Imani (besimi) është burim i lumturisë

0
526

“Lumturia është diç që buron nga njeriu dhe nuk vjen nga jashtë. Nëse e paramendojmë lumturinë sikur një dru që rritet nga shpirti i njeriut dhe zemra e tij, atëherë besimi në Allahun dhe botën e ardhshme paraqet ujin e tij, ushqimin dhe ajrin.” (Dr. Jusuf Kardavi)
Nuk është lumturia në pasurinë e madhe, në famë, në numrin e madh të pasardhësve, në jetën me bollëk e as në diturinë materiale. Lumturia është diç që njeriu e ndjen në vete: pastërtia e shpirtit, qetësia e zemrës, ndjenjat e qeta, etj.
Një njeri kur ishte zemëruar në gruan e tij i kishte thënë: “Do të bëj që të mos jesh e lumtur”, ndërsa ajo e qetë ia kishte kthyer: “Nuk mund të më bësh të palumtur, ashtu siç nuk është në fuqinë tënde të më bësh të lumtur.” Sepse, sikur lumturia të ishte në rrogë, ti do të ma ndalje; sikur të ishte në stoli, ti do të ma mirrje. Por, lumturia është diç që nuk e posedon as ti e as njerëzit tjerë. Unë lumturinë time e gjej në besim; besimi im është në zemër; kurse mbi zemrën time pushtet ka vetëm Zoti im.”
Përvoja jetësore na tregon se besimi në Allahun është oaza më e ëmbël dhe burim i lumturisë. Kur besimi është i përhapur në familje mbisundon lumturia. Ndërsa, shkaku më i shpeshtë i mungesës së lumturisë në familje dhe mjerimit është fëmija i cili nuk i ndjek udhëzimet e Allahut në veprimet e tij, por i pason epshet dhe dëshirat.
Mjekët kanë konstatuar se njerëzit më të qetë dhe më stabil janë ata që e kanë besimin më të fortë dhe i përmbahen udhëzimeve fetare.
Qetësia shpirtërore, pa dyshim, paraqet burimin e parë të lumturisë. Kjo është dritë që e qetëson frikën, i largon brengat dhe ngushëllon në pikëllim. Pikëllimi (keqardhja) për atë që ka kaluar, pakënaqësia me të tashmen dhe frika nga e ardhmja, janë shkaqet kryesore të brengave. Nga ky shkak psikologët dhe pedagogët na këshillojnë se duhet t’i harrojmë dhimbjet e djeshme, se duhet jetuar në të tashmen. E kaluara nuk mund të kthehet. Allahu i Lartësuar thotë në Kur’anin Fisnik:
“… kush i përmbahet udhzëimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)”. E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.” (Ta Ha: 123, 124)
Kënaqësia është shkallë më e lartë se durimi. Atë mund ta arrijë vetëm ai të cilit Allahu ia ka plotësuar imanin dhe durimin. Njeriu i kënaqur është i lumtur dhe i pajtuar me atë që i ndodhë dhe e godet, qoftë ajo sëmundje, varfëri ose ndonjë problem i caktuar. Ai është i vetëdijshëm se e gjithë kjo ndodhë me caktimin e Allahut. Aq më tepër, ai në këtë sheh mirësi të cilën ia ka dërguar Allahu. Prandaj, Pejgamberi, alejhi selam, e kishte lutur Allahun që ta bënte të kënaqur me caktimin e Tij dhe kishte thënë: “Ata më tepër kënaqen me fatkeqësitë se sa ju që kënaqeni me dhuratat.”
Ata që janë të pakënaqur dhe çdo herë ankohen asnjëherë nuk e shijojnë ëmbëlsinë e lumturisë. Besimtari i vërtetë është i kënaqur me gjendjen e tij, i kënaqur me Zotin e tij dhe i bindur se ajo që ia ka caktuar Allahu është më e mirë se ajo që do ta kishte caktuar ai për vete. Ai i drejtohet Zotit të tij me fjalët:
“Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë.” (Tirmidhiu thotë se hadithi është hasen).
Sa’d ibn Ebi Vekasi i kishte thënë birit të tij: “Biri im, kur të kërkosh pasuri, kërko edhe të jesh i kënaqur me të. Nëse nuk je i kënaqur, asnjë pasuri nuk do të bën të pasur.” Pra, nuk është i lumtur ai që fiton çdo gjë që dëshiron. Më i lumtur është ai që është i kënaqur me atë që ka.
A ka lumturi më të madhe për besimtarin sesa kur largohet prej asaj që ia ka ndaluar Allahu i Lartësuar?
Pejgamberi i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Kur muslimani e sheh një grua të bukur dhe e ul shikimin, Allahu do t’ia hapë rrugën e një ibadeti në të cilën ai do të kënaqet.” (Ahmedi)
Mëkatet i përzënë të mirat dhe fshijnë begatitë. Ali ibn Ebu Talibi, r.a. ka thënë:
“Fatkeqësitë vijnë për shkak të mëkateve, kurse shkojnë me pendim.”
Shumë njerëz mendojnë se begatia më e madhe të cilën Allahu na e ka dhënë është pasuria përderisa harrojnë begatinë e shëndetit, të pamurit, mendjes, familjes, fëmijëve dhe shumë begati të tjera. Sa njerëz i kujtojnë dhe janë të vetëdijshëm për begatitë e Allahut vetëm kur e humbin ndonjërën prej tyre?
Dr. Mustafa es-Sibai ka thënë:
“Vizitoje gjyqin një herë në vit që të kuptosh mëshirën e Allahut ndaj teje që të ka dhënë karakter të mirë… Vizitoje spitain një herë në muaj që të kuptosh begatinë që Allahu e jep në sëmundje dhe në shëndet… Vizitoje parkun një herë në javë që të shohësh bukuritë e natyrës… Vizitoje bibliotekën një herë në ditë që të kuptosh begatinë e mendjes. Vizitoje Zotin tënd kohë pas kohe që të kuptosh begatinë e jetës.”
Çdo zemër vuan nëse nuk arrin tek Ai dhe ajo është e privuar nga lumturia dhe suksesi. Sekreti i madh i imanit fshehet në atë se zemra nuk do të arrijë qetësinë, rehatinë dhe stabilitetin përveç se me vendosjen e lidhjes me Zotin.Ai, dashuria e të cilit, frika, shpresa dhe qëllimi janë për Allahun e Lartësuar, do të realizojë mirësinë e tij të përhershme, ëmbëlsinë, gëzimin dhe lumturinë.
Besimi në njëshmërinë e Allahut, apo siç quhet TEUHID, është vendstrehimi i robërve të mirë të Allahut të cilët në teuhid kërkojnë mbrojtjen nga të gjitha vështirësitë dhe fatkeqësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Për këtë shkak klithi Junusi, alejhi selam dhe Allahu e nxori nga errësirat e detit dhe nga barku i peshkut. Ngjashëm, ndihmë kërkuan edhe pasuesit e të Dërguarit, salallahu alejhi ue sel-lem dhe Allahu i mbrojti nga të gjitha mundimet të cilat ua kishte përgatitur Allahu në këtë botë dhe në botën tjetër.
Çdo vështirësi e kësaj bote largohet dhe zbutet më lehtë me të besuarit në njëshmërinë e Allahut-me teuhid. Për këtë shkak, duaja për largimin e brengave dhe mundimeve të mëdha është mishëruar me teuhidin.
Në fatkeqësi të mëdha të çon vetëm shirku, t’i përshkruash Allahut shok, ndërsa vetëm teuhidi të shpëton dhe të nxjerr nga ai, besimi në njëshmërinë e Allahut. Teuhidi është strehimi i të gjitha krijesave, mbrojtja dhe mbështetja e fuqishme.
Atëherë kur robi e njeh Allahun, dashuria e pashmangshme ndaj Tij e thith tërë fuqinë e dashurisë nga zemra e robit. E thith aq sa robi njeh prej cilësive të bukurisë dhe përsosurisë së Tij dhe kur zemra e robit me të vërtetë e dashuron, ajo lirohet nga çdo dashuri dhe dëshirë tjetër.
Atëherë, pse të mos vazhdojë zemra në madhërimin dhe përmendjen e Tij, e që dashuria dhe malli për Të dhe qetësimi afër Tij të mos bëhen ushqim, fuqi dhe ilaç i zemrës?
Besimtari e di se të mirat janë pronë e Zotit dhe bamirësinë të cilën e tregon ndaj robit, pa kurrfarë detyrimi ndaj tij.
Besimtari i cili me besimin e tij i mbështetet Allahut do të përjetojë lehtësim dhe rehati nga të gjitha brengat, mendimet dhe problemet, ndërsa dobësinë e tij, nevojat dhe dobitë do t’ia lërë Atij për të Cilin asgjë nuk është e vështirë dhe i Cili për asgjë nuk ngushtohet. Në mesin e parashenjave të lumturisë te robi janë preokupimi i tij me urdhërat e Allahut.
Imani është zemra e Islamit dhe palca e tij, ndërsa jekini, bindja e fuqishme është zemra dhe palca e imanit. Për këtë ne themi se çdo vepër e cila nuk e shton fuqinë e imanit dhe nuk e forcon jekinin, është e pavlefshme, siç është çdo iman i pavlefshëm nëse nuk nxit në kryerjen e veprave të mira.
Imani është pranimi i tij me bindje të fortë, pastaj deklarimi me fjalë, pasimi me dashuri dhe nënshtrim dhe në fund thirrja në atë, sipas mundësive.