A është mëkat t’i heq vjetullat për maturë?

0
186
Pyetje: Jam maturante, s’kam hequr kurr vjetullat por pas disa ditësh e kemi mbrëmjen e maturës, a është mëkat t’i heq vetëm këtë herë vjetullat apo s’bën assesi?

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon Allahut…

Nëse Allahu ta ka mundësuar të përfundosh shkollën me sukses ti duhet të jesh mirënjohëse ndaj Tij duke thënë çdoherë elhamdulilah, që Allahu të dha mundësi materiale dhe psikike për tu arsimuar. Nëse je mirënjohës për mirësitë, Allahu do të të shpërblejë duke t’i shtuar të mirat “nëse ju jeni mirënjohës Unë jua shtoj të mirat” e nëse i mohon të mirat, Allahu të ndëshkon “e nëse ju mohoni, dijeni që ndëshkimi im është i ashpër”.

Mirënjohja e vërtetë është shfrytëzimi i atyre të mirave në adhurim ndaj Allahut, në këtë rast: të ka dhënë mundësinë e arsimimit, ti e ke detyrë që atë arsimim ta shfrytëzosh për t’i shtuar njohuritë tua për këtë fe, të lexosh më shumë, t’ia kumtosh Islamin atyre që nuk e kanë dëgjuar ose e kanë keqkuptuar e kështu me radhë, ndërsa të shkosh në mbrëmje të maturës dhe për këtë qëllim t’i heqësh vjetullat është sjellje shumë e keqe ndaj Allahut. Të mirën që ta dha Allahu, ti ia kthen me harame ndaj tij?! Kjo vërtetë është e çuditshme.

Them ‘me harame’ sepse mbrëmjet e maturës që organizohen janë me përzierje meshkuj e femra, me alkool, me muzikë dhe me një “liri” më të madhe për t’i ngjasuar veprimeve të kurvërisë me vallëzime, biseda të paturpshme, “puthje respekti” e kështu me radhë, siç kanë dëshmuar maturantë të penduar.

Në këto organizime shkelen shumë dispozita të Allahut:

– pirja e alkoolit, ndërsa Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Alkooli është nëna e të këqijave”.

– muzika, ndërsa Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Do të vijë një kohë kur njerëzit do ta bëjnë hallall kurvërinë, mëndafshin, alkoolin dhe instrumentet muzikore”.

– stolisja për hir të meshkujve, ndërsa Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë:“Cilado femër që parfumohet dhe kalon nëpër meshkuj që t’ia ndjejnë aromën është kurvë, dhe çdo sy bën kurvëri”[1]. Atë natë të gjitha femrat parfumohen, të gjithë meshkujt shikojnë çfarë është “përgatitur” për ta. Allahu i udhëzoftë dhe i faltë!

– heqja e vjetullave, ndërsa Pejgamberi, alejhi salatu ue selam u lut: “Allahu e mallkoftë atë femër që heqë vjetullat apo ia heqë ndonjërës, atë femër që i shton flokët apo ia shtonë ndonjërës”[2]. Këtu ai kërkoi mallkimin për ato që i heqin vjetullat dhe ato që i shtojnë flokët duke lidhur flokë të tjera për tu dukur se i kanë flokët më të gjata. Mallkim është largimi nga mëshira e Allahut, e nëse një njeri largohet nga mëshira e Allahut, kurrë nuk ka shanse të hyjë në xhenet.

Pas shkeljes së këtyre dispozitave dhe sigurisht shumë të tjerave, themi se assesi nuk lejohet që një besimtar të merr pjesë në ato organizime sepse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ai, juve, madje, ua ka shpallur në Libër: kur të dëgjoni se mohohen dispozitat e Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata, përderisa të rrokin tjetër temë (përndryshe nëse rrini me ta), – ju atëherë jeni sikur ata. Allahu do t’i bëjë bashkë në xhehennem të gjithë munafikët dhe qafirët”.[3]

Ndoshta fjalët që i shkrova duken të ashpra, por ato janë mësimet e kësaj Feje dhe e lus Allahun që të kenë ndikim te vëllezërit dhe te motrat që kanë përfunduar shkollat fillore apo ato të mesme, e po ashtu edhe te prindërit e tyre, të cilët mund të ndikojnë në ndalimin e paturpësive të këtilla. Allahu e ndihmoftë dhe e udhëzoftë popullin tonë. Amin.


[1] Sahihu Tergib nr. 2019 – hasen

[2] Sahihul Buhari nr. 5942

[3] Nisa 140

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here