GJENDJA E GRAVE NË XHENNET

0
528

Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

Duke pasur parasysh pyetjet e shumta të grave në lidhje me gjendjen e tyre në xhennet dhe atë që i pret në të, vendosa të bëj një përmbledhje në disa pika për sa i përket kësaj teme, duke u bazuar në argumente të sakta dhe fjalë të dijetarëve. Pas mbështetjes në All-llahun, po filloj me përmendjen e tyre:

All-llahu i Madhërishëm kur i përmendë gjërat joshëse në xhennet, si llojet e ndryshme të ushqimit, pamjet e bukura, vendbanimet, veshjen etj, në këto pika i përfshinë të dy gjinitë, pra, që të gjithë do të argëtohen me gjërat që u përmendën. Por mbetet një çështje për t’u shtruar, e ajo është se All-llahu i ka joshur burrat me xhennet duke përmendur se çfarë i pret ata prej hyrive dhe grave të bukura, por një gjë e tillë nuk përmendet për gratë… Prandaj, gruaja natyrshëm pyet për shkakun e kësaj gjëje?!

Përgjigjja:

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ai (All-llahu) nuk pyetet se çka punon, po ata, (njerëzit), pyeten.” (EL-Enbija’ 23).
Por, nuk ka gjë të keqe nëse pyesim për urtësinë e kësaj gjëje duke u bazuar në tekstet sheriatike dhe bazat e islamit. Prandaj po them:

Prej natyrës së grave, siç dihet, është se ato janë të turpshme. Prandaj All-llahu i Madhërishëm nuk i joshë me diçka nga e cila ato ndiejnë turp.
Dëshira e grave për burra nuk është sikur dëshira e burrave për gra. Kjo është arsyeja përse All-llahu i ka joshur burrat me përmendjen e grave të xhennetit, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Nuk kam lënë pas vetes sprovë më të madhe për burrat se gratë.” (Shënon Buhariu). Ndërsa për sa i përket gruas, zbukurimi me veshje dhe stolisja me flori ia tejkalon dëshirës së saj për burra, ngase kjo është natyrë në të cilën All-llahu e ka krijuar, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “atë që rritet me stoli.” (Ez-Zuhruf 18).
Shejh Ibën Uthejmini, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Shkaku përse All-llahu i përmendë gratë për burrat është se burri është ai që e kërkon gruan dhe joshet pas saj, ndërsa për sa i përket përmendjs së burrave për gratë, All-llahu i Madhërishëm ka heshtur në këtë çështje. Por kjo nuk do të thotë se ato nuk do të kenë burra. Ato do të kenë burra nga bijtë e Ademit alejhis-selam.”
Gjendjet e grave në këtë botë janë disa lloje:

Të vdesë para se të martohet.
Të vdesë pas shkurorëzimit pa u martuar me burrë tjetër.
Të jetë e martuar, por burri i saj të mos jetë prej banorëve të xhennetit, All-llahu na ruajt.
Të vdesë pasi të martohet.
T’i vdesë burri dhe ajo të mbetet e pamartuar derisa të vdesë.
T’i vdesë burri dhe të martohet me burrë tjetër pas vdekjes së tij.
Këto pra janë gjendjet e gruas në këtë botë, ndërsa gjendja e secilës prej saj përkon me një gjendje tjetër në xhennet. Në vazhdim po i përmendim ato:

Gruaja e cila ka vdekur e pamartuar, All-llahu i Madhërishëm e marton atë në xhennet me një burrë të kësaj bote, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Në xhennet nuk ka beqarë (të pamartuar).” (Shënon Muslimi). Ibën Uthejmini thotë: “Nëse gruaja në dynja nuk ka përjetuar martesë, atëherë All-llahu i Madhërishëm e marton në xhennet me një burrë me të cilin ajo do të jetë e kënaqur. Begatitë e xhennetit nuk janë ekskluzivisht për burrat, por ato i përfshijë si burrat, ashtu edhe gratë. Ndërsa prej begative të xhennetit është edhe martesa.”
E njëjta gjë vlen edhe për gruan e cila ka vdekur si e shkurorëzuar dhe që nuk është martuar me burrë tjetër.
Po ashtu e njëjta gjë vlen edhe për gruan, burri i së cilës nuk është prej banorëve të xhennetit. Shejh Ibën Uthejmini thotë: “Nëse gruaja është prej banorëve të xhennetit dhe nuk ka përjetuar martesë apo burri i saj nuk është prej banorëve të xhennetit, atëherë kur ajo të hyjë në xhennet, atje do të ketë prej burrave që nuk kanë qenë të martuar në dynja, kështu që ajo do të martohet me njërin prej tyre.
Gruaja e cila vdes pas martesës, në xhennet ajo i takon burrit me të cilin ka qenë e martuar.
Gruaja, të cilës i vdes burri dhe nuk martohet derisa të vdesë, në xhennet i takon burrit që e ka pasur në këtë botë.
Gruaja, të cilës i vdes burri, dhe martohet me burrë tjetër, ajo në xhennet i takon burrit të fundit me të cilin ka qenë e martuar, sado që të jetë numri i tyre, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Gruaja i takon burrit të fundit që ka pasur.”, si dhe në fjalët që Hudhejfe ibën Jemani radijAll-llahu anhu ia tha gruas së tij: “Nëse dëshiron të jesh gruaja ime në xhennet, atëherë mos u marto me dikë tjetër pas meje, ngase gruaja në xhennet i takon burrit të fundit me të cilin ka qenë e martuar në dynja.”
Prandaj All-llahu i Madhërishëm ua ka ndaluar grave të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem të martohen pas vdekjes së tij, sepse ato do të jenë gratë e tij edhe në xhennet.

Shtojcë:

Kur gruaja han në xhennet, All-llahu i Madhërishëm ia kthen asaj rininë dhe virgjërinë, bazuar në fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Në xhennet nuk hyjnë plaka… All-llahu i Madhërishëm kur t’i futë në xhennet, i shndërron në virgjëresha.”

Në disa transmetime thuhet se gratë e dynjasë në xhennet do të jenë shumëfish më të bukura se hyritë e xhennetit për shkak të ibadetit të tyre ndaj All-llahut të Madhërishëm.

Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Çdo njeri në xhennet është i përkufizuar dhe nuk ka mundësi t’i afrohet gruas së tjetërkujt në xhennet.”

Pra, xhenneti është stolisur për juve, oj gra, ashtu siç është stolisur për burrat. Prandaj, kini kujdes që të mos humbisni mundësinë për të fituar xhennetin, ngase jeta është e shkurtër dhe pas saj nuk mbetet gjë tjetër veç jetës së përhershme. Le të jetë përhershmëria juaj në xhennet, inshaAllah, dhe dijeni se shpagimi i xhennetit është imani dhe veprat e mira, e jo shpresa e pabazë dhe neglizhenca. Kujtojeni fjalën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Nëse gruaja i falë pesë kohët e namazit, e agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin e saj dhe e respekton burrin e saj, do t’i thuhet: Hyr në xhennet nga cila derë të dëshirosh.”

E lus All-llahun e Madhërishëm t’ua bëjë të mundshme grave myslimane fitoren e xhennetit, t’i udhëzojë dhe t’i bëjë udhëzuese, si dhe t’i shpëtojë nga shejtanët njerëz të cilët thërrasin në prishjen dhe shkatërrimin e tyre.

Bekimet e All-llahut qofshin me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, me familjen dhe shokët e tij.

www.thirrjaislame.com

Shkroi: Sulejman ibën Salih EL-HARASHI

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI