të delikatesës dhe diplomacisë së kumtimit.
Ngritjen e institucioneve dhe organizmave përkatës për realizimin e këtij objektivi.
Kualifikimin e elementeve që do ta realizojnë këtë detyrë në plan universal.
Nga sa u tha më sipër, lind nevoja e të qenit i pajisur me kujdes dhe planifikim, që na mundëson të mbajmë gjithnjë të gjallë para syve peshën e madhe të përgjegjësisë për kumtim.

Të synosh, duke e përmendur shpesh e më shpesh, të përhapësh kumtimin në të gjithë rruzullin, të mbushësh aktivitetet me emocionet universale, të gjitha këto do të formonin ndërgjegjen e duhur të përgjegjësisë islame për vitet në vijim dhe jo vetëm kaq, por çdo aktivitet kumtues, i madh apo i vogël, nëse do të bëhej pikërisht me këtë ndërgjegjësim, do të kishte më shumë shanse për sukses dhe do të ishte më i pranueshëm për njerëzit.

Elementët përçues

Elementi i kualifikuar njerëzor, ashtu siç edhe u vu re në renditjen e mësipërme, zë vendin më të rëndësishëm, i vë vulën një aktiviteti kumtues. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet lehtë, pa përpjekje dhe sakrifica.

Mund të thuhet se është një aktivitet që kërkon planifikim dhe investim realist kohor dhe hapësinor, pa kursyer as materialisht e as shpirtërisht. Në suren Al imran, ajeti 104, thuhet: “Le të jetë nga ju një grup që fton në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja…”

Shumë dijetarë myslimanë këtë ajet e kanë kuptuar si ngarkues me detyrë të bashkësisë së myslimanëve për përgatitjen e një trupe kuadrosh të kualifikuar në fushën e ftesës islame.

Sipas këtij koncepti, nëse e kuptojmë këtë strukturë si një trupë kuadrosh të kualifikuar, që do ta kryejnë misionin e thirrjes në nivele ndërkombëtare dhe nëse këtë e shohim si detyrë të të gjithëve ne, atëherë i kemi gjetur një bazë të fortë argumentimi dhe kemi theksuar shumë fort një nga përparësitë dhe domosdoshmëritë më të mëdha të kumtimit universal.

Nga ana tjetër, duhet të dihet se, të përçosh mesazhin islam te njerëzit, është e mira më e madhe dhe vepra më e dashur tek Allahu xh.sh.. Profeti a.s. është shprehur:

“Betohem në Allahun se nëse Ai nëpërmjet teje (duke të bërë ty shkak), e udhëzon një njeri drejt së vërtetës, për ty do të ishte më mirë se sa të zotëroje deve të kuqe (një nga pasuritë më të vyera e të rralla të asaj kohe).”

Të njohim botën

Njohja e mirë historike dhe gjeografike e botës ndihmon që kumtimi të mos jetë i varur nga kushtet dhe rrethanat, përkundrazi, na bën të aftë të qëndrojmë mbi zhvillimet dhe t’i komentojmë ato. Adaptimi i Islamit, në emër të realitetit, me gjendjet aktuale dhe konceptet mbizotëruese, nuk mund të quhet kumtim, kjo sepse kumtimi është paraqitja e së vërtetës ashtu siç është, sipas një mënyre dhe metode të përshtatshme, pa dalë jashtë kornizave të pranuara.

Fatkeqësisht, sot, vihen re përpjekje për ta paraqitur Islamin “simpatik” apo për ta adaptuar ose me kushtet e vendit, ose me mendimet dhe konceptet mbizotëruese në botë. Për hatër të njerëzve, lihet hatri i Zotit, interesat e përkohshme vihen mbi ato të përjetshme dhe hyjnore.

Kjo bie në kundërshtim me thelbin e kumtimit, i cili nuk varet nga pranimi apo mospranimi i palës tjetër. E rëndësishme është që ai të kryhet, ndërsa pranimi ose refuzimi i mbetet palës tjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here